Opozita duhet të marrë përgjegjësi në dialogun me Serbinë
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Agim Veliu, ka bërë me dije se në fazën finale të dialogut me Serbinë duhet t’i marrë përgjegjësitë që i takojnë edhe opozitës. Ai ka thënë se ky është një proces madhor, i cili nuk i takon vetëm një subjekti politik.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Veliu ka deklaruar se, përveç institucioneve kushtetuese, një rol të jashtëzakonshëm duhet ta kenë të gjitha subjektet opozitare.
“Kjo është një prej çështjeve madhore që e kemi diskutuar në tryezë bashkërisht. Siç po duket, kjo faza e fundit e dialogut final do të jetë një proces jo i lehtë për Kosovën. Ne si LDK edhe në këtë aspekt kemi qenë të hapur të diskutojmë në mënyrë që përgjegjësinë ta marrin edhe institucionet kushtetuese në bazë të përgjegjësive që kanë, por një rol të jashtëzakonshëm në këtë proces ta luajë edhe gjithë opozita”, ka thënë Veliu.
Ai ka deklaruar se LDK-së nuk i intereson shumë se kush do ta udhëheqë këtë proces. “Duke pasur parasysh se LDK-ja është parti institucionaliste, ne nuk lidhemi shumë me emra dhe nuk bisedojmë shumë për emra. Ne mendojmë që secili institucion në Kosovë duhet ta luajë rolin e vet dhe duhet ta marrë përgjegjësinë që i takon në bazë të ligjeve dhe kushtetutës”, ka thënë Veliu.
Nënkryetari i LDK-së ka folur edhe për tryezat e subjekteve politike të organizuara deri më tani. Sipas Veliut, qëllimi i LDK-së me këto tryeza ka qenë që të gjendet një konsensus nacional për tema të mëdha dhe të caktohet data e zgjedhjeve të parakohshme.
“Ne si LDK i kemi ofruar koalicionit qeverisës mbështetje në këto çështje që janë madhore për Kosovën, por ne nuk kemi gatishmëri t’i bëjmë argat ditor Qeverisë. Pra, gatishmëria jonë ka qenë t’i ofrojmë mundësi Qeverisë t’i kryejmë temat e mëdha dhe ta dimë datën e zgjedhjeve të reja, sepse vetëm me zgjedhje të reja mund të legjitimohet një qeverisje tjetër e Kosovës”, është shprehur Veliu, duke paralajmëruar se nëse nuk do të arrihet konsensus, LDK-ja do ta ngrehë mocion mosbesimi ndaj Qeverisë.
“Nuk është çështja e guximit këtu. Është çështje e asaj që ju thashë më herët, se ne ende nuk kemi ndryshuar qëndrim si LDK. Ne ende i japim përparësi mundësisë së gjetjes së një konsensusi kombëtar. Mirëpo, në momentin që vlerësojmë se nuk ka gatishmëri për konsensus, atëherë ne sigurisht se do ta ndërmarrim hapin tjetër”, ka thënë Veliu.
“Epoka e re”: Z. Veliu, deri më tani janë mbajtur tri tryeza të partive politike në të cilat është diskutuar mundësia e gjetjes së një konsensusi politik për temat e mëdha. Cila është përshtypja juaj nga këto tryeza, meqenëse keni marrë pjesë në to?
Veliu: LDK-ja ka iniciuar organizimin e tryezave të partive politike parlamentare dhe joparlamentare, me qëllim që vendin ta nxjerrim nga kriza institucionale dhe politike. Vlerësimi ka qenë se vendi është në një krizë të thellë institucionale dhe politike. Me anë të këtyre tryezave kemi synuar t’i ofrojmë mundësi koalicionit qeverisës dhe qytetarëve të Kosovës, që ta funksionalizojmë qeverisjen për disa çështje të cilat si LDK i kemi vlerësuar se janë të rëndësisë nacionale. Deri më tani janë mbajtur tri tryeza. E para është mbajtur nga LDK-ja, e dyta nga PDK-ja, e treta nga LV-ja. Deri këtu përshtypjet për këto tryeza janë pozitive, sepse kemi diskutuar hapur për çështjet që janë me interes për Kosovën.
“Epoka e re”: Në bazë të asaj që është thënë në këto tryeza, besoni se mund të arrihet ndonjë konsensus kombëtar për çështjet që janë diskutuar?
