Operacioni në Krujë – sekuestrohen 145 kg kanabis, arrestohet kryeplaku i fshatit
Policia ka zhvilluar një operacion në Krujë, ku sekuestroi 145 kg lëndë narkotike në fshatin Nojë.
Për pasojë, është vënë në pranga kryeplaku i fshatit i identifikuar si H.M., 66 vjeç, i cili akuzohet për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e shtetasit B. S.(X)., 34 vjeç, banues në Nojë, Krujë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Armëmbajtje pa leje”.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në banesat e tyre, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi prej 145 kg lëndë narkotike cannabis sativa, gati për shitje, si dhe municion luftarak.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.
Operacioni policor i koduar “Noja” u zhvillua nga strukturat e DVP Durrës dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në bashkëpunim me strukturat e SHÇBA-së. /tch/