Opozita: Qeveria po tallet me misionet diplomatike
Dymbëdhjetë ambasadorë kanë dorëzuar detyrat të hënën pa lënë pasardhës. Për këtë shkak opozita ka akuzuar qeverinë për suspendimin e politikës së jashtme të Kosovës. Përfaqësuesit e partive opozitare kanë vlerësuar se lënia e 12 ambasadave pa titullarë është tallje me misionet diplomatike të vendit nëpër botë. Sipas tyre, kjo është papërgjegjësi e skajshme e Qeverisë së Kosovës
Muhamet KOCI
Një ditë më parë dymbëdhjetë ambasadorë të Kosovës kanë përfunduar misionet e tyre, pas vendimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës për ta liruar detyrën e ambasadorit. Ata nuk kanë pasur kujt t’ia dorëzojnë detyrën, pasi qeveria ende nuk ka vendosur për pasardhësit e tyre.
Në këtë mënyrë, disa nga ambasadat kanë mbetur me dyer të mbyllura. Për këtë shkak partitë opozitare kanë kritikuar qeverinë, duke thënë se po heq dorë nga politika e jashtme.
Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se Qeveria e Kosovës po tallet me misionet diplomatike të vendit në botë. “Ajo në fund të këtij muaji ka tërhequr 12 përfaqësues diplomatikë pa i zëvendësuar ata. Shumë prej misioneve dhe ambasadave të Kosovës kanë mbetur me dyer të mbyllura dhe jashtë funksionit. Kjo është papërgjegjësi e skajshme e qeverisë. Shfrytëzoj rastin që të përgëzoj të gjithë ambasadorët dhe të ngarkuarit me punë që u tërhoqën nga shërbimi, për punën e tyre të suksesshme dhe përfaqësimin me dinjitet të Kosovës në botë”, ka shkruar ai në profilin e vet në “Facebook”.
Ai i ka lavdëruar disa nga ish-ambasadorët. “Jo pa arsye veçoj ambasadorët Beqë Cufaj, Avni Arifi dhe Arbër Vllahiu me të cilët kam bashkëpunuar ngushtë dhe shpreh gjithë falënderimin tim për profesionalizmin e tyre në përfaqësimin dhe mbrojtjen e interesave të Kosovës në vendet respektive”, ka shkruar Haradinaj.
Ndërsa ish-ambasadorja e Kosovës në Uashington, tani nënkryetare e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka thënë se qeveria aktuale e ka suspenduar politikën e jashtme. Në profilin e vet në “Facebook”, ajo ka shkruar se nga hëna shumica e ambasadave të Republikës së Kosovës janë pa titullarë, pa shef misioni dhe pa të ngarkuar me punë. Ajo e ka quajtur këtë suspendim të politikës së jashtme papërgjegjësi të presidentes e të kryeministrit ndaj shtetit dhe mungesë konsiderate për shtetin nikoqir. “Nga sot shumica e ambasadave të Republikës së Kosovës janë pa titullarë, pa shef misioni dhe pa të ngarkuar me punë. Ka edhe ambasada të cilave u është vënë dryni. Kjo është papërgjegjësi totale ndaj shtetit. Ky është suspendim i politikës së jashtme. Qeveria dhe Presidenca kanë pasur mjaftueshëm kohë që t’i përzgjedhin ambasadorët. Nuk ka asnjë arsyetim. Papërgjegjësi ndaj shtetit dhe mungesë konsiderate për shtetin nikoqir. Në diplomaci, nëse e tërheq shefin e misionit, pa dërguar emrin e pasuesit, një shtet dërgon mesazh”, ka shkruar Çitaku.
Edhe nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shqipe Mjekiqi, ka shprehur shqetësimin e saj për disa ambasada të Kosovës të cilat kanë mbetur pa titullar. Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se ambasadat po mbesin bosh e qeveria po heshtë sikurse për çdo prioritet tjetër. “Këta të shkarkuar kthehen në shtëpi e ambasadat tona mbesin pa përfaqësim të nivelit të lartë, e disa edhe të mbyllura, në vendet si Shqipëri, Kroaci, Maqedoni e Veriut, Slloveni, Holandë, Australi e shumë vende të tjera që kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe i kanë hapur rrugë vendosjes së marrëdhënieve diplomatike menjëherë pas shpalljes së pavarësisë. Nuk ka vend këtu për kritikë për qeveritë e kaluara. Ambasadat mbesin bosh e qeveria hesht siç po hesht edhe për çdo ‘prioritet’ tjetër. Mbase nuk do të shohim më protesta nga anëtarët e kabinetit qeveritar, kësaj radhe pranë MPJ, në kërkim të emërimit të ambasadorëve të rinj”, ka shkruar ajo.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, ka miratuar më 19 maj propozimin e Qeverisë së Kosovës për lirim të këyre ambasadorëve. Procedurat ligjore për emërimin e ambasadorëve të rinj marrin kohë. Pas propozimit të Ministrisë̈ së Jashtme, që bëhet në koordinim me kryeministrin, emrat për ambasadorë dërgohen në Komisionin për Politikë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës. Ky komision pastaj i dërgon emrat në Presidencë, ku pason dekretimi nga ana e presidentit të Republikës. Por, procedura nuk përfundon me kaq. Shteti pranues duhet të japë pëlqimin për ambasadorin e ri, procedurë kjo që mund të marrë disa muaj kohë.