Opinionisti shqiptar: Ndihem më i afërt me Goran Bregoviqin sesa me shqiptarët që i mban pengje nacionalizmi folklorik
Gazetari dhe analisti nga Shqipëria, Mustafa Nano, i ka dalë në mbrojtje shkuarjes së këngëtarit serb Goran Bregoviq në festën e birrës, i cili u ftua nga Bashkësia e Korçës e që u kundërshtua nga shumë qytetarë e artistë.
Nano nëpërmjet një reagimi të gjatë thotë se nëse Bregoviqi do të ishte antishqiptar nuk do e çonte në mendje të shkonte në Shqipëri e për këtë ai mund të vijë sa herë të dojë për sa kohë që ka njerëz që duan ta dëgjojnë, njofton Klankosova.tv.
“Disa njerëz nuk kanë gjetur një mënyrë më të mirë për të mbrojtur praninë e Goran Bregoviçit në Korçë, sesa të thonë që “Bregoviçi nuk është ashtu si mendohet”, që “nuk ka asnjë provë që ai ka qenë antishqiptar” etj., etj. Një mbrojtje e dobët, e ndrojtur, frikacake. Po ja, ta zëmë se ai ka thënë ndonjë gjë antishqiptare kohë më parë. Fakti që ai ka dëshirë të vijë në Shqipëri, do të thotë se nuk është më antishqiptar, se është penduar për ç’ka thënë. Po të ishte antishqiptar, as që do ta çonte në mendje të vinte këmbë në Shqipëri”.
Gazetari tutje flet edhe për kosovarët që sipas tij ngacmohen nga çdo gjë serbe teksa shton se edhe pse nuk e njeh mirë Bregoviqin ndihet më afër me të sesa me shqiptarët që janë pengje të nacionalizmit vulgar e foklkorik.
“Pastaj, ai mund të vijë sa herë të dojë, për sa kohë që në Shqipëri ka njerëz që duan ta dëgjojnë. Dhe në Shqipëri, dihet tanimë, ka plot njerëz që duan ta dëgjojnë. Si t’u themi këtyre të fundit? T’u themi “ta harrojnë Bregoviçin”, sepse kështu duan ca policë të mendimit e ca gardianë të medemek patriotizmit? Ne nuk mund të mbetemi pengje të një antisllavizmi të paketuar jetë e mot. Këtë të fundit e them në radhë të parë për shqiptarët e Kosovës, të cilët ngacmohen menjëherë nga çdo gjë serbe. Dhe nuk e kam fjalën thjesht për masën e madhe të kosovarëve”.
“E kam fjalën veçanërisht për një pjesë të elitës kosovare. Dy vetë, pjesëtarë të kësaj elite, kanë refuzuar para nja dy vitesh të vijnë në programin tim televiziv “Provokacija” për një arsye, që mua më la pa gojë. Sipas tyre, unë kisha zgjedhur një fjalë serbe për ta titulluar programin, dhe ata nuk ishin aq të pacipë sa të shkonin në një program që kishte për titull një fjalë serbe!!! Dhe të mendosh që ata nuk janë rapper-a 20-qindarkësh. Ata janë personalitete të rëndësishme të kulturës kosovare. Janë edhe figura institucionale. Mua me njerëz të tillë më ndan një hon i madh e i paanë”.
“T’ju them të drejtën, Bregoviçin nuk e njoh mirë (as si këngëtar nuk e njoh e nuk e ndjek), por mund ta them pa frikë se ndihem më afër me të sesa me ata shqiptarë që e lënë dhe e mbajnë veten pengje të një nacionalizmi kaq vulgar e folklorik” është shprehu Nano.