Onkologjia, 20 mijë shërbime për katër muaj
Instituti i Onkologjisë në QKUK ka ofruar më shumë se 20 mijë shërbime brenda katër muajve të parë të vitit 2019 për pacientët, të cilët janë të diagnostikuar me kancer.
Gjatë kësaj kohe, stafi mjekësor ka kryer 12 000 kontrolle, ka dhënë 8 100 doza të kimioterapisë dhe 4 200 terapi intravenoze. Te lista e shërbimeve mjekësore hyjnë edhe 501 raste të reja, të evidentuara me kancer, në periudhën janar – prill 2019.
Drejtori i Onkologjisë, Ilir Kurtishi, ka thënë se në krahasim me vitin e kaluar, ka një rritje prej 5 për qind të rasteve të reja më këtë sëmundje.
Sipas të dhënave të nxjerra nga raportet e punës për vitin 2018, në të njëjtën periudhë kohore kishte 475 pacientë.
“Nuk është shumë alarmante kjo, pasi që, në krahasim me vendet fqinje, ne kemi numër shumë më të vogël.
Në Maqedoni, gati 5 000 raste të reja diagnostikohen në vit, me një popullatë pak ma të madhe se Kosova. Pra, tek ne, përqindja e këtyre rasteve është shumë më e vogël. Një prej faktorëve është që ne jemi popullatë e re dhe nuk i mbërrijmë ato mosha të shtyra, kur kanceri është më i pranishëm”, ka thënë Kurtishi.
Kanceri i gjirit vazhdon të dominojë. Deri në këtë kohë janë paraqitur 121 raste. Në vendin e dytë radhitet kanceri i mushkërive me 82 raste.
Kurse, kanceri te tubi digjestiv, përfshirë lukthin, pankreasin dhe zorrët e trasha, ka prekur 109 pacientë.
Kanceri i organeve gjenitale është paraqitur tek 108 persona, meshkuj dhe femra, ndërsa 83 raste janë identifikuar me kancer në organe tjera.
Dr. Kurtishi, më tutje ka theksuar e evidentimi i rasteve bëhet me rregull.
“Shpresojmë që shpejt të kemi edhe kancer-regjistër në Kosovë, pra të kemi të dhëna të sakta për secilin qytetar të Kosovës, i cili diagnostikohet me kancer”, ka pohuar Kurtishi.
Pacientja N.K. është shprehur e kënaqur me mënyrën e trajtimit, derisa është habitur me rregullin dhe shërbimet e ofruara në Institutin e Onkologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. “Shërbimi është shumë i mirë. Stafi mjekësor ka sjellje të shkëlqyeshme me ne. Neve një fjalë e mirë na shëron, e lëre më shërbimi i mirë. Nuk kam besuar që këtu ofrohen shërbime kaq të mira. Pasi kam hyrë këtu, e kam pa vetë, nuk kam fjalë ta përshkruaj”, ka thënë ajo.
Në Onkologji trajtohen më shumë se 1 500 pacientë, përfshirë pacientët që vazhdojnë trajtimin nga viti i kaluar dhe pacientët e paraqitur këtë katërmujor.
/Epoka e re/