Opozita akuzon Qeverinë për moszbatimin e rezolutave
Në pesë legjislaturat e Kuvendit të Kosovës janë votuar një numër i madh i rezolutave që janë iniciuar nga vetë deputetë për çështje të ndryshme, por pothuajse asnjëherë këto rezoluta nuk kanë gjetur zbatim në praktik.
Kjo sipas shoqërisë civile po ndodhë sepse ekzekutivi nuk po i merr seriozisht këto dokumente që po dalin nga Kuvendi i Kosovës si organi më i lartë legjislativ në vend.
Për mos jetësimin e rezolutave të shumta, opozita po e akuzon Qeverinë, kurse pozita thotë se implementim i disa prej këtyre dokumenteve veçse ka nisur në praktik.
Disa nga këto rezoluta dhe që janë votuar asnjëherë nuk kanë gjetur zbatim, janë rezoluta për heqjen e roamingut në mes Kosovës dhe Shqipërisë, reduktimi i procedurave të përditshme të kalimit kufitar për bashkatdhetarët, rezoluta për gjendjen e Telekom-it, rezoluta për dhënie e shtesave të fëmijëve, rezoluta për ndotjen e ajrit, rezoluta e cila e parasheh që sektori i arsimit të bëhet prioritet nacional dhe shumë të tjera.
Deputetja e Lidhje Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, ka vlerësuar se Qeveria aktuale është duke i injoruar dokumentet e aprovuara në Kuvendin e Kosovë.
Sipas saj, ky kabinet qeveritar është shembulli më i keq që po e shkatërron funksioni mbikëqyrës që Kuvendi ka ndaj Qeverisë.
Se rezolutat që po votohen në Kuvend, po neglizhohen nga ministritë përkatëse dhe po ashtu nga vetë Qeveria, e ka thënë edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi.
Kurteshi ka konsideruar se Qeveria e Kosovë është e obliguar t’i respektojë vendimet e Kuvendit, për çka kërkoi insistim më të madh për jetësimin e rezolutave të votuara.
Kurteshi tha se ndonëse qysh në vitin 2017, përmes një rezolute është kërkuar që arsimi të bëhet prioritet nacional, por që ende nuk është ndërmarrë asnjë hap në këtë drejtim.Por për dallim nga deputetë e opozitës ndryshe po mendojnë ata të pozitës.
Ndërsa, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi ka thënë se me Qeverinë Haradinaj ka nisur jetësimi i rezolutave që kanë dal nga Kuvendi i Kosovë.
Si rast konkret ajo e ka përmendur rezolutën për Telekom-in për çka ka thënë se të gjitha pikat që i parasheh kjo rezolutë janë marrë parasysh nga Haradinaj.
Lidhur me moszbatimin në praktik të rezolutave që kanë dal nga Kuvendi i Kosovës, shoqëritë civile po konsideron se kjo po ndodhë për shkak të mungesës së një mendimi të përbashkët të deputetëve karshi çështjeve për të cilat janë ndërtuar ato rezoluta.
Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë se në Kosovë mungon kultura politike që do i ofronte mundësi Kuvendit që të merrej më shumë parasysh nga ekzekutivi. /Kosovapress/