Operacioni sekret i evakuimit të shqiptarëve nga Izraeli, avioni mbërrin në Tiranë
Ka mbërritur në Shqipëri avioni me shqiptarë, që bëri të mundur evakuimin e tyre nga Izraeli, pas luftës e cila nisi ditën e djeshme mes Izraelit dhe Palestinës, që po vazhdon të rëndojë bilancin e viktimave, përfshirë dëmet e rënda në infrastrukturë.
Top Channel raporton se avioni i një kompanie shqiptare ka mbërritur paraditen e sotme në Izrael, ku dhe nisi udhëtimin drejt Tiranës në orën 16:00.
Ky avion charter ishte nisur nga aeroporti Tel Avivit “Ben Gurion”. Për momentin nuk jepen të dhëna sa është numri shqiptarëve në bordin e këtij fluturimi special Tel Aviv-Tiranë, për vetë ndjeshmërinë e çështjes.
Ky evakuim i shtetasve shqiptarë me këtë avion charter ndodh në një kohë, kur shumë kompani fluturimi kanë nisur anulimet e fluturimeve drejt Izraelit apo nga aeroportet e këtij vendi.
Qeveria izraelite deri më tani ka konfirmuar se numri i të vrarëve nga sulmi i Hamasit dhe përleshjeve me militantët palestinezë, është rritur në 600.
Kabineti i sigurisë së Izraelit gjithashtu deklaroi zyrtarisht gjendje lufte. Ky njoftim vjen teksa për të dytën ditë me radhë forcat izraelite po përleshen me militantët e Hamasit në pjesën jugore të shtetit. Ndërkaq, zyrtarët shëndetësorë palestinezë kanë thënë se numri i viktimave në Gaza është 313. Ushtria izraelite deklaroi sot se synon të evakuojë të gjithë izraelitët që jetojnë afër Rripit të Gazës brenda 24 orëve, përderisa ka dislokuar mijëra luftëtarë për t’u përballur me militantët e Hamasit, që janë infiltruar brenda Izraelit.