“Oportuna” Studentore: Qëllimi ynë, të jemi më pranë të rinjve me ide kreative
Organizata “Oportuna” Studentore (OST) është organizatë joqeveritare, e cila është themeluar në mars të vitit 2016, me qëllim të krijimit dhe zhvillimit të mundësive të reja për studentët në nevojë.
Kësaj organizate i ka dhënë përkrahje drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Januz Salihaj, i cili ka treguar se përkrahje do të jetë në zhvillimin e dy programeve të suksesshme me fëmijë në institucionet parashkollore dhe shkollore të Komunës së Prishtinës, si aktivitete të lira jashtë kurrikulare, duke parë rëndësinë e tyre në aspektin e integrimit të grupmoshave të reja në aktivitete inovative zhvillimore.
Sipas një njoftimi për medie, falë këtyre programeve organizata “Oportuna” Studentore ka arritur të grumbullojë fonde të mjaftueshme për rregullimin e qendrës së tyre në Prishtinë. “Tani ofrojnë trajnime të ndryshme për studentë dhe të rinj të Prishtinës, duke i ndihmuar ata nga ana sociale – financiare gjithashtu dhe intelektuale, duke i trajnuar ata për subjekte administrative të ndryshme. Njëherësh organizata OST ka filluar të krijojnë hapësira punuese për student në zhvillim dhe fuqizim të rinisë duke promovuar punën dhe idetë e tyre kreative”, është thënë në njoftimin e Organizatës “Oportuna” Studentore.
Drejtori i kësaj organizate, Qëndrim Lluka, ka vlerësuar përkrahjen e Drejtorisë së Arsimit të Komunës së Prishtinës, si një mundësi jo vetëm për OJQ-në “OST” por për të gjithë të rinjtë dhe studentët e Prishtinës, ku tani e kanë një portë të hapur për t’u inkuadruar në programe të ndryshme të zhvillimit, si në bazë të këshillimeve për karrierë gjithashtu edhe ne inkuadrim në programe të shkëmbimit dhe krijimit të vendeve të reja të punës.
Ai ka shtuar se Komuna e Prishtinës është shumë e hapur ndaj programeve inovative të zhvillimit, ku shihet qartë përkushtimi dhe serioziteti në rritjen e standardit të punës dhe shtyrjes së rinisë së Kosovës drejt progresit. “Gjithashtu puna e z. Salihaj, drejtorit të Arsimit në Komunën e Prishtinës, është një shembull konkret për mbështetje”, ka thënë ai.
Drejtori i organizatës “OST” së bashku me stafin e tij i kanë ndarë mirënjohje drejtorit të Arsimit në Komunën e Prishtinës, Jonus Salihaj, duke vlerësuar kontributin e tij në fuqizimin dhe zhvillimin e rinisë.
/Epoka e re/