Operacioni “Qarku” në Shkodër, shkon në 33 numri i të arrestuarve
Ka shkuar në 33 numri i të arrestuarve në megaoperacionin e policisë së Shkodrës të koduar “Qarku”.
Policia bën me dije se në finalizimin e fazës së gjashtë të këtij megaoperacioni u arrestuan 7 persona ndërsa u shpallën në kërkim 5 të tjerë, autorë të dyshuar për kryerjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.
Blutë bëjnë me dije se në pranga kanë rënë, S. G., 43 vjeçe, E. P., 19 vjeç, E. P., 42 vjeç, të tre banues në Shkodër dhe M. Ç., 37 vjeç, banues në fshatin Grudë Fushë, Malësi e Madhe, E. G., 22 vjeç, L. P., 23 vjeç dhe K. F. 30 vjeç, të tre banues në Shkodër.
Tre të arrestuarit e fundit u kapën në aksin rrugor “Koman-Vau i Dejës”, teksa transportonin me një automjet tip “Benz”, 15 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Po ashtu në kuadër të megaoperacionit “Qarku”, u shpallën në kërkim shtetasit K. P., 24 vjeç dhe V. P., 20 vjeç, P. C. P. A., 31 vjeç dhe D. A., 32 vjeç (vëllezër), të dy banues në fshatin Bardhaj.
Nga veprimet hetimore në kuadër të megaoperacionit “Qarku”, rezultoi se këto të fundit janë gjithashtu të implikuar në veprimtaritë e kultivimit, përpunimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, raste të cilat janë goditur në kuadër të këtij megaoperacioni.
Policia ka sekuestruar 77 kilogramë kanabis, një armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe një sasi lënde narkotike kokainë, e ndarë në doza, gati për shitje, raporton euronewsal.