Oportunizmi diplomatik është sjellje kapitulluese
Shkruan: Hajdin Abazi
Diplomacia është veprim proaktiv por i butë i një shteti, qoftë si prezantim, si afirmim e po ashtu edhe si mbrojtje e vlerave, rendit, sistemit dhe themeleve mbi të cilat është ngritur. Ndonëse e re, diplomacia kosovare ka shënuar disa arritje në të kaluarën, të cilat do të duhej të kishin krijuar një përvojë bazike për efikasitet reagues përmes mekanizmave diplomatik. Veprimtaria diplomatike, megjithëse konform koniukturave politike, vepron sipas prioriteteve për objektiva të caktuara, ajo nuk duhet t’i pasivizojë segmentet e tjera, por duhet t’i mbajë aktive dhe t’i vërë në veprim sipas nevojave. Duket qartë se “trinia+” kryeministri, kryekuvendari, presidentja + kryediplomatja, për shkak të agjendave të tjera dhe në emër të gjoja reformave strukturore, e kanë ngutësuar veprimtarinë e diplomacisë sonë deri në atë masë sa ajo të karakterizohet nga indiferenca, thua se është në një depresion politik, ose ndoshta është e orkesturar. Pikërisht kjo u manifestua në menyrë drastike këtyre ditëve, me heshtjen ndaj agresionit propagandistik të Serbisë kundër Kosovës.
Më saktë, Ministri i Brendshëm serb, Alekasnder Vulin, për të satën herë e përsëritë mohimin e masakrës së Reçakut, duke e aktualizuar këtë qëndrim edhe këtyre ditëve përmes ripohimit, me rastin e xhirimit të një filmi në të cilin pretendohet të demantohen masakrat e kryera nga forcat paramilitare, policore e ushtarake serbe anekënd Kosovës, me theks të posaçëm masakrën e Reçakut. Kjo qasje nuk është thjesht e një ministri serb, e edhe po të ishte ashtu përsëri do të duhej të mos injorohej; ajo është politikë shtetërore e Serbisë ndaj Kosovës, një linjë e mohimit të krimeve të luftës të kryera nga forcat agresore serbe në Kosovë.
Ndaj deklaratave të Vulinit reagoi SHBA dhe BE. Reagoi William Walker. Madje edhe ish-drejtoresha e Fondit për të Drejtat Humanitare në Serbi. Disi reagoi e para e shtetit, dhe atë shumë lodhtë. Kryeministri i pati reaguar Vulinit kur ai e quajti “budalla”, por nuk e tha asnjë fjalë të vetme kur i njëjti mohoi masakrën e Reçakut. As kryekuvendari, as kryediplomatja nuk folën. Do të duhej reaguar kjo “trini+”, secili më vete. Dhe përsëri nuk do të ishte mjaft, por do të duheshin edhe veprime të tjera diplomatike, sepse po mohohet një e vërtetë e dhembshme e popullit tonë.
”Trinia+” nuk janë aq naivë sa të mendojnë se e “vërteta flet vetë”. E vërteta flet vetë, po, veçse në kushtet kur ajo shprehet, artikulohet, prezantohet dhe tregohet e ritregohet aty ku ajo goditet. E vërteta e mposhtë gënjeshtrën me fuqinë e faktit, kur përballet me gënjeshtrën. Në aspektin e luftës çlirimtare të Kosovës askush, asnjë politikanë a burrështetar, nuk ka nevojë të thotë asgjë tjetër përveçse të vërtetën, ama kjo e vërtetë duhet të thuhet, të përsëritet e të rikujtohet qoftë si memorie kombëtare, historike a përkujtim viktimash, e sidomos kur ajo atakohet nga gënjeshtra serbe – atëherë ajo bëhet detyrë për të reaguar, për ta demantuar dhe për t’ia rifreskuar botës të vërtetën e shqiptarëve të Kosovës nën pushtimin serb e posaçërisht për krimet makabre të forcave serbe në vitet 1998-1999.
