Opozita duhet të bashkëpunojë për ta çuar vendin në zgjedhje të reja
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë se partitë opozitare duhet të bashkëpunojnë ndërmjet vete për ta krijuar rrugën që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se LDK-ja do të bashkëpunojë me Lëvizjen Vetëvendosje për zgjedhje të reja dhe për qeverisje të mirë të vendit.
Mustafa ka theksuar se ky koalicion qeverisës është duke e dëmtuar vendin dhe po rrezikon stabilitetin buxhetor.
Ai ka thënë se Kuvendi nuk po funksionon në rrethana normale, kurse Qeveria po merr vendime arbitrare.
Mustafa ka folur edhe për veprimet që po ndërmerr deputetja Teuta Rugova në favor të kësaj qeverie.
Ai ka thënë se deputetja Rugova duhet t’ia sqarojë vetvetes se çfarë përfaqëson në Kuvendin e Kosovës.
“Ajo është deputete e LDK-së dhe e asnjë liste tjetër”, ka thënë Mustafa. Duke e komentuar idenë për korrigjimin e kufijve, ai ka thënë se idetë e tilla janë të rrezikshme.
(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e së shtunën të gazetës “Epoka e re”)