OPERACIONI I PËRBASHKËT KUJDESTAR DHE ANGAZHIMET TONA TË REJA PAS ARDHJES NË KOSOVËN E LIRË

04 prill 2023 | 15:09

AJAZ EMINI – Ditari (XI)

Operacioni i Forcave Aleate (Operation Alied Force) të NATO’s përfundon me nënshkrimin e “Marrëveshjes Tekniko Ushtarake të Kumanovës”, dhe pas nënshkrimit të “KAPITULIMIT” të forcave serbe dhe presidentit Sllobodan Millosheviq, pas përfundimit 78 ditorë të bombardimeve të NATO’s, prej 11 Qershorit 1999 fillon etapa e re, e cila u emërua Task Forca Skifteri (Task Force Falcon). Dhe pas një kohe kjo forcë e KFOR-it përfundoi më 31 dhjetor 1999 kur fillon operacion i ri i quajtur Operacioni i Përbashkët Kujdestarë (Operation Joint Guardian).

Ky operacion kishte për detyrë ruajtjen e paqes në tërë Kosovën. Në këtë operacion do të angazhohet një personel prej 46,000 ushtarë, të ardhur prej 39 shteteve të ndryshme të botës, të cilët do të jenë që të gjithë nën të njejtën komandë, atë të NATO-së. Misioni i tyre ishte që të ndërtojë një vend të lirë dhe të sigurtë për të gjithë qytetarët e Kosovës pa marrë parasysh origjinën dhe etnitetit të tyre, dhe që duhej të jetojnë së bashku në paqë me ndihmën e ndër- kombëtarëve. Gjithashtu duhej që të zhvillohet edhe demokracia ndër këta popuj që ishin në konflikt qyshë me ardhjen në fuqi të Presidentit Serb Sllobodan Millosheviqit.

KFOR’i është forca e vetme paqëruajtëse ndër- kombëtare në Kosovë e udhëhequr nga NATO-ja, dhe që ka për qëllim zvogëlimin gradual të forcave të tyre për derisa përforcohen Forcat e Sigurisë së Kosovës e më  vonë  të  shndërrohen  në  Forca  Ushatarake  të Kosovës, për derisa të bëhen krejtësisht të pavarura…

Pas ardhjes tonë në Kosovë, Njësia e Forcave Speciale të Armatës Amerikane me të cilën punova që nga Maji 1999, në koordinimin e caqeve të bombardimeve të aviacionit të NATO-së mbi trupat e forcave serbe nga Kukësi i Shqipërisë, tani morrëm detyrën e re.

Tani detyra jonë kryesore me Njësinë e Forcave Speciale në Kosovë, në fillim ishte për të përmbledhë sa më shumë informata në lidhje për çfarëdo ankese apo nevoje të popullatës lokale që kishin në Kosovë, mbrenda teritorit të sektorit të lindjes të KFOR-it amerikan, që përfshinë qytetet me rrethinë: Ferizaj, Gjilan, Kamenicë, Viti, Kaçanik, Hanit të Elezit dhe Shtërpcës të caktuar nga aleanca e NATO’s.

Filluam me vizitat e ndryshme nëpër vendbanime mbrenda teritorit të Lindjes apo siç e quanin sektorit amerikan, ku po takonim liderët e komuniteteve të ndryshme të fshatrave dhe qyteteve të këtijë sektori, prej nga po informoheshim për ankesat dhe kërkesat e llojllojshme të popullatës lokale. Gjatë këtyre takimeve mblidhnim informata për vendet e minuara, varret masive, kërkesat e shërbimeve mjekësore, informata për krimet dhe kriminelët e  luftës. Pastaj me ato informata iu drejtoheshim departamenteve të ndryshme përkatëse civile apo ushtarake të atyre lëmive për çfarë ishin ankesat apo kërkesat, për t’u shqyrtuar apo edhe ndihmuar në ato probleme që kishin.

E premte, 18 qershor 1999

Pas ardhjes tonë në Kosovë koha këtyre ditëve po mbante ftohtë dhe me reshje shiu, e që më tepër i përngjante ditëve të vjeshtës. Natën  e parë në Kosovën e lirë e kaluam në një shtëpi të re të pa kryer nga punimet, e që ishte ende pa dyer dhe pa dritare.

Pasi se u zgjuam herët në mëngjes, aty në afërsi nën mbulesën e dyerve të oborrit të kësajë shtëpie gjetëm një tank të ushtrisë jugosllave që kishte mbetë e shkatërruar nga bombardimet e aviacionit të NATO- së. Aty për rreth ku ishim pamë edhe shumë shtëpi të djegura dhe të shkatërruara nga forcat paramilitaro ushtarake serbe. Ky vend dukej sikur të ishte edhe si pikë strategjike që ishte shfrytëzuar nga forcat serbe, që po dukej nga mbeturinat ushqimore që kishin lënë pas veti.