Serbia po e vazhdon traditën e saj shoviniste që politikën, historinë dhe realitetin ta mvesh me gënjeshtra, ashtu sikurse ka bërë gjithmonë. Në të kaluarën kjo i ka kryer punë, sepse atje ku ajo mbërrinte – marrëdhëniet me shtetet e tjera, takimet qeveritare, qarqet diplomatike, si dhe mediat në shërbim të politikës shoviniste – shqiptarët e Kosovës nuk arrinin dot, ndërkohë që Shqipëria komuniste nuk kishte kredibilitet te vendet e perëndimit jo se jo por as te vendet ku ishin në pushtet partitë komuniste asokohe nuk mund të ushtronte asnjë ndikim për faktin se ishte armiqësuar edhe me ta, pra me të dyja taborret, dhe ishte futur në vetizolim. Tash situata është ndryshe: Kosova është shtet, me qeveri e me ambasada jo të pakta; gjithashtu Shqipëria nuk është më komuniste po rend demokratik e pluripartist. Kosova dhe Shqipëria kanë të drejtë për të mbrojtur të vërtetën kombëtare, sepse në të dyja shtetet jetojnë shqiptarët që kanë një gjuhë, një flamur kombëtar, një histori, traditë dhe kulturë, pra jemi një komb, jo për ta sforcuar nacionalizmin por për ta treguar frymën tonë Euro-Atlantike, vlera këto që janë themelore për shqiptarët. Por kur hesht KM Kurti, nuk ke si i kërkon KM Rama që ai të reagoje, ndonëse ai e ka të drejtën si shqiptar ta thotë qëndrimin e vet në menyrë të përsëritur sa herë që e vërteta mohohet ose shtrembërohet, por me sa duket ai e ka të vështirë të reagojë edhe vetë e edhe si shtet për shkak se është kurthuar me qëndrimet për “Ballkanin e Hapur”, ndonëse kjo do të duhej ta bënte të kuptonte se Serbia nuk ka heqë dorë aspak nga politika kundër Kosovës dhe se ajo në një farë mënyre po e përdorë Shqipërinë për ta goditur Kosovën.
Mund të mendohet se një qasje e tillë e Serbisë është konservatore, arkaike, dhe ashtu është, mirëpo ajo po vepron, dhe me këtë janë dy mundësi: ose të heshtet ose të reagohet. Heshtja nuk është opsion, ose në fakt nuk do të duhej të ishte opsion, sepse i krijon favore Serbisë që ta plasojë gënjeshtrën si të vërtetë. Natyrshëm pritet nga të gjitha vendet që Kosova të reagojë, sepse ajo duhet ta demantojë e ta tregojë të vërtetën tragjike të masakrave përgjithësisht e të Reçakut posaçërisht. Kjo domethënë se opsioni i vetëm mbetet reagimi, reagimi jo thjesht sa për të thënë, por i fuqishëm, i mbështetur, i faktikuar dhe kësisoj për të treguar se politika e Serbisë jo vetëm nuk është penduar, nuk e pranon të vërtetën e krimeve që i ka kryer në Kosovë, nuk kërkon falje, po përkundrazi – vazhdon t’i mohojë masakrat e shumta dhe po investon për ta mashtruar botën duke e shtrembëruar të vërtetën e krimeve ndaj shqiptarëve të Kosovës, me çka ajo po përpiqet ta rehabilitojë politikën gjenocidale te gjakpirësit Sllobodan Millosheviç, vazhdimësi e së cilës është sot e kësaj dite.
