Open Ballkan “paralajmëroi” marrëveshjen për letërnjoftime
“Ballkani i Hapur” u bë më interesant sesa pritej në Samitin e Beogradit.
Mbase edhe për faktin se më 1 shtator hyri në fuqi marrëveshja Kosovë – Serbi për lëvizjen me letërnjoftime të shteteve përkatëse.
Ishte kryeministri shqiptar, Edi Rama, që tha se ujdia në fjalë është diçka që “Open Balkan” e parashihte moti.
Rama nuk harroi as këtu ta thërrasë Kosovën të bëhet pjesë e nismës Tiranë-Beograd-Shkup, e pro kësaj është edhe Washingtoni dhe këtë nuk ngurroi ta thotë ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, të enjten.
Të premten ky ishte pjesë e tryezës diskutuese të liderëve të “Ballkanit të Hapur”, fakt ky që e bëri Ramën t’u thotë të tjerëve të kenë kujdes se çfarë flasin.
Homologu në largim i Ramës nga Podgorica, Dritan Abazoviq, tha se pret që vendi i tij t’i bashkohet nismës rajonale me arsyetimin se ka ardhur koha për paqe e përparim dhe argument për këtë e mori ujdinë rishtare Kosovë – Serbi për të cilën uroi Aleksandar Vuçiqin e Albin Kurtin.
Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, përgëzoi Kosovën dhe Serbinë për ujdinë me ID-kartela dhe e quajti atë shenjë se “Ballkani i Hapur” mund të zbatohet në krejt rajonin, sipas kritereve të integrimit në BE.
Vetë nikoqiri, Aleksandar Vuçiq, s’i dha fort rëndësi pajtimit me kryeministrin Albin Kurti, por foli për bashkëpunimin që duhet ta kenë fqinjët në shumë fusha ndërsa e kujtoi ditën kur Rama shkoi në Beograd për herë të parë më 2014.
“Kur Edi erdhi në Beograd dhe pastaj unë shkova në Tiranë ne e shihnim njëri-tjetrin nga skajet e një fushë beteje. Ai më fliste mua për Kosovën, e unë atij po për Kosovën e kështu me radhë. Sot ne i kuptojmë dallimet tona, po ne mendojmë ndryshe, por shohim interesa të mëdha të serbëve e të shqiptarëve në bashkëpunimin tonë”.
Tre pjesëmarrësit e “Ballkanit të Hapur” nënshkruan katër marrëveshje të reja në disa fusha.