Ishte pikë strategjike se kishte përballë rrugën Gjilan-Ferizaj prej ku mundë të vëzhgohej në një horizont mjaftë të gjërë. Përballë kësajë shtëpie ku ne qëndruam, në bregoren përballë, në anën e kundërt të rrugës Ferizaj-Gjilan ku më vonë do të vendoset Kampi Ushtarak Amerikan “Bondsteel”. Aty ku më vonë do të vendoseshim edhe ne me forcat paqëruajtëse të armatës amerikane e që do të ishin nën ombrellën e KFOR-it, sipas Marrëveshjes Tekniko Ushtarake të Kumanovës!

Informacionet e 24 orëve të fundit

Sipas informatave të NATO-së, më shumë se 30,000 pjesëtarë të ushtrisë jugosllave prej 40,000 sa kishin qenë në Kosovë, veçëse ishin tërhequr jashta kufinjve kosovarë.

NATO-ja parashef se deri më 20 Qershor 1999, kur ishte caktuar dita e fundit e tërheqjes së trupave jugosllave, do të përmbushet në tërësi sipas marrëveshjes së nënshkruar.

Gjatë mëngjesit të sotëm, NATO-ja raportoi se gjerë më tani në Kosovë kishin hyrë rreth 16,100 trupa paqëruajtëse, edhe 10,846 ende ishin në Maqedoni.

Sot në Maqedoni në afërsi të bazës së KFOR’it kishte patur një eksplodim, por fatmirësisht nuk kishte viktima.

Në Prizren, në sektorin gjerman pjesëtarët e UÇK’s ishin pajtuar që nga mesnata e sotme të mos bartnin armë dhe uniforma ushtarake. Ndërsa në pjesët tjera të Kosovës ende po shifeshin pjesëtarët e UÇK’s duke u endë rrugëve me armët dhe uniformat e tyre.

Gjatë ditës së djeshme ishte paraqitë edhe udhëheqësi i UÇK-së Hashim Thaçi, i cili e porositi popullatën serbe që mos të largohen nga Kosova. Ai kishte thënë se: “Shoqërisë shqiptare i duhen edhe serbët, ata mundë të kontribojnë në stabilitetin e Kosovës”.

Sipas zyrtarëve të UNHCR-së sot, ata thanë se kthimi i refugjatëve kosovarë në mënyrë të organizuar mundë të fillojë kthimin e tyre mbrenda dy javësh, por pa marrë parasyshë shumica e tyre veçëse kishin filluar të kthehen në shtëpitë e tyre.

Sipas informatave të tyre, 13,500 refugjatë shqiptarë etnik veçëse e kishin lëshuar Maqedoninë për në shtepitë e tyre në Kosovë, si dhe 37,000 refugjatët e tjerë e kishin lëshuar edhe Shqipërinë. Autoritetet  malazeze  kishin  raportuar  se  mbrenda shtetit të tyre tani ditëve të fundit kishin hyrë rreth 18,800 refugjatë nga Kosova. Sipas NATO-së mendohet se deri më tani 33,000 serbë prej popullatës së përgjithëshme të 150,000 serbëve, e kishin lëshuar Kosovën. Shumica prej tyre po largoheshin nga frika e hakmarrjes nga shqiptarët që kishin humbur pjesëtarët e familjeve të tyre, apo edhe mundë të kenë qenë të involvuar në krimet kundër fqinjëve të tyre të popullatës shqiptare.

Gjatë ditës së djeshme edhe Senati Amerikan e aprovoi ndihmën prej  $150 Milion ndihmë për rimëkëmbjen e Kosovës, kurëse në të njejtën kohë e shpalli Serbinë si shtet terrorist…

E shtunë, 19 qershor 1999

Njësisë tonë tani sa n’a u caktua që të shkojmë në qytetin e Gjilanit, për të mbikqyrë gjendjen në qytet dhe rrethinë. Pas marrjes së vendimit menjëherë u nisëm në drejtim të Gjilanit. Gjatë rrugës Ferizaj- Gjilan, duke kaluar përmes fshatrave të ndryshme në veçanti të atyre me popullatë shqiptare, takonim turma njerëzish të të gjitha moshave të cilët kishin dalë për rrethë rrugës kryesore, e të cilët posa n’a shihnin nga distanca me automjetet ushtrake, fillonin që të n’a përshëndesnin me duartrokitje dhe duke bërtitë: “NATO, NATO, NATO” e shpeshëherë edhe n’a gjuanin ndonjë tufë lulesh të freskëta!

