Operohet Antetokounmpo, rrezikon Botërorin me Greqinë
Basketbollisti i Milwaukee Bucks, Giannis Antetokounmpo, është operuar në gjurin e majtë. Ai rrezikon të mos jetë me kombëtaren e Greqisë në botërorin që nis më 25 gusht, duke qenë në pikëpyetje edhe për fillimin e sezonit të ri të NBA.
Sipas medieve amerikane, Giannis ka marrë së fundi “OK” e stafit mjekësor të Bucks për t’u operuar, për të qenë në kohë për nisjen e sezonit të ri. Gjithsesi, klubi ka qenë në dyshim për të luajtur me kombëtaren helene, nga frika se mos dëmtimi rikthehet e rrezikon një ndalesë më të gjatë.
Një gjë është e sigurt, se Antetokoumpo nuk ka për të qenë në formën optimale nëse shkon në botëror dhe rrezikon shumë me një gju të operuar. Por ai dëshiron të dërgojë Greqinë në Olimpiadën e Parisit, ndaj dhe është gati të sakrifikojë. Në Evropianin e fundit, ai pati një mesatare prej 29.3 pikësh për ndeshje me kombëtaren. Mediet sqarojnë se operacioni në gju nuk ka qenë i vështirë, madje një “operacion rutinë”, por gjuri kërkon një periudhë të caktuar pushimi.
Greku, dy herë MVP i NBA-së dhe me një titull kampion me Milwaukee, vjet pati disa shqetësime me gjurin, duke luajtur 63 nga 82 ndeshjet e sezonit të rregullt.