OPEC përpiqet ta balancojë tregun botëror të naftës
Eksportuesi më i madh në botë i naftës së papërpunuar, Arabia Saudite, bashkë me anëtarët e tjerë të OPEC-ut dhe aleatët e saj pritet të takohen në muajin korrik me shpresë që të vazhdojnë marrëveshjen për kufizim të prodhimit në gjysmën e dytë të vitit 2019 për të balancuar tregun botëror të naftës dhe për të mbështetur çmimin e naftës së papërpunuar.
“Grupi i emëruar si OPEC+, ku përfshihet edhe Rusia, do të takohen në javën e parë të korrikut”, tha të dielën ministri i Energjetikës i Arabisë Saudite, Khalid Al-Falih gjatë vizitës në Japoni, duke shtuar se do të përpiqet që “të sigurojë ribalancimin e tregut pasi ne përpiqemi për këtë”.
Karteli i naftës gjithashtu kishte caktuar mbledhje me Rusinë dhe shtetet tjera jashtë OPEC-ut më 26 qershor për takimin e gjashtë ministror për të diskutuar të ardhmen e marrëveshjes për prodhim, sipas së cilës prodhimi ditor u kufizua në 1.2 milion barrelë, shkruan “Telegrafi”.
Al-Falih të premten theksoi se OPEC është pranë vazhdimit të marrëveshjes për kufizim të prodhimit, por nevojitet pjesëmarrja edhe e shteteve jashtë OPEC-ut, veçanërisht Rusisë. “Nuk besoj se do të ketë nevojë të thellohen kufizimet nga ana e OPEC-ut, vazhdimi është pothuajse gati. Çështja është të definohet me vendet jashtë OPEC-ut”, u shpreh ai.
OPEC dhe aleatët e saj më 7 dhjetor të vitit të kaluar nënshkruan marrëveshje që bashkërisht të ulin prodhimin në 1.2 milion barrelë në ditë për gjashtë muajt e parë të vitit 2019.