Pritja ishte më madhështorja që kishim parë dhe përjetuar ndonjëherë, edhe meqenëse unë isha mjaftë i prekshëm nga këto pamje që po përjetonim. Shpeshherë më mbusheshin sytë me lotë kur i shihnja se me çfarë gëzimi po na prisnin, sepse edhe unë vetë i kisha parë dhe perjetuar dhimbjet e tyre të gjerëtanishme. Edhe unë kisha pjesëtarë të familjes në Kosovë dhe Maqedoni që n’a u kishin denuar dhe persekutuar nga regjimi fashist sllav të jugosllavisë.

Po edhe kolegë të mijë amerikan me të cilët ishim së bashku nga Maji 1999, atëherë kur po bënim dirigjimin e bombardimeve të aviacionit të NATO-së me ndihmën e vëzhguesve të UÇK-së dhe ndërmjetësit tonë Gjeneralit Kudusi Lama nga Kukësi i Shqipërisë, mbetën të mahnitur për këtë mikpritje. Po, sepse ata gjatë tërë karierës së tyre si profesionistë ushtarak nuk u kishte ndodhur diçka e tillë.

Njësisë së Forcave Speciale të Armatës Amerikane me të cilët bashkëpunoja unë, i sqarova arsyen se pse iu duan kaq shumë shqiptarët, dhe duke i këshilluar se nëse do të kemi sjellje korrekte me këtë popullatë të përvuajtur dhe maltretuar nga kriminelët serbë, nga këta njerëz do të kemi rrespektin më të madhë të jetës tonë! I tregova edhe për doket, traditat dhe bujarinë e popullit shqiptarë, i tregova se e kemi traditë që miqtë tanë t’i respektojmë dhe më tepër se veten, e në veçanti amerikanët të cilët u bënë inicuesit kryesorë që të ndërhyjë NATO-ja në çlirimin e Kosovës! Gjithëkund nga po shkonim pritjet tona na bëheshin me të vërtetë madhështore! N’a pritën saktë si çlirimtarë me duartrokitje gjithëandej ashtu siç priten forcat çlirimtare të vendit!

Me të arritur në Gjilan shkuam edhe ne dhe u vendosëm në Shkollën Fillore“ Abaz Ajeti”, e cila ishte një godinë dy katëshe e që ndodhej në pjesën dalëse të qytetit në rrugën për në Preshevë. Në atë shkollë gjetëm të vendosur pjesëtarët e Marinës Amerikane të cilët ishin vendosë në këtë objekt që nga 11 qershori 1999. Nga paqëruajtësit amerikan ishte Marina Amerikane e para që hyri në Kosovë, forcë e cila për shkak të lëvizjes së tyre më të lehtë. Ajo është edhe më tepër e përbërë nga forca të këmbësorisë, edhe armatim më të lehtë, ku ata edhe janë gati çdoherë forca e parë ushtarake që futen pas fitores së akcioneve luftarake. Marinsat Amerikan janë edhe si forcë pastruese para se të futen pjesa tjetër e Armatës Amerikane me armatim më të rëndë.

Gjatë kohës së qëndrimit tonë në këtë shkollë, nga radhët e Marinsave Amerikan njoftova edhe një të rijë shqiptarë që ishte i lindur në Teksas (Texas) të Amerikës, i cili kishte ardhë me njësinë e tij dhe po shërbente si pjesëtarë i sajë në Kosovë. Ky ushtarë i rijë shqiptaro amerikan i kishte prindët e ardhur në Amerikë nga Dibra e Maqedonisë. Gjatë bisedës me të, më tregoi se përderisa po patrollonin në fshatin Shillovë të Gjilanit, fshat me popullatë serbe, e aty ku edhe ishin përqendruar edhe shumë paramilitarë kriminel serbë nga lufta e Kosovës, pasi se ia shohin mbiemrin shqiptar këtijë marinsi amerikan, menjëherë ata përhapin fjalët se amerikanët tani në aradhat e tyre ushtarake në Kosovë kanë marrë edhe i kanë aktivizuar si pjesë të trye edhe pjesëtarët e UÇK-s, të cilëve tani ua paskan ndërruar vetëmse uniformat ushtarake!

Pas disa ditësh derisa ne po vizitonim fshatin Gorni Kuc të Gjilanit, fshat me popullatë serbe, gjate bisedës me popullatën lokale një serb i moshës së mesme m’u drejtua mua dhe më tha: “Ju të gjithë po thoni se keni ardhë nga Amerika si përkthyes, por në realitet deri para disa ditësh juve keni qenë pjesëtarë të UÇK’s, e tani amerikanët iu kanë marrë kinse përkthyes, por qëllimi kryesorë i tyre është për të na arrestuar neve serbëve më lehtë. Ju nuk jeni amerikan, sepse amerikanët nuk flasin serbisht dhe shqip!”