Veliu: Ne kemi besuar se mund ta arrijmë një konsensus të përbashkët për temat e karakterit kombëtar. Ne si LDK këto çështje i kemi biseduar edhe në kryesi të partisë, pastaj kemi dashur t’i japim përparësi një konsensusi të subjekteve politike, duke përfshirë koalicionin qeverisës, në mënyrë që ta nxjerrim vendin nga kriza, por me qëllim që ta caktojmë edhe datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Si LDK i kemi ofruar koalicionit qeverisës mbështetje në çështjet madhore për Kosovën, por nuk kemi gatishmëri t’i bëjmë argat ditor Qeverisë. Pra, gatishmëria jonë ka qenë t’i ofrojmë mundësi Qeverisë t’i kryejmë temat e mëdha dhe ta dimë datën e zgjedhjeve të reja, sepse vetëm me zgjedhje të reja mund të legjitimohet një qeverisje tjetër e Kosovës.
“Epoka e re”: Partnerët e koalicionit qeverisës e kanë kundërshtuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja të cilat po i kërkon opozita. Me këto qëndrime të kundërta sa mund të shkohet drejt ndonjë konsensus kombëtar për temat e tjera?
Veliu: Deri më tani kemi dallim vetëm sa iu përket zgjedhjeve të reja. Mirëpo, me një vullnet të të gjitha subjekteve politike, unë mendoj se duhet të gjendet një kompromis që të bëhet një zgjidhje e kësaj nyje. Përndryshe, nëse nuk arrijmë një pajtim, ne mund të shkojmë tutje me hapa të tjerë.
“Epoka e re”: Që i bie se do të ngrini mocion mosbesimi ndaj Qeverisë?
Veliu: Po, sigurisht. Atëherë ne do të bisedojmë me të gjitha subjektet politike në mënyrë që t’i bëjmë votat e nevojshme për rrëzimin e Qeverisë.
“Epoka e re”: Në opinion po shihet sikur opozita nuk po ka guxim të iniciojë mocion mosbesimi ndaj Qeverisë ngaqë nuk i ka numrat e mjaftueshëm?
Veliu: Nuk është çështja e guximit këtu. Është çështje e asaj që ju thashë më herët se ne ende nuk kemi ndryshuar qëndrim si LDK. Ne ende i japim përparësi mundësisë së gjetjes së një konsensusi kombëtar. Mirëpo, në momentin që vlerësojmë se nuk ka gatishmëri për konsensus, atëherë sigurisht se do ta ndërmarrim hapin tjetër.
“Epoka e re”: Një çështje që është diskutuar në këto tryeza ka qenë edhe ajo e fazës finale të dialogut me Serbinë. Cili është qëndrim i LDK-së rreth kësaj çështje?
Veliu: Kjo është një prej çështjeve madhore që e kemi diskutuar në tryezë bashkërisht. Siç po duket, kjo faza e fundit e dialogut final do të jetë një proces jo i lehtë për Kosovën. Ne si LDK edhe në këtë aspekt kemi qenë të hapur të diskutojmë në mënyrë që përgjegjësinë ta marrin edhe institucionet kushtetuese në bazë të përgjegjësive që kanë, por një rol të jashtëzakonshëm në këtë proces ta luajë edhe gjithë opozita.
“Epoka e re”: Pra, LDK-ja është e gatshme t’i marrë përgjegjësit që i takojnë në procesin e dialogut me Serbinë?
Veliu: Duke mos i ditur ende të gjitha detajet rreth këtij procesi, ne ende në kryesi nuk e kemi diskutuar dhe nuk kemi qëndrim definitiv sa i takon kësaj çështje.
“Epoka e re”: Platforma e Qeverisë për këtë fazë të dialogut, e cila shumë shpejt do të diskutohet në Kuvend, parasheh që udhëheqës i këtij procesi të jetë presidenti Hashim Thaçi. E përkrah LDK-ja këtë propozim?
Veliu: Duke pasur parasysh se LDK-ja është parti institucionaliste, ne nuk lidhemi shumë me emra dhe nuk bisedojmë shumë për emra. Ne mendojmë se secili institucion në Kosovë duhet ta luajë rolin e vet dhe duhet ta marrë përgjegjësinë që i takon në bazë të ligjeve dhe kushtetutës.
“Epoka e re”: Është thënë në medie se ka një përçarje brenda LDK-së rreth kësaj çështje. Disa zyrtarë të kësaj partie e përkrahin propozimin që presidenti të jetë udhëheqës i këtij procesi, kurse disa të tjerë e kanë kundërshtuar një gjë të tillë?
Veliu: Nuk ka asnjë përçarje brenda LDK-së për këtë çështje. Fillimisht, ne në LDK i diskutojmë këto çështje dhe në fazë të diskutimit secili individ është i lirë ta japë mendimin e vet. Mirëpo, në fazën kur ne e ndërtojmë qëndrimin dhe e bëjmë si qëndrim zyrtar, atëherë LDK-ja e respekton në tërësi atë qëndrim. Kjo për LDK-në nuk paraqet ndonjë shqetësim.
Muhamet KOCI