Opozita dhe shoqëria civile kundërshtojnë shtyrjen e zgjedhjeve lokale

07 shtator 2021 | 17:50

Përfaqësuesit e partive opozitare dhe shoqërisë civile kanë kundërshtuar idenë për mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve lokale të 17 tetorit. Ata kanë bërë me dije se Lëvizja Vetëvendosje është duke iu frikësuar këtyre zgjedhjeve dhe ka hedhur në publik idenë e shtyrjes së tyre.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se askush nuk bën t’i shtyjë zgjedhjet lokale. “Askush s’guxon t’i shtyjë zgjedhjet. Askush s’guxon ta prekë demokracinë. Numrat zgjedhorë nga terreni, që po i shohim e ndiejmë të gjithë, duket se kanë tmerruar pushtetin e paaftë për të qeverisur mirë. Prandaj dhe flirton me idenë e shtyrjes së zgjedhjeve, si masë e fundit dëshpëruese për parandalimin e rrënimit politik që po e pret. Shtyrja e zgjedhjeve është masë e paprecedentë, jodemokratike e ngufatëse ndaj ushtrimit të vullnetit qytetar, mjetit të vetëm të lirë që ky pushtet s’e kontrollon dot”, ka shkruar Abdixhiku në profilin e vet në “Facebook”.

Ai ka treguar se lideri i LV-së, Albin Kurti, ende nuk i është përgjigjur propozimit të tij për shkurtimin e fushatës zgjedhore. “Këtë arrogancë edhe e pranoj – po i duket vetja i paprekshëm; por prekjen e fundamentit demokratik, të zgjedhjeve, as nuk e pranojmë, as s’e tolerojmë e as s’e durojmë. KQZ-ja është gati. Gati për organizimin shembullor të ushtrimit të vullnetit qytetar. Zgjedhjet në pandemi, më 14 shkurt e pa asnjë vaksinë, tashmë një herë janë mbajtur, prandaj dhe mund të mbahen sërish. Me masa, me distancë, me mirorganizim. Fushata duhet të shkurtohet e tubimet duhen të zvogëlohen. Por, mbi të gjitha, qeveria duhet të punojë në detyrën e vetme që ka: luftimin e pandemisë. Tendenca destabilizuese në vend është luks tani”, ka theksuar Abdixhiku.

Ai ka ftuar të gjitha partitë opozitare, shoqërinë civile, mediat dhe botën akademike që të rreshtohen në një front refuzues ndaj tendencës për t’i prekur zgjedhjet si themel i demokracisë.

Edhe Partia Demokratike e Kosovës ka kundërshtuar këtë ide. Zëdhënësi i kësaj partie, Faton Abdullahu, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se zgjedhjet nuk duhet të mbahen në mënyrë konvencionale dhe me tubime të njerëzve. “Ne si Parti Demokratike e Kosovës nuk jemi që zgjedhjet lokale të shtyhen. Ato duhet të mbahen në kohën kur janë planifikuar. Mirëpo, zgjedhjet e tetorit nuk duhet të mbahen në mënyrë konvencionale, me tubime e grupime të njerëzve, por duhet që në mënyrë strikte të respektohen masat dhe rekomandimet e IKShPK-së. Nëse duhet, në përputhje me gjendjen në terren dhe rekomandimet e institucioneve përgjegjëse, ato masa duhet të ndryshohen e plotësohen”, ka deklaruar Abdullahu.

Ai ka thënë se qeveria aktuale me mosveprimet e saj është bërë rrezik për qytetin dhe shumë procese të tjera.

“Në anën tjetër, nëse arsyetimi për shtyrjen e zgjedhjeve është se me këtë mbrohet shëndeti i qytetarëve, gjë që është, atëherë është e vështirë, në të vërtetë krejt e pamundur, për t’i besuar kësaj mendësie, tashmë institucionale politike. Me veprime, përkatësisht me mosveprime, tash e një kohë, kjo qeverisje ka krijuar gjendjen në terren e cila thjesht është bërë alarmante dhe e rrezikshme për jetën e qytetarëve të Kosovës dhe, për fat të keq, edhe për shumë procese e zhvillime, sidomos në fushën e arsimit”, është shprehur zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu.

