“Opera” me PPP, Zot mbaj dorën!
Nga: Anisa Bahiti
Në një film artistik në kohën e komunizmit ku kujtohej vepra e Çerçiz Topullit, këshilltari klerik Abaz, i thotë Jurusunit të Cukuroves (Bimbashi i Gjirokastrës), Zot mbaj dorën se “xhindit” i mbushet mendja dhe e bën. Kjo frazë vjen ndërmend teksa dëgjon ministren bukuroshe edhe kjo e ardhur nga prapa listës së rilindjes, Elva Margariti, se Teatri i Operës dhe i Baletit “ndoshta” duhet privatizuar në të ardhmen.
Në pamje të parë kjo duket si një deklaratë e pafajshme dhe naive e një ministreje dëshirë mirë. Ndërkohë po të kthehesh disa vite mbrapa në kujtesë, ishte paraardhësja e kësaj ministreje që një ditë të bukur u zgjua dhe i tha rastësisht artistëve të Teatrit Kombëtar se ai duhej shembur e duhej bërë i ri. Në fillim palët e morën me shaka, por ndërkohë vitet kaluan e shumë gjëra ndryshuan dhe një ditë të bukur i vetmi Teatër Kombëtar i Shqipërisë u shemb. Më vonë në kohën kur u shemb, në betejë dolën peshat e rënda të politikës dhe jo më Ministrja “naive”.
Fakti është që sot ne jemi pa teatër! Po t’i kthehesh kujtesës politike të vendit dhe kronikave të kohës, të vjen ndërmend që një tjetër ministër kulture, ai i viteve 1998-2000, donte të shembte Teatrin Kombëtar dhe të privatizonte Operën dhe Baletin. Në atë kohë atij iu bë e pamundur të përfundonte me sukses projektin e tij , për shkak të protestave të artistëve dhe mungesën e plotfuqishmërisë politike të kohës .Pas 20 vitesh gjërat kanë ndryshuar, sot ai ministër është kryeministër dhe është njeriu më i pushtetshëm politik në 30 vitet e fundit në Shqipëri.
Historia e Teatrit tregoi se ai as nuk harron e as nuk tërhiqet, ndaj le t’i lutemi Zotit t’i mbajë dorën, se ai ka dhënë prova se i mbushet mendja për një gjë dhe e bën, aq më tepër kur mendjen e ka të mbushur plot për më shumë se 20 vjet.