Në shkollën ku ne u vendosëm, neve na dhanë një klasë të zbrazët në fundë të koridorit të katit të dytë, pa kurrëfarë përzierje me njësinë e marinsave që ishin vendosur aty, për shkak se ne ishim degë e posaçme ushtarake, dhe kishim mision krejtë ndryshe nga ato! Pasi nxorrëm plaçkat tona nga makinat që kishim dhe i sollëm në klasën e veçantë, pak më vonë dolëm në qytet për të parë gjendjen e pasluftës, por edhe me qëllim që të blejmë disa gjëra ushqimore. Qyteti ende ishte i boshadisur dhe tejet i zbrazët, nuk kishte aq shumë njerëz rrugëve të qytetit! Shitoret posa kishin filluar të hapen, edhe ishin në një numër shumë të vogël, ishin hapur veçëse disa prej tyre! Shumica e shitoreve nëpër qytet kishin dritaret e thyera dhe dukeshin se ishin të plaçkitura tërësisht, edhe ato shitore që kishin filluar punën e tyre, gjithëandej shihej mungesa e ç’do produkti. Po mungonin edhe gjërat më elementare për jetesë. Nuk mundëm të gjenim askundë as krypë, e as sheqer, as vaj, e bile as bukë nuk mundëm me gjetë.

Në udhëtimet jashta bazës për ë qytet gjithënjë ishim me dy Hamvee (automjete ushtarake), ishte rregulli i komandës të shtabit qendrorë që për shkaqe sigurie gjithëmonë ishim të obliguar të udhëtonim së bashku nga dy automjete ushtarake. Gjatë daljes në qytetin e Gjilanit ne ishim në qendër të vëmendjes, dhe posa ndaleshim ndokund, menjëherë n’a rrethonin popullata lokale. Ndoshta edhe nga kurreshtja po edhe nga gëzimi dhe n’a shikonin dhe n’a përcillnin në ç’do hap tonin, si me pasë qenë yjet e filmit  të  Hollywood’it.  Secili  në  mënyrën  e  vetë mundoheshin  që  të  n’a  ndihmonin  për  çfarëdoe gjithëçka që po kërkonim.

Entuziazmi shtohej edhe shumë më tepër kur unë i flisja shqip dhe më shihnin në uniformën ushtarake amerikane! Në fillim mbeteshin të habitur edhe iu dukej e pabesueshme se si paskemi shqiptarë edhe mbrenda armatës amerikane.

Shpeshëherë pas përshëndetjeve, disa prej tyre nuk ngurronin që edhe të n’a jepnin përqafime duke na u faleminderuar dhe duke na thënë: “Ju jeni ata që na keni shpëtuar jetën, sepse ne veçëse kishim mbaruar dhe ishim të shkatërruar totalisht! ” Dhe pastaj ma pritnin menjëherë: “Po, prej nga të kemi ty o vëlla?”, në mënyrë modeste iu përgjigjesha: “Unë jamë prej Llojanit të Kumanovës, një fshat në mes të Preshevës dhe Kumanovës, jam Llojanas-amerikan”. Shumica prej tyre e dinin dhe kishin ndëgjuar për fshatin Llojan, i cili shtrihej buzë Kardakut të Kumanovës dhe  Preshevës, dhe shumë  kujtë Llojanasit i kishin dalë në ndihmë gjatë atyre kohërave të vështira nën pushtimin sllavë. –Tani mbrenda disa ditësh, më 21 qershor 1999 po bëja 20 vjet që kur kisha ikur për në Amerikë. Me vete po mendoja se do të kishte qenë mirë të festoja 20 vjetorin me familjen dhe shoqërinë time diku në Amerikë! Por, përsëri këtu ky do të n’a jetë manifestimi më i mirë dhe më dinjitoz i jetës time. Tani do të festojmë dhe çlirimin nga neofashistët gjakatarë sllavë, që për qindëra vite na kishin nxirë jetën neve shqiptarëve. Çlirimi i Kosovës ishte festa më e madhe që po përjetonim gjenerata jonë , tani jamë mëse i gëzuar sepse këtu tani edhe po shijojmë ditët e para të çlirimit të popullit shqiptarë si dhe shtetit më të rijë të Republikës së Kosovës!

Gjithëandej nëpër qytet hasëm në mikpritjet e përzemërta dhe madhështore, shpeshëherë nëpër shumë vende edhe n’a dhuroheshin pije freskuse pa i kërkuar, nga qytetarët e rëndomtë që kurrë nuk i kishim parë ndonjëherë! Me të vërtetë ishte kohë festive gjithëandej! Gjatë rrugës kaluam edhe nëpër lagjen e popullatës serbe ku ende kishin mbetur ca prej tyre, aty afër qendrës ku kishin kishën e tyre ortodokse. Serbët që takuam rrugës ishin që të gjithë të moshuar, dhe posa n’a shihnin neve dhe flamurin amerikan në shpatullat e uniformës së armatës amerikane, përmenjëherë e kthenin kokën në anën e kundërtë dhe lehtë vërehej dhe shihej në fytyrat e tyre një urrejtje e madhe që kishin ndaj nesh!