Mosreagimi i KM Kurti, është shumë i çuditshëm, sepse, dashje padashje, ai po lë hapësirë për të lindur dyshime, sepse kur nuk reagon fuqishëm një kryeministër vendi, qarqe të ndryshme shtrojnë pikëpyetje sepse ngjallen mendime konfuze. Asnjë burrështetar nuk do të heshtte kur mohohet vuajtja e madhe e popullit të vet, secili do të reagonte ashpër e madje edhe me emocion. Pse po e bënë këtë “trinia+” në pushtet? Mendja po më shkon se mbase për shkak se ata kanë një perceptim tjetër për luftën çlirimtare, qëndrimin ndaj të cilës e kanë shprehur duke akuzuar për gjithçka ish-krerët e UÇK-së, dhe luftën çlirimtare nuk e konsiderojnë si vlerë të tyre për ta mbrojtur me fuqinë e duhur – ani se ajo është vlerë kombëtare.
Vetë reagimi i SHBA, i BE dhe i William Walker, janë tregues se Kosova duhet të reagojë, të reagojë zëshëm dhe ta mbrojë të vërtetën e saj, dhe me këtë ta mbrojë edhe intervenimin e vendeve Euro-Atlantike përmes NATO-s kundër Serbisë agresore dhe në mbrontje të shqiptarëve të Kosovës. Këto dy vlera janë të ndërthurura, gjë që e bënë Kosovën edhe më të lidhur me vendet Euro-Atlantike.
Muk është se Kosova nuk mundet të bëjë ndonjë gjë. Ajo mundet, ka dijen, faktet dhe përvojën e duhur për të reaguar. Mjafton të ketë edhe vullnetin politik nga “trinia+” , që diplomacia kosovare të zgjohet nga apatia dhe t’i demantojë gënjeshtrat serbe. Përderisa Serbia i bombardon vendet e ndryshme për gjithçka kundër Kosovës, Kosova duhet “flakë për flakë” t’i kundërpërgjigjet, sigurisht me deklarata e mjete diplomatike. Sepse mosreagimi ndaj agresionit diplomatik është si kapitullimi në kohë lufte.
MPJD mundet, fjala vjen, të dërgojë letra diplomatike përmes ambasadave të Republikës së Kosovës në të gjitha shtetet. Në këto letra diplomatike mund të tregohet shkurt plasimi i gënjeshtres serbe për të shtrembëruar të vërtetën historike, pastaj të tregohen fakte me të dhëna e foto e xhirime të masakrave, në fund të konstatohet se historia nuk mund të ndryshohet me gënjeshtra, por në vend të kësaj Serbia do të duhej t’u kërkojë falje shqiptarëve, të pranojë krimet e kryera dhe të njohë shtetin e Kosovës si realitet i ri, ashtu që ajo me këtë të tregojë se është shkëputur nga e kaluara gjenocidale e Serbisë.
Krahas kësaj do të mund të organizoheshin takime individuale me ambasadorë e diplomatë të vendeve të ndryshme, me prioritet vendet që mund të mos kenë informacionet e duhura për kohën e luftës, me të cilët do të diskutohej, tregohej për masakrat serbe dhe politikën serbe që edhe pas 23 vitesh të mohohet ajo, si dhe pasojat që ajo mund të sjellë, pasi që kjo tregon se Serbia është po aq agresore sa ishte edhe gjatë viteve 1998-1999.
Veprimet e këtilla kanë efektin e duhur diplomatik, sepse si letrat diplomatike si bisedat raportohen në qeveri dhe kështu mbahen të përditësuar dhe ju lehtësohet qëndrimi nëse do të kërkohet, ose duke qenë të informuar nuk do të bien pre e mashtrimit serb. Secili ambasador e madje edhe secili diplomat kosovar sado pak përvojë të ketë, e di se gënjeshtrat serbe duhet demantuar me fakte të cilat i kemi të shumta. Shpesh diplomatët e vendeve pritëse ose edhe ambasadorët e vendeve më të largëta dhe me resurse të kufizuara për të përcjellë zhvillimet midis Serbisë dhe Kosovës shprehin falënderime kur dërgohen letra diplomatike për t’i informuar, ose kur takohen nga ambasadorët e Kosovës për tema të caktuara, pasi që ata kanë nevojë të mbahen në rrjedha.
