Opozita ka mbetur pa tema, prandaj po përmend mocionin
Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala, nuk e shesh serioze iniciativën e opozitës për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë aktuale.
Ai ka thënë se tani opozita ka mbetur pa tema dhe po përpiqet që nëpërmjet mocionit ta tërheqë vëmendjen e opinionit publik.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Shala ka treguar se përmes këtij mocioni subjektet opozitare po përpiqen të tregojnë se kanë bërë diçka në gjashtëmujorin e parë të këtij viti.
“Qeveria aktuale është duke i realizuar disa kauza të mëdha dhe po shihet se tani opozita ka mbetur pa tema. Tani për të krijuar tema për opinion, opozita ka ndërmarrë këtë iniciativë. Besoj se kjo është arsyeja pse pikërisht tani opozita ka menduar për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë. Pra, opozita dëshiron të tregojë se ka bërë diçka në gjashtëmujorin e parë të këtij viti. Deri më tani opozita është vetëm në kundërshtim të temave dhe nuk është e gatshme të ballafaqohet me temat me të cilat ballafaqohet vendi”, ka thënë Shala.
Ai ka treguar se deri më tani ende nuk ka parë diçka konkrete nga opozita për këtë çështje. Sipas Shalës, opozita duhet të tregojë se pse po dëshiron rrëzimin e qeverisë.
“Derisa nuk kam parë asgjë të shkruar nga opozita, unë nuk po shoh këtë si ndonjë iniciativë serioze nga ana e opozitës për rrëzimin e qeverisë. Në momentin që shoh diçka konkrete, ndonjë shkresë që iu ka drejtuar grupit tonë parlamentar, ndoshta mund të them diçka më konkrete. Mendoj se opozita duhet të japë sqarime më shumë pse është koha për ta rrëzuar qeverinë”, është shprehur Shala.
Deputeti i Nismës beson se qeveria po funksionon si duhet dhe se nuk ka arsye për mocion mosbesimi.
“Besoj se deri më tani është duke funksionuar si duhet koalicioni qeverisës. Ajo që duhet bërë është se si spektër politik duhet të jemi të bashkuar për çështje kombëtare. Do të duhej që për temat kombëtare, si për dialogun, opozita të na bashkohej. Për këto tema edhe ajo ka përgjegjësi ndaj elektoratit të vet. Sa iu përket punëve të përditshme, besoj se qeveria aktuale është duke funksionuar jashtëzakonisht mirë”, është shprehur ai.
Sipas Shalës, nuk pritet të ketë zgjedhje të reja këtë vit. “Siç po shihet, qeveria është duke funksionuar. Kurdo që qeveria nuk është duke e bërë punën e duhur, atëherë pse mos t’i ndërpritet mandati. Se sa do të qeverisë kjo qeveri nuk mund ta di. Nuk besoj se vendi mund të shkojë së shpejti në zgjedhje të reja. Besoj se gjatë vitit 2019 nuk do të ketë zgjedhje”, ka thënë Shala.
“Epoka e re”: Z. Shala, subjektet opozitare tashmë i kanë mbledhur nënshkrimet e deputetëve të tyre për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë. Si e keni parë këtë iniciativë?
Shala: Opozita ka të drejtë ta ngritë mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë nëse arrin t’i mbledhë votat e nevojshme. Pra, është e drejtë e saj legjitime, por ne ende nuk kemi parë asgjë të shkruar rreth kësaj iniciative pse dëshiron ta rrëzojë këtë qeveri. Ajo që kemi parë deri më tani janë vetëm lajmet nëpër media, se opozita është duke u koordinuar dhe duke i mbledhur nënshkrimet për rrëzimin e qeverisë. Deri më tani te Nisma askush nuk ka ardhur të kërkojë ndonjë nënshkrim. Aq sa di unë, askush nuk na ka kontaktuar për këtë çështje ani pse, siç dihet, asaj i nevojiten edhe votat e pozitës për ta rrëzuar këtë qeveri.
“Epoka e re”: Sa serioze e shihni këtë iniciativë të opozitës? A mund ta rrezikojë kjo qeverinë?
Shala: Derisa nuk kam parë asgjë të shkruar nga opozita, unë nuk po shoh këtë si ndonjë iniciativë serioze nga ana e opozitës për rrëzimin e qeverisë. Në momentin që shoh diçka konkrete, ndonjë shkresë që iu ka drejtuar grupit tonë parlamentar, ndoshta mund të them diçka më konkrete. Mendoj se opozita duhet të japë sqarime më shumë pse është koha për ta rrëzuar qeverinë.