Eh, ashtu e ka jeta! Deri dje kanë maltretuar njerëzit e pafajshëm, e tani rrota historike u kthye për 360 shkallë, dhe më në fund shqiptarët do të qeverisin dhe vendosin për vetëveten! Gjatë bredhjes nëpër qytetin e Gjilanit, takuam edhe një grup të rinjësh që na u afruan dhe na përshëndetën, pastaj na treguan se gjatë kohës së bombardimeve kishin qendruar mbrenda në qytet! Sot ata të rinjë kishin planifikuar që ta festonin çlirimin e vendit të tyre diku afër në një lokal gjatë kësajë mbrëmjes dhe të cilët na u lutën sipas mundësive që kishim që edhe ne t’i bashkoheshim këtijë manifestimi e që po pritnin tani një kohë të gjatë. Bisedova me KapiteninWiggis, edhe i sqarova për ftesën e tyre dhe dëshirën e madhe që kishin këta të rinjë shqiptarë, që edhe ne t’i bashkoheshim atyre në manifestimin e çlirimit të Kosovës! Gjithashtu i sugurova kapitenit duke i thënë se gjithëçka do të jetë në rregull, edhe do t’i gëzonte pa masë këta të rinjë që na janë shumë mirënjohës. Gjithashtu edhe popullata lokale kur të na shofin apo edhe ndëgjojnë për pjesëmarrjen tonë në manifestimin e tyre, ky gjest i yni do t’i gëzojë pa masë! Kapiteni Wiggis pas një hezitimi në fillim, u pajtua me mendimin tim edhe e pranoi këtë propozim edhe pse ne për gjithëçka kishim kufizime, më tepër për shkak të sigurisë tonë sepse ende ishte kohë dhe gjendje lufte!

Gjatë kësajë kohe nëpër rrugët e Gjilanit ende po ndëgjohej ndonjë krismë e snajperistëve serbë që ende kishin mbetur në qytet, si dhe ndonjë mosmarrëveshje e zakonshme në mes të serbëve dhe shqiptarëve që ishin aty! Sulmeve të ndonjërit nga snajperistët serbë, në të gjitha rastet i ishin përgjigjur dhe shuar nga elita e Forcave të Marinsave Amerikan, të cilët po vëzhgonin të tëra pjesët e qytetit, dhe pas ç’do sulmi ata ishin të përmenjëhershëm në antisulm dhe ne likuidimin e tyre. Zgjidhje tjetër nuk kishte për momentin, veçëse arrestime ose vrasje. Rregullin e rijë në qytet shumë shpejtë e kuptuan kriminelët serbë, rregulli i cili ishte “Dorëzohu ose vdis”!

Para se me ra terri i mbrëmjes, njëri prej atijë grupi të të rinjëve gjilanas që kishim takuar më herët erdhi te shkolla ku ishim vendosë ne, për të na marrë dhe udhëheqë deri në lokalin e manifestimin e tyre. Para lokalit kur arritëm, pritja na u bë në mënyrë madhështore, me përqafime dhe në fytyrën e tyre shihej gëzimi nga shkuarja jonë atje. Menjëherë na drejtuan drejtë tavolinave që kishin bërë gati me plotë gjëra ushqimore për manifestim. Organizimi ishte bërë shumë mirë, ishte në një lokal të vogël me disa tavolina të bashkuara përmes restorantit, dhe të mbushura plotë me pije, sallatë me ushqime mishi në skarë, dhe për anash ishin karrigat ku zumë vend ne së bashku me këta Gjilanas të rinjë. Mbrëmja kaloi shumë mirë, me ushqim dhe pije dhe me rrëfimet dhe përjetimet e ndryshme të tyre gjatë kohës së luftës. Gjatë bisedës, kohë pas kohe vinin dhe na përqafonin nga gëzimi që edhe ne iu bashkangjitëm manifestimit, dhe duke na u faleminderuar për punën që kishim bërë si dhe për ardhjen tonë në këtë manifestim të tyre!

Me këta të rinjë u kënaqëm pa masë, takimi u bë sikurëse të ishim njohur me to për dekada të tëra! Në këtë manifestim qëndruam për 3-4 orë, dhe para se të dilnim nga lokali iu faleminderuam të gjithëve të pranishmëve që po ndanim këtë ditë gëzimi së bashku edhe me ne, si dhe për ftesën që na bënë këta të rinjë Gjilanas. Jashta lokalit ku ishim ne, ishte mbledhë turmë e madhe njerëzish dhe po na pritnin kur po dilnim, ishin njerëz të të gjitha moshave e që po na prisnin për të na përshëndetur, të cilët kishin zënë gati se të tërë rrugicën aty përpara. Me të dalë nga dera e lokalit që të gjithë si në mënyrë të organizuar, menjëherë filluan të na duartrokasin dhe filluan me refrenin tani të njohur për ne: “Nato, Nato, Nato”, ishte një përcjellje që kurrë nuk do ta harrojmë, diçka që vështirë se mundë të na përsëritet në këtë jetë! Faleminderit gjilanas!

