![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2020/07/Seanca-Kuvendi.jpg)
Opozita i qet kushte qeverisë për ta votuar në shtator Projektligjin për rimëkëmbje ekonomike
Projektligji për rimëkëmbjen ekonomike që më parë ka dështuar të votohet në Kuvend do t’iu paraqitet përsëri deputetëve për votim pas pushimeve.
Por, nga opozita kanë thënë se nëse nuk bëhen ndryshimet e kërkuara ai projektligj nuk do të votohet.
Këshilltari për medie në Zyrën e Kryeministrit, Xhavit Beqiri, ka konfirmuar në “RTV Dukagjini” se ndër temat e para në Kuvend do të jetë Projektligji për rimëkëmbje ekonomike.
Megjithatë projektligji në fjalë përsëri ka rrezik të mos votohet nëse nuk ndryshohet nga opozita.
Zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyqi ka thënë se propozimi i qeverisë duhet të jetë gjithëpërfshirës.
“Propozimi duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe duhet të mbulojë mangësitë dhe gabimet që kjo qeveri i ka bërë deri më tani me ekonominë e sidomos me sektorin privat. Pra vota e PDK-vë varet nga cilësia e propozimit që bënë Qeveria Hoti për rimëkëmbjen ekonomike”, ka thënë Bytyqi në “RTV Dukagjini”.
Ndërsa deputeti i LV-së, Hekuran Murati, ka thënë se edhe ky projektligj tregon se qeveria nuk ka legjitimitet të qeverisë pasi sipas tij nuk i ka votat për të qeverisur.
Në seancën kur është hedhur në votim Projektligji për rimëkëmbjen ekonomike, në sallë kanë votuar vetëm 43 deputetë.