Opozita kërkon përjashtimin e