Operacioni i përbashkët Shqipëri-Itali, arrestohen 11 persona për kokainë
Ka përfunduar operacioni policor i përbashkët Itali-Shqipëri, i koduar “ZAD”.
Ky aksion është zhvilluar për goditjen e një grupi kriminal që operonte në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike kokainë.
Me këtë rast, janë arrestuar në Itali e Shqipëri, 11 persona, dy prej të cilëve janë kapur në territorin shqiptar.
Në kuadër të operacionit policor ndërkombëtar të koduar “ZAD”, Policia e Shtetit ka përmbushur me sukses detyrimet e saj.
Si rezultat, gjatë orëve të para të mëngjesit, në Itali dhe Shqipëri është bërë ekzekutimi i 11 urdhrave të arrestit të lëshuara për pjesëtarët e një grupi kriminal në fushën e narkotikëve, nëntë prej të cilëve u kapën në Itali dhe dy në Shqipëri, raporton “TCh”.
Gjatë operacionit, nga Policia e Shtetit janë kapur shtetasit F. P., 32 vjeç, lindur në Shkodër dhe I.D, 49-vjeç, lindur në Cërrik.
Gjykata e Hetimeve Para-Gjyqësore në Pistoia, Itali, ka lëshuar urdhër-arreste për 11 persona, ndërmjet tyre edhe këta dy shtetas, për veprën penale “Posedim dhe kontrabandim i paligjshëm i drogave, kryesisht kokainë” kryer në bashkëpunim. Maksimumi i dënimit 20 vjet burgim.
Shtetasi F. P. ka luajtur rolin e tij si ndërmjetësues mes disa shtetasve shqiptarë të raportuar si blerës të pakove më kokainë, vepër penale të cilën e ka kryer në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ndërsa shtetasi I. D., duke vepruar në rolin e rishitësit të lëndës narkotike, në bashkëpunim me shtetas shqiptarë dhe italianë ishte përgjegjës për mbledhjen dhe nxjerrjen në shitje të pakove me kokainë, sasi e siguruar dhe e ruajtur nga shtetas të tjerë shqiptarë.
Policia e Shtetit është e vendosur që të bashkëpunojnë ngushtësisht me partnerët për të luftuar me ashpërsi krimin e organizuar dhe terrorizmin.