Këtë mundësi reagimi e ka Kosova, dhe mekanizmat diplomatik, si ambasadat, i ka. Nuk është vlerë heshtja diplomatike, as indiferenca ndaj sulmeve të vuajtjeve të popullit tënd, shtrembërimi ose dhe mohimi i gjenocidit dhe masakrave. Përkundrazi, ato shprehin neglizhencë diplomatike. E çka është më e keqja ato ngjallin konfuzitet politik te vendet e ndryshme lidhur me konceptet bazike të lirisë dhe shtetndërtimit të Kosovës, (heshtja, indiferenca institucionale) ndaj të cilave mund të shkaktojë luhatje, mëdyshje e mbase edhe dilema dhe t’u japin mundësi forcave të errëta në shtete të ndryshme të kërkojnë rishqyrtim të njohjes së pavarësisë së Kosovës. Pikërisht me këtë objektiv Serbia i plason gënjeshtrat si të vërteta, dhe pikërisht për këtë edhe Kosova duhet ta plasojë pa pushuar të vërtetën e saj. Nëse kjo nuk bëhet, është njëlloj lodhje e Kosovës, lodhje që jep sinjale dorëzimi. Këto janë sjellje kapitulluese në politikë e rrjedhimisht edhe në diplomaci.
Serbia luftën ndaj Kosovës kurrë nuk e ka ndalë. Po, luftën ushtarake e detyroi NATO-ja ta pushojë, por luftën politike, e në këtë rrafsh edhe luftën diplomatike, kurrë nuk e ka pushuar. Edhe Kosova duhet ta bëjë këtë luftë që ia imponon Serbia. Duhet ta bëjë sistematikisht. Kjo do të tregonte veprimin tonë aktivë dhe do të çmohej fort nga vendet mike në përgjithësi, e sidomos nga ato vende të largëta e që nuk janë fort në rrjedhë me zhvillimet në Kosovë dhe ndaj Kosovës. Po ashtu do të bënte kundërefektin ndaj diplomacisë serbe që përpiqet me gënjeshtra t’i manipulojë politikisht kundër Kosovës. Në anën tjetër, para vendeve të NATO-s do të tregohej Kosova e maturuar për të mbrojtur vlerat e veta, dhe njëherit për të treguar se falë intervenimit të NATO-s janë ndërprerë masakrat serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës. Kjo është e vërteta, pse të mos thuhet?
Qasja e heshtjes, e indiferencës dhe e mosreagimit nga “trinia+” e ka gjymtuar MPJD dhe diplomacinë kosovare. Me këtë po dëshmohet se “trinia+” nuk ka as përkushtimin e duhur, as dijen dhe as vullnetin politik që të kryejë detyrat themelore që i ka pushteti të cilin aq shumë e kanë lakmuar dhe tashmë e kanë. Të mos veprosh me tërë kapacitetin dhe me fuqinë politike përmes mekanizmave diplomatikë për të mbrojtur pastërtinë e të vërtetës të popullit tënd, është oportunizëm diplomatik, shumë i dëmshëm. Vendet mike, ato që na kanë njohur si shtet e meritojnë që shteti i Kosovës të jetë veprues, t’i mbrojë vlerat e veta kombëtare, të vërtetën historike, sepse kështu tregojmë se ne nuk bëjmë kompromis në kurriz të së vërtetës dhe se lirinë tonë e çmojmë dhe i dalim zot. Kjo do të çmohej diplomatikisht nga vendet njohëse dhe jo vetëm. Thuhet se heshtja vret. Edhe indiferenca vret. Të dyjat vrasin diplomatikisht. Prandaj, diplomacia kosovare nuk duhet të heshtë e as të jetë indiferente ndaj mohimit të tragjedive të popullit tonë, që gënjeshtra serbe mos t’i zërë vendin të vërtetës për masakrat e kryera nga serbët në Kosovë.