Operacion i gjerë i policisë evropiane kundër mafisë italiane
Anëtarë të mafisë famëkeqe të Italisë “Ndrangheta” janë vënë në shënjestër të një operacioni policor, të nisur njëkohësisht të mërkurën në disa vende të Evropës.
Qindra policë raportohet të jenë të përfshirë në operacionin në Belgjikë, Itali, Gjermani dhe Holandë.
Policia italiane ka bërë me dije se së paku 90 vetë janë arrestuar, porse operacioni vazhdon.
Mafia “Ndrangheta” akuzohet për trafikim me kokainë, shpëlarje të parave, ryshfet dhe dhunë.
Shtëpi, restorante italiane dhe biznese të tjera janë në shënjestër të bastisjeve.
Operacioni i koduar si “Pollino” po realizohet edhe me përfshirjen e Eurojust – organit për bashkëpunim gjyqësor të Evropës.
Mafia “Ndrangheta” vjen nga Kalabria, në jug të Italisë.
Edhe pse mafia siciliane është bërë e famshme në filma dhe televizion, “Ndrangheta” mendohet se kontrollon rreth 80 për qind të tregtisë së kokainës në Evropë.
Ajo dyshohet se ka rreth 6 000 anëtarë dhe është një forcë e përhapur në krimin evropian.