“Epoka e re”: Përveç liderëve opozitarë për këtë çështje janë takuar edhe shefat e grupeve parlamentare të opozitës për ta harmonizuar tekstin e mocionit. Pse mendoni se pikërisht tash këtë po e bën opozita?
Shala: Intensiteti i qeverisë në dialogun me Serbinë është duke u rritur. Qeveria aktuale është duke i realizuar disa kauza të mëdha dhe po shihet se tani opozita ka mbetur pa tema. Për të krijuar tema për opinion, opozita ka ndërmarrë këtë iniciativë. Besoj se kjo është arsyeja pse pikërisht tani opozita ka menduar për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë. Pra, opozita dëshiron të tregojë se ka bërë diçka në këtë gjashtëmujorin e parë të këtij viti. Deri më tani opozita është vetëm në kundërshtim të temave dhe nuk është e gatshme të ballafaqohet me temat me të cilat ballafaqohet vendi.
“Epoka e re”: Synimi i opozitës është që për rrëzim të qeverisë t’i marrë edhe disa vota të deputetëve nga koalicioni qeverisës. Mund të pritet që ndokush prej deputetëve të pozitës t’i bëjë argat opozitës në këtë rast?
Shala: Nuk e di se çka mund të bëjnë të tjerët. Nëse dikush ka ndonjë arsye për rrëzimin e qeverisë, ndoshta mund ta japë votën. Përderisa ende nuk kemi parë diçka konkrete nuk di çka të them për këtë çështje.
“Epoka e re”: Mirëpo deputeti i koalicionit qeverisës, Milaim Zeka, ka thënë se do t’ia japë votën opozitës për ta rrëzuar qeverinë. E ka seriozisht z. Zeka?
Shala: Nuk e di se kur e ka seriozisht e kur nuk e ka seriozisht Milaimi. Por, po e përsëris, të shohim se çka po prezanton opozita në Kuvend.
“Epoka e re”: Ju po thoni se koalicioni qeverisës po i kryen disa punë të mëdha për vendin, por opozita është mjaft kritike ndaj punës së kësaj qeverie. Sipas jush, po funksionon si duhet koalicioni qeverisës?
Shala: Besoj se deri më tani është duke funksionuar si duhet koalicioni qeverisës. Ajo që duhet bërë është se si spektër politik duhet të jemi të bashkuar për çështje kombëtare. Do të duhej që për temat kombëtare, si për dialogun, opozita të na bashkohej. Për këto tema edhe ajo ka përgjegjësi ndaj elektoratit të vet. Sa iu përket punëve të përditshme, besoj se qeveria aktuale është duke funksionuar jashtëzakonisht mirë.
“Epoka e re”: Por, edhe vetë koalicioni qeverisës nuk ka qenë shumë i bashkuar për çështjen e taksës. A i kanë tejkaluar këto dallime partnerët e koalicionit qeverisës?
Shala: Besoj se koalicioni qeverisës ka qenë unik rreth taksës ndaj mallrave serbe, sepse taksa në qeveri është votuar nga të gjithë partnerët e koalicionit qeverisës. Dhe asnjëherë taksa më nuk është kthyer në kabinetin qeveritar për t’u hequr. Përderisa nuk kemi një veprim të tillë, mendoj se i gjithë koalicioni qeverisës është pro taksës. Ndërsa deklarimet e ndryshme publike për këtë çështje mund të jenë mendime të liderëve të caktuar politikë. Mirëpo si qeveri mendoj se jemi unikë në raport me taksën ndaj mallrave serbe.
“Epoka e re”: Prej fillimit të këtij koalicioni qeverisës është përmendur mundësia e zgjedhjeve të reja. Mund të kemi zgjedhje të reja në këtë vit?
Shala: Siç po shihet, qeveria është duke funksionuar. Kurdo që qeveria nuk është duke e bërë punën e duhur, atëherë pse mos t’i ndërpritet mandati. Se sa do të qeverisë kjo qeveri nuk mund ta di. Nuk besoj se vendi mund të shkojë së shpejti në zgjedhje të reja. Besoj se gjatë vitit 2019 nuk do të ketë zgjedhje.
Muhamet KOCI