Operacion i rrallë te një paciente 29-vjeçare në Shqipëri
Realizohet me sukses në vendin tonë një ndërhyrje komplekse tek një paciente 29-vjeçare, e cila kishte një malformacion kongenital të rrallë (meningocele lumbare), dhe i ishte refuzuar kirurgjia për vite për shkak të problemeve të rënda në lëvizshmëri dhe ndjeshmëri.
Lajmin e ka ndarë ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu në rrjetet sociale, e cila shprehet se kjo ndërhyrje e rrallë i dha 29-vjeçares një shans për një jetë më të mirë.
“Neurokirurgu Prof. Kita Sallabanda, pas një vlerësimi të kujdesshëm, ndërhyri për heqjen e një qeseje të madhe të mbushur me lëng, e cila pengonte jetën normale. Operacioni u zhvillua në dy faza: fillimisht u vendos një derivacion ventrikulo-peritoneal për uljen e presionit të lëngut trushpinor, dhe në bashkëpunim me Neurokirurgun Prof. Artur Xhumarin dhe kirurgun plastik-rikonstruktiv Prof. Nardi Kolën, u realizua me sukses mbyllja kirurgjikale e meningoceles.
Një operacion i rrallë për shkak të moshës së pacientes përfundoi me sukses të plotë, pa dëmtuar funksionet nervore dhe duke i dhënë 29-vjeçares një shans për një jetë më të mirë”, shkruan ministrja.
Mielomeningocele është një keqformim kongjenital i shkaktuar nga një defekt zhvillimor i strukturave të palcës kurrizore.