Opozita e bojkoton edhe raportimin e ministres Haxhiu
Partitë opozitare e kanë bojkotuar edhe Komisionin për Integrim Evropian, ku pritet të raporton ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se deri në themelimin e Komisionit Hetimor do të vazhdojë bojkoti i kësaj partie.
Ajo ka thënë se me këtë qasje arrogante të qeverisë nuk do të bëhen pjesë e miratimit të asnjë projektligji.
“Po flas në emër të PDK, ne nuk do të marrim pjesë në projektligje derisa nuk formohet Komisioni Hetimor. Dje ka dështuar të miratohet një komision i tillë. Mendojmë që është arrogancë e pushtetit. Me këtë qasje arrogante të qeverisë nuk do të bëhemi pjesë e miratimit të asnjë projektligji për t’i hapur rrugë komisionit hetimor sepse është e drejtë kushtetuese”, ka thënë ajo.
Se do ta bojkotojnë këtë raportim e ka thënë edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj.
“Besoj që ky komision nuk plotëson kushtet dhe nuk votojmë projektligje derisa të formohet komisioni hetimor. Ta përfundojmë këtë mbledhje”, ka thënë Kadrijaj.
Ndonëse e quajti të padrejtë këtë vendim të opozitës, deputeti i LV-së, Agon Batusha, ka thënë se për Komisionin Hetimor do të flasin shefat e grupeve parlamentare. /EO/