Më 21 qershor fillon edhe plani i demobilizimit të pjesëtarëve të UÇK-së , e që po bëhej sipas marrëveshjes së UÇK’s dhe komandës së trupave paqëruajtëse të KFOR-it (NATO-së). Sipas marrëveshjes tani pjesëtarët e UÇK-së nuk mundë që të bredhnin rrugëve me armatim dhe uniforma të tyre ushtarake të UÇK-së.

Brenda këtyre ditësh pata disa takime me bashkëvendasit e mijë Llojanas e që tani po jetonin në qytetin e Gjilanit, të cilët i faleminderojë pa masë për kujdesin dhe respektin që treguan ndaj meje, e në veçanti Ismet Berishën i cili më kishte kërkuar disa herë, por me të cilin nuk pata fat që të takohemi.

Tani me ardhjen tonë në qytetin e Gjilanit, filluan edhe ftesat tjera nga njerëzit me të cilët njiheshim prej më herët, si edhe nga disa të pa njohur por në shenjë faleminderimi të forcave amerikane kishin shprehë dëshirën që të vijnë për të na ftuar në drekë apo darkë edhe në rrethin e tyre familjare!

Një rast tjetër i veçantë dhe mjaftë interesant, ishte kur gjatë bisedës që po bëja me popullatën lokale që na u kishin mbledhur për rreth nesh, para rrethojës së shkollës fillore ku ishim vendosë, e që gjithmonë shumica e të cilëve ishin fëmijë. Për derisa po bisedoja me një grup njerëzish, njëri prej tyre më pyeti se prej nga vijë unë? Unë iu përgjigja se: “Tani 20 vjet jetoj në Amerikë, por për ndryshe jam nga fshati Llojan i Kumanovës”. Kur thashë se jamë nga Llojani, një vajze e re që ishte në atë turmë para meje mu drejtua edhe më tha: “Ooo, ty të paskam dajë, sepse dajtë i kamë në Llojan”, meqenëse isha i nxanun në bisedë me të tjerët, atë nuk munda ta pyes se kush janë dajtë e sajë nga Llojani.

Pas një ore pas atijë takimi, për derisa unë isha mbrenda në dhomën tonë me grupin tim në mbrendi të shkollës ku po qëndronim, erdhi njëri nga rojet Marinsave Amerikan që po qëndronin në roje para shkollës ku ishim vendosë edhe më thotë se:“Te rrethoja ka ardhë një burrë në moshë që po ju njihke, dhe po iu kërkon juve që t’iu takojë te dyertë e hymjes së shkollës (aty ku kishim në rojën e rregullt 24 orëshe) dhe dëshiron të bisedojë me ty”. Para se u nisa për të dalë jashtë që ta takojë atë person, kapiteni Wiggis më tha të pres derisa ta urdhëron njërin nga kolegët tonë që të më shoqërojë jashta rrethojës së shkollës, unë ia ktheva: “Nuk ka nevojë të vijë kolegu sepse të dera është edhe trupa e rojës se Marinsave Amerikan”. Kapiteni ma ktheu: “Ti nuk bënë që të shkosh vetë, e në veçanti kur nuk e dinë se kush është ai person që po të pret jashtë! Më mirë është të na ndodhë neve ushtarakëve ndonjë e pa pritur se sa ty. Kjo është përgjegjësia jonë për njerëzit tanë, edhe se pa tjetër duhet që ndonjëri prej nesh që t’ju shoqërojë për derisa jeni jashta këtijë objekti, sepse ju duhet ta dini se në Kosovë ende kemi gjendje lufte”!

Kolegu im ushtarak u ngrite në këmbë mori armatimin edhe u bë sikurëse të nisej për në luftë. Veshi xhaketën anti plumb edhe armatimin, dhe së bashku dolëm për ta takuar ku personin që po më kërkonte mua. Para se të arrinim te porta, prej së largu menjëherë me ra në sy një person që po e njihja qyshë nga bankat e shkollës fillore në Llojan. Ishte mësuesi im i dashur që dikur e kisha pasë në shkollën fillore “Rilindja” të Llojanit, e ai ishte mësuesi im shumë i dashur dhe i respektuar, mësuesi i gjuhës shqipe Hysen Këqyku me të cilin nuk ishim parë apo dëgjuar për më tepër se 30 vite.

