Opozita e quan mashtrim rritjen e pagave
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se nga janari i vitit të ardhshëm pritet të ketë rritje të pagave për sektorin publik. Ai bëri të ditur se kjo rritje do të bëhet në dy faza.
Por kjo rritje e pagave në prag të zgjedhjeve është kritikuar nga partitë opozitare dhe sindikatat, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Kurti në një konferencë për media ka thënë se nga janari do të jetë një pjesë e rritjes së pagave, e nga korriku i 2025-s do të jetë pjesa e dytë e rritjes. Kurti tha se për të gjithë të punësuarit në sektorin publik, nga janari pagat do të rriten për 55 euro, e nga korriku i vitit 2025 rritja do të jetë për 110 euro.
Kurti tha se kjo po bëhet për t’i mbështetur ata që kanë paga më të ulëta. Shefi i ekzekutivit tha se në këtë mënyrë zvogëlohet edhe më tej hendeku në mes të pagës më lartë dhe asaj më të ulët. Ai shpjegoi se për mësuesin, policin, infermierin zjarrfikësin, ushtarin rritje në përqindje do të jetë nga 18 deri në 20 për qind, kurse për pozitat më të larta rritja në përqindje do të jetë 6 deri në 7 për qind.
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se njoftimi për rritjen e pagave në sektorin publik nga janari i vitit të ardhshëm, “nuk i mbulon dështimet në ekonomi dhe rënien e standardit të jetesës”.
Madje sipas tij, kjo rritje e premtuar nga Qeveria, është shumë e vogël për të sanuar nivelin e varfërisë, raporton gazeta online Reporteri.net.
“Kjo rritje e premtuar është tejet e vogël për të sanuar sado pak nivelin e varfërisë së ekonomive familjare i cili është rezultat i rritjes së çmimeve të produkteve, çmimit të energjisë elektrike, rritjes së tatimit në pronë dhe politikave të gabuara që kjo qeveri i ka miratuar”, ka shkruar Tahiri në Facebook.
Ndër të tjera, Tahiri ka përmendur edhe zgjedhjet e 9 shkurtit, për të cilat tha se kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, sa ishte ministër i Financave, kishte rritur pagat në përqindje më të madhe.
Tahiri ka thënë se koha e përparimit dhe ndryshimit po vjen, duke iu referuar zgjedhjeve të ardhshme.
“Ndërkaq, në kohën kur financat e shtetit i menaxhonte Bedri Hamza, asokohe Minister financash, ne pak muaj Kryeministri i ardhshëm i Kosovës, i rriti pagat e mjekëve 87%, të arsimtarëve 89% pagat e infermierëve 133%, pagat e policëve 139% dhe të gjitha kategorive të tjera shoqërore. Në të njëjtën kohë, pa marrë asnjë cent borxh, kemi ndërtuar dy autostrada që kanë transformuar vendin, kemi sjellur investitorë të medhenj në aeroport dhe energjetikë dhe kemi zvogëluar papunësinë për 30%. Këto nuk janë statistika propagandistike. Të gjithë qytetarët i mbajnë ne mend rritjet e pagave nga Bedri Hamza, në qeveritë e udhëhequra nga Kryeministri Thaçi. Koha e premtimeve të kesaj qeverie në shkuarje ka kaluar. Koha e përparimit dhe ndryshimit po vjen me 9 shkurt”, ka shtuar Tahiri.
Përë këtë ka reaguar edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku ka thënë se në “javën e parë të qeverisjes së tij”, koeficientin e pagave do ta bëjë 150 euro, raporton gazeta online Reporteri.net.
“Po e përsëris, që në javën e parë të qeverisjes sime, koeficienti i pagave do të bëhet 150 euro! Ndryshimi po vjen!”, ka shkruar Abdixhiku.
Edhe shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, në një konferencë të thirrur për media, këtë “premtim” të Qeverisë e ka quajtur mashtrim dhe skandaloz.
“GP i AAK ka thirrur këtë konferencë për shkak të se konferenca e kryeministrit ka qenë komunikimi më i rëndësishëm për 80 mijë shërbyes civil. Gjithë ne kemi prit që t’i duartrokasim për rritjen e vlerës së koefocientit. Në esencë është skandaloze, në përmbajtje është mashtrim dhe dështim”, ka deklaruar Tahiri para gazetarëve
Ndërkaq, Rrahman Jasharaj, kryetar i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës të Kosovës (SBASHK) ka thënë se kanë kërkuar ngritje të pagës qysh në shtator dhe se ngritja e paralajmëruar për në janar është e papranueshme.
Gjatë ditës, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nga viti 2025 do të ketë rritje të pagave në sektorin publik. Ai tha para medieve të martën se një zyrtar publik që aktualisht e ka koeficientin e pagës 5.6, në janar do t’i bëhet 6.1 e në korrik 6.6, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Të gjithë të punësuarve në sektorin publik pagat do të rriten 55 euro nga janari dhe 110 euro nga korriku. Kostoja e plotë vjetore e kësaj rritje do të jetë 120 milionë euro”, ka deklaruar Kurti.
Lidhur me këtë kreu i SBASHK-ut në takimin diskutues të organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ku u publikua raporti “Mungesa e Kontratave Kolektive – Dështimi për të siguruar dialog social dhe mbrojtje kolektive të punëtorëve”, tha se kjo rritje është e papranueshme.
“Sa i takon rritjes, ne nuk kemi kurrgjë zyrtare, mirëpo kemi insistuar nga zotëri Kurti dhe Murati që ngritja të jetë në shtatorin që iku, të jetë së paku në këtë tetor dhe të jetë së paku 30%. Sepse ngritjet që u bënë në fillim të këtij viti nga 105-110 ishin ironike, ngase në arsimin parauniversitar siguruan një rritje 28 euro dhe unë po them njeriu turpnohet me i kallëzu një shteti fqinj sepse një pjesë të shteteve nuk i kemi fort miq. E çka don me i thanë dikujt na e rriti shteti 28 euro pagën, kur në shtetet tjera ka arrit te 900 e te 1 mijëshi. Kjo rritja në janar e ato janë sikur në Pejë që janë do fjalë “a po m’i jep do sende veresi”. Në janar çkado që bëhet është fushatë dhe një ngritje e tillë tash me shku me 50 euro me 20 euro është jo e pranueshme për ne”, tha Jasharaj.
Ai tha se do të insistojnë për ngritje së paku 30% duke e pasur parasysh ngritjen e çmimeve, sipas tij këto “50 euro” janë sikur t’i ketë në xhepin e tij dhe se të tillat nuk do ia marrin. Tha se kryeministri është dashur ta bëjë ngritjen që nga tetori.
“Mungon dialogu dhe komunikimi, zonja Nagavci është dashtë të komunikojë me ne drejtpërdrejt sepse ne jemi ata që në emër të anëtarësisë e kemi dorëzuar draftin e Kontratës. Deklarata e saj se s’ka kontratë, matematikisht i bie që shumë lehtë mund të ketë veprime sindikale dhe fajtore do të jetë zonja Nagavci”, tha Jasharaj.
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), së bashku me Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) dhe me Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës të Kosovës (SBASHK), me përkrahje të National Endoëment for Democracy (NED), të martën (29 tetor 2024 organizuan takim diskutues dhe publikuan raportin: “Mungesa e Kontratave Kolektive – Dështimi për të siguruar dialog social dhe mbrojtje kolektive të punëtorëve”. Reporteri.net.