Opozita dhe shoqëria civile kërkojnë nga Kurti ta publikojë marrëveshjen e arritur në Bruksel
Kosova dhe Serbia janë pajtuar që të heqin dorë nga lëshimi i dokumentit për hyrje-dalje për shtetasit e të dy vendeve. Mirëpo ende Qeveria e Kosovës nuk e ka publikuar këtë marrëveshje.
Për këtë ujdi me palën serbe, kryeministri Albin Kurti ka dhënë një deklaratë të shkurt në llogarinë e vet në “Facebook”.
“Qytetarët e Republikës së Kosovës, me dokumente identifikimi (ID) të lëshuara nga shteti ynë, do të mund të kalojnë pa pengesa, ngarkesa e vonesa kufirin me Serbinë në të gjitha vendkalimet kufitare. Njësoj do të vlejë edhe për kahjen e kundërt me rastin e hyrjes në Kosovë me dokumente identifikimi (ID) të lëshuara nga autoritetet e Serbisë”, ka shkruar Kurti, duke theksuar se fryma e bisedimeve parimore e të barabarta në Bruksel është reciprociteti. “Zgjidhjet normalizuese duhet ta kenë reciprocitetin përbrenda, teksa marrëdhëniet e mira fqinjësore e nënkuptojnë atë”, ka shkruar Kurti.
Ndërkaq zërat në Kosovë nga opozita dhe shoqëria civile janë rritur për mospublikimin e kësaj marrëveshje nga ana e qeverisë, raporton “Epoka e re”.
Ish-kryenegociatorja e dialogut Kosovë-Serbi, Edita Tahiri, ka pyetur qeverinë Kurti se pse nuk po publikohet teksti i marrëveshjes. “Marrëveshja për finalizimin e zbatimit të marrëveshjes për lëvizjen e lirë 2011 u arrit për letra shoqëruese, ajo e targave po pritet. Pyetja është pse nuk po publikohet teksti i kësaj marrëveshjes?”, ka shkruar Tahiri në llogarinë e vet në “Facebook”.
Edhe Petrit Zogaj, njohës i proceseve politike ka pritur që qeveria Kurti ta kishte bërë publike marrëveshjen e arritur.
Ai ka thënë se ka dy ditë që po flitet për një marrëveshje të arritur në mes Kosovës dhe Serbisë, por sipas tij, askush nuk e pa këtë marrëveshje. “Presidentja e kryeministri pak a shumë uruan për këtë marrëveshje. Thanë që ky është reciprociteti. Ana tjetër e politikes thanë që kjo marrëveshje nuk është asgjë tjetër pos ajo e vitit 2011. Mirëpo, askush nuk e pa këtë marrëveshje. Askush nuk e botoi. Qeveria jo se jo. Nuk doli asnjë draft i saj. Nuk u kuptua a është marrëveshja e vjetër apo diçka e re. U tha që u arrit marrëveshja, nuk thanë që u nënshkrua.
Nuk thanë as që a do të nënshkruhet, as nga kush apo kur. Nëse është nënshkruar, nuk u tha nga kush dhe kur ndodhi një gjë e tillë. Me një fjalë, asgjë nuk u botua e nuk u konfirmua. Por ama, nga ana e pushtetit, kjo marrëveshje u festua”, ka shkruar Zogaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Sipas tij, ndërkaq partitë opozitare duket se janë të zëna me tjera probleme, disa me pjesëmarrje në dasma e syneti, e të tjerat me klube nate.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hisen Berisha, ka kërkuar që të publikohet marrëveshja për dokumentet e arritur në mes të kryeministrit Albin Kurti me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.
Ai ka thënë se derisa në opinion nuk ka një dokumente të nënshkruar, marrëveshjen Kurti-Vuçiq do ta quan të ngjashme me atë të Ahmet Zogut dhe Nikolla Pashiqit. “Përderisa nuk ka në opinion një dokument të shkruar dhe të nënshkruar midis palëve në bisedimet Kosovë – Serbi me ndërmjetësimin e BE-së dhe të lehtësuar nga Escobari, e vlerësojë këtë ‘marrëveshje’ të ngjashme me marrëveshjen e Ahmet Zogut me Nikolla Pashiqin! Pala ndërmjetësuese duhet ta publikojë tekstin e marrëveshjes ose duhet ta ndërpresë mashtrimin e opinionit. Është joseriozitet, flasin për marrëveshje, pa tekstin e dokumentit! Ku po vemi?”, ka shkruar Berisha në llogarinë e vet në “Facebook”.
E ish-ministrja Melihate Tërmkolli, e cila për disa mandate ka qenë deputete e Kuvendit të Kosovës, është ndalur fillimisht të ftesa e Kurtit për takim me liderët e opozitës dhe pastaj ka reaguar edhe për mospublikimin e marrëveshjes së arritur me Serbinë për dokumentet. “Me opozitën duhet takime e takime para marrëveshjeve, madje edhe grup i përbashkët negociues për marrëveshjen finale dhe jo takime ‘informative’, ‘post festum’. Eventualisht, ndoshta kryeministri Kurti ua tregon ndonjë letër të ‘marrëveshjes për dokumentet’ të cilën askush nuk po e sheh!. Përndryshe informatat për bisedime i ka bërë publike Vuçiqi të nesërmen e takimit në Bruksel”, ka shkruar Tërmkolli në llogarinë e saj në “Facebook”.
Kjo marrëveshje e lëvizjes së lirë për qytetarët e dyja vendeve është arritur në vitin 2011 në kuadër të dialogut në Bruksel.
Anëtari i Kryesisë se PDK-së, Betim Gjoshi, ka thënë se sot Albin Kurti dhe Vetëvendosje po gëzohen shumë që po arrijnë t’i zbatojnë marrëveshjet e Hashim Thaçit.
“Ky nuk është sukses, por mjerim për Kosovën dhe vitet e humbura për shkak të një njeriu – Albin Kurtit. Për një dekadë i ka mashtruar e gënjyer qytetarët e Kosovës duke iu thënë se në Bruksel po nënshkruhen akte tradhtie kundër Republikës së Kosovës. Kurse sot krenohet duke thënë se asnjë pikë dhe asnjë presje nuk ua heq marrëveshjeve të Hashim Thaçit”, ka deklaruar Gjoshi. /Epoka e re/