Me të dalë jashtë rrethojës u përshëndetëm me përqafime vëllazërore, i cili më njohu menjëherë, edhe më njoftoi se atij i kishte treguar e bija e tij (ajo bukuroshja që më tha se më paska dajë, që më tha se i kishte dajtë nga Llojani),vajza ime më tha: “Se na qenka një llojanas me forcat amerikane këtu në objektin e shkollës. Për atë vendosa që menjëherë të vijë t’ju shoh dhe t’ju takojë ”. Biseduam për njëkohë 10-15 min.sepse nuk doja ta lodhi edhe kolegun duke na bërë roje! Biseduam rreth jetës tonë se ku ishim ç’po bënim e kështu me rradhë, pastaj më pyeti se a kemi mundësi që unë me të gjithë grupin që po punoja, të shkojmë së bashku në drekë në shtëpinë e tijë, në pjesën tjetër të qytetit të Gjilanit? I thashë: “Sa për mua po me plotë dëshirë, por pikë sëpari me lejo të konsultohem me kolegët e mijë edhe ta pyes kapitenin se çka mendon, a do të pranojë apo jo, sepse kemi disa rregulla ushtarake që nuk na lejohen vizita jashta vendëqëndrimeve   ushtarake   për   shkak   të sigurisë! ”Me vrap hymë mbrenda me kolegun edhe në fillim i tregova kapitenit, se kush ishte personi i takimit edhe i tregova për ftesën e bërë për darkë nga mësuesi im i dikurshëm, para shumë vitesh. Pasi i tregova kapitenit ai më tha: “Po qëse ti e njeh mirë dhe ke besim në të, po shkojmë, por jo të gjithë, vetëmse disa prej nesh sepse për shkaqe sigurie dikush duhet të mbetet këtu”. U ktheva jashtë, atje ku ende po më priste mësues Hyseni për përgjigjen se çka do ti themi. I thashë se do të vijmë, edhe menjëherë e caktuam që do të shkonim të nesërmen për drekë, ku edhe ashtu vepruam. Të nesërmen unë me 6 pjesëtarët e Njësisë së Forcave Speciale të Armatës Amerikane shkuam në shtëpinë e mësuesit tim Hysenit, kurse kapiteni vendosi të rrijë i vetëm në vendëqëndrimin që kishim. Në arritje, në rrugën ku ishte shtëpia e mësuesit Hysen Këqyku. Pamë se aty kishin dalë që të na presin që të gjithë anëtarët e familjes së tijë. Me to ishte edhe një shok i imi, bashkëvendasi Destan Destani e tani edhe mik i mësuesit Hysen Kyqyku, si dhe bashkëshortja e tijë Qefserja një bashkëvendase e imja, e motra Destanit, si dhe fëmijët e tyre në mesin e të cilëve ishte edhe ajo bukuroshja që më tha se më kishte dajë e që i kishte treguar mësuesit tim!

Me mesues Hysenin njiheshim qyshë kur isha nxënësi i tijë në shkollën fillore “Rilindja” të Llojanit.

Kishim marrëdhënie shumë të mira mësues-nxënës! Gjatë asajë kohe unë isha nxënës shembullorë, kurse edhe mësuesi Hyseni ishte i zellshëm dhe një mësues shumë punëtorë, i cili pas orës së mësimit gjithënjë gjente kohë që të orgnizonte orë letrare për nxënësit poetë të rinjë e që donin të merreshin me shkrime. Gjatë asajë kohe si fëmijë, edhe unë kisha interes që të mirrem edhe me shkrime, kështuqë mësues Hyseni më ftoi t’i bashkangjitem grupit letrarë që ai e kishte formuar. Qyshë si i rinj merresha me shkrime, dhe imagjinoja që një ditë edhe unë të bëhem një poet apo shkrimtarë i njohur, sepse i lexoja dhe i pëlqeja pa masë shkrimet dhe veprimtarinë e rilindasëve shqiptarë si: Naim Frashërit, Gjergj Fishtës, Andon Zako Çajupit, Filip Shirokës, Asderinit e shumë e shumë të tjerëve.

Mikëpritja nga mësuses Hyseni me familjen në shtëpinë e tijë ishte shumë e mirë dhe e përzemërt. Dreka tradicionale që kishte gatuar për neve bashkëvendasja Qefserja, ishte fantastike, na kishte bërë gatimet perfekte me specialitete shqiptare. Na kishte bërë sofrën të mbushur me flijë, turshija e kos, ku pas këtyre drekën e përfunduam me ëmbëlsirë sheqerpare! Dreka ishte jashtëzakonisht e shijshme dhe e bukur për t’u parë, ushqim që mahniti edhe kolegët e mijë amerikan sepse kjo ishte hera e parë që ata po provonin specialitet shqiptare! Pas darke na bënë edhe çaj tradicional (Rusi, siç i thonim) të cilin e pëlqyen që të gjithë! E gjithë kjo do të mbetet një kujtim i bukur dhe që nuk do të harrohet kurrë nga ditët tona të para në Kosovën e Lirë!

