Operacioni ‘Tempulli 2’, goditen shtatë grupe kriminale dhe arrestohen 273 persona

22 janar 2024 | 13:52

273 persona janë  vënë nën prangat e Policisë së Shtetit, në fazën e dytë të operacionit “Tempulli 2”, i cili ka qenë i shtrirë në disa qytete të Shqipërisë, me fokus goditjen e shpërndarjes së drogës.

Në një prononcim për mediet nga gjimnazi “Sami Frashëri” në Tiranë, kreu i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, ka njoftuar e në total janë goditur anëtarët e shtatë grupeve kriminale që merreshin me shpërndarjen dhe tregtimin e lëndëve narkotike.

“Policia e Shtetit mbi bazë të një organizimi absolutisht profesional ka arritur që të finalizojë arrestimin, ndalimin dhe arrestimin në flagrancë, pra të tre nocionet, të 273 shtetasve. Janë sekuestruar një sërë provash materiale që dokumentojnë aktivitetin e tyre kriminal në drejtim të shpërndarjes dhe tregtimit të lëndëve narkotike… Mund t’ju themi që për këtë rast kemi të goditur anëtarët e shtatë grupeve kriminale”, ka thënë Rrumbullaku.

Ai ka theksuar se faza e dytë e operacionit nuk lidhet vetëm me shkollat, por me të gjitha zonat komunitare në të gjitha qytetet e Shqipërisë.

“Mund t’ju them se faza e dytë e operacionit, nuk lidhet vetëm me shkollat, por me të gjitha zonat komunitare të gjitha qyteteve të Shqipërisë, Tiranën, Durrësin, Shkodrën, Vlorën, Elbasanin, Korçën. Fokusi i Policisë së Shtetit, në drejtim të sigurimit të të rinjve, ka qenë goditja e këtij fenomeni në zonat e banimit të të gjithë adoleshentëve dhe problematikave të ndryshme që kanë adresuar qytetarët shqiptarë”, ka thënë ai.

Ndërsa ministri i Brendshëm Taulant Balla, ka thënë se në këtë fazë të dytë të operacionit është kapur një sasi e madhe lëndësh narkotike, si dhe janë sekuestruar shumë armë pa leje.

“Kemi arritur të realizojmë një fazë të dytë të operacionit kombëtar. Ka disa suksese në fakt, ku do nënvizoja se ka qenë një operacion i madh, por suksesi i parë lidhet me faktin që nuk kemi pasur asnjë rrjedhje informacione dhe numri i madh i urdhrave të ndalimit janë realizuar dhe ndërkohë që ne flasim, forcat e policisë janë në terren për të vijuar me punën. Jo pa qëllim jemi pranë një shkolle të mesme, se na duhet domosdoshmërisht ta rrisim prezencën tonë në territor për të garantuar sigurinë në shkolla. Dua të vlerësoj se edhe sasia e lëndëve narkotike është shumë e madhe, krahasuar me pritshmëritë, ndërkohë vazhdon puna jonë në luftën kundër armëmbajtjes pa leje. Kemi sekuestruar një numër të konsiderueshëm”, ka thënë Balla.

Po ashtu, ai ka theksuar se do të forcohet me ligj, pakoja e sigurisë në shkolla si dhe çdo formë e armëmbajtjes pa leje në vend. “Do fillojë dhe diskutimi publik. Do marrë fund dhe shqetësimi i krimeve në familje”, ka thënë Balla.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, ka…