Nënkryetari i AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë për “Epokën e re” se kush e përkrah idenë e shtyrjes së zgjedhjeve të 17 tetorit i frikësohet disfatës.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka një qëndrim shumë të saktë mbi këtë çështje të shprehur me letër përgjigjen e kryetarit z. Haradinaj dërguar z. Abdixhiku. Jemi për çdo variant që zvogëlon fushatën dhe i ndalon tubimet me qytetarë, por në asnjë formë shtyrjen e zgjedhjeve dhe dëmtimin e demokracisë. Kush ka këto pretendime ka përllogaritur mundësitë e disfatës në zgjedhje dhe ka për qëllim blerjen e kohës për të tentuar devijimin e rezultatit zgjedhor”, ka thënë Lekaj.

Nuk ka asnjë arsye për shtyrje të zgjedhjeve

As analistët politikë dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile nuk janë pajtuar me idenë e shtyrjes së zgjedhjeve lokale.

Sipas tyre, nuk ka asnjë arsye për shtyrje të zgjedhjeve të 17 tetorit.

Analisti politik Albert Krasniqi ka vlerësuar se është mirë kur politikanët tregohen të ndjeshëm ndaj shëndetit të qytetarëve por, sipas tij, këtë ndjeshmëri LV-ja nuk e kishte për zgjedhjet e 14 shkurtit. “LV-ja paska hedhur në publik idenë e shtyrjes së zgjedhjeve lokale, me pretekstin se mund të përkeqësohet situata me pandeminë. Është mirë kur politikanët tregohen të ndjeshëm ndaj shëndetit të qytetarëve, por këtë ndjeshmëri nuk e kemi parë në zgjedhjet e 14 shkurtit kur ftonin qytetarët të merrnin pjesë në marshe masive të fushatës zgjedhore. Atëherë mund të jenë ndier më afër pushtetit. Sot, kur me gjasë numrat nuk po dalin mirë për zgjedhjet lokale, përnjëherë shqetësohen për shëndetin publik”, ka shkruar Krasniqi në profilin e vet në “Facebook”.

Ai ka bërë me dije se shtyrja e zgjedhjeve nuk e fsheh paaftësinë e qeverisë për t’u përballur me pandeminë. “Një gjë duhet pasur parasysh se shtyrja e zgjedhjeve nuk e fsheh paaftësinë, papërgjegjësinë dhe pandjeshmërinë e shpërfaqur nga kjo qeveri në gjithë situatën me pandeminë. Përtej kufizimeve ligjore për shtyrje të zgjedhjeve, nuk është as e nevojshme. E tërë çfarë duhet të bëhet është shkurtimi i fushatës zgjedhore në marrëveshje me të gjitha paritë politike. Gjatë kësaj periudhe të shkurtuar të fushatës të mos lejohen tubime publike përmbi numrin e lejuar nga IKShPK-ja, dhe që secili aktivitet publik i fushatës të monitorohet nga inspektorët për respektimin e masave”, ka shkruar Krasniqi.

Kurse Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka thënë se shtyrja e zgjedhjeve nuk duhet të jetë fare opsion që duhet diskutuar. “Në vend të shtyrjes së zgjedhjeve ose shkurtimit të periudhës së fushatës, duhet që të kufizohet lloji i aktiviteteve të fushatës, duke mos lejuar numër të madh të qytetarëve në tubime, apo duke i ndaluar tërësisht ato. Sepse ato paraqesin problemin kryesor. Mjafton vetëm të organizohen më shumë debate televizive, e fushata të orientohet nëpër rrjete sociale dhe platforma të tjera të komunikimit elektronik”, ka shkruar Cakolli në llogarinë e vet në “Facebook”.

Ai ka kujtuar marsin e vitit 2020 kur ishin shtyrë zgjedhjet për Podujevën dhe Mitrovicën e Veriut por, sipas tij, në atë kohë nuk kishte pasur njohuri për virusin. “Kur në mars të vitit 2020 ishte marrë vendimi për shtyrjen e zgjedhjeve në Podujevë e pastaj në Mitrovicë të Veriut, kjo ishte bërë sepse as nuk e njihnim virusin, as nuk dinim si të mbroheshim prej tij, e as nuk kishim protokolle për mbajtjen e zgjedhjeve në kohë pandemie. Në atë kohë madje ishim në e mesin e dhjetëra shteteve që i kishin shtyrë zgjedhjet për shkak të pandemisë”, ka shtuar Cakolli.

Reagimi i opozitës dhe shoqërisë civile ka ardhur pasi kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, gjatë një interviste ka deklaruar se për shkak të gjendjes së rëndë të pandemisë do të duhej të shtyhej mbajtja e zgjedhjeve deri në një kohë më të favorshme.

(Muhamet Koci / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) me aftësitë dhe kapacitetet…