Faleminderit mësuesi im i dashur Hysen, dhe iu faleminderit gjithë familjes Këqyku për këtë zemërgjersinë dhe mikëpritjen tuaj që treguat ndaj meje dhe kolegëve me të cilët po bashkëpunoja, për çka ju jemi mirënjohës përgjithë jetën!

E enjte 24 qershor 1999

Gjatë ditës së sotme njësia me të cilën po punoja bëmë lëvizjen nga shkolla e më herëshme ku kishim qenë me Marinën Amerkane, tani erdhëm në shkollën “Selami Hallaçi” ku aty ishin vendosur pjesëtarët e Armatës Amerikane, pjesë e së cilës ishte edhe njësia jonë e Forcave Speciale.

Më vonë dolëm në qytet rreth orës 13:00 pas dite, për derisa ishim duke shetitur rrugëve të qytetit po ndëgjohej jo shumë largë një zhurmë e madhe njerëzish, sikur po ndodhëte diçka atje nga qendra e qytetit. Nga kurreshtja jonë edhe ne u nisëm drejët asajë turme për të parë se ç’po ndodhte, ishim në afërsi mu para gjykatës së Gjilanit, aty ku para një kohe u gjykuan atdhedashësit më të mëdhenjë të kombit të këtijë rajoni nga shqipëfolësit dhe gjakëpirësit serbë, kurëse disa metra më largë në anën e kundërt të rrugës ishte shtatorja e përmasave shumë të mëdha të një mbreti “cari”serbë! Ishte një mbret që kishte bërë krime të pa numërta gjatë sundimit të tijë mbi popullatën e pa mbrojtur shqiptare e që më vonë ishte vu aty për t’i irituar shqiptarët e këtijë rajoni nga pushteti fashist sllav i Millosheviqit, edhe atë mu në qendër të qytetit!

Turma që ishte mbledhur aty, ishte mbledhur me qëllim për rrëzimin e këtijë monumenti famëkeq serbë, i cili po qëndronte si një therrë në syrin e kalimtarëve aty pari. Deri sa ne po shiqonim akcionin, disa nga turma e mbledhur në fillim ia hodhën litarin në qafë carit edhe filluan ta tërheqin me tërë forcën nga një anë në tjetrën por pa sukses! Siç dukej ai monument kishte zënë rrënjë edhe ishte tepër i përforcuar në beton, pothuajse njejtë sikurëse ishte okupimi sllav gjatë gjithë kësajë periudhe të këtyre tokave Arbërore.

Disa minuta më vonë aty iu afrua edhe një kamion (FAP /prodhim jugosllav) të cilit ia lidhën atë litarin që po e ngritnin turma e njerëzve e që ia kishin pasë lidhë në fyt carit serbë. Përnjëherë e tërhoqi dhe e nxorri nga bazamenti ku po qëndronte, i cili po më rikujtonte sikurëse gjakatarët paramilitaro ushtarak policorë serbë që t’i shkulim me rrënjë me bombardimet e njëpasnjëshme të aviacionit të NATO- së, e që i detyruam të tërhiqeshin dhe të largoheshin njëherë e përgjithmonë nga Kosova, si humbës klasik! Gjatë gjithë kohës ky akcion u shoqërua me bërtima dhe duartrokitje, dhe pas rrëzimit të carit serbë, mbrenda një kohe krejtë të shkurtër e gjithë turma u largua secili në drejtimin e tyre prej nga kishin ardhur aty. Gjithëçka u qetësua sikurëse aty të mos kishte ndodhur asgjë.

Pas përfundimit të këtijë akti, gjatë largimit nga ai vend njëri nga turma e njerëzve mu afrua mua, ishte një i rijë që ishte gazetarë i gazetës “Kosova Sot”, dhe mu lutë që të bëjë një intervistë me mua, mirëpo Kapiteni Wiggis m’u drejtua duke më thënë se: “Ne nuk kemi të drejtë të japim kurrëfarë interviste për cilindo qoftë, për shkaqe të marrëveshjes tonë politike të këtijë misioni dhe nuk është mirë që as ti të bësh një gjë të tillë! Tani me keqardhje e refuzova intervistën, duke ia bërë me dije se ishte për shkaqe të sigurisë së trupave paqëruajtës amerikan, edhe ashtu ngadalë u larguam për në vendë qëndrimin tonë në shkollën “Selami Hallaçi” të Gjilanit. (vijon).

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
NBA dhe NBPA nënshkruajnë një marrëveshje të re kolektive 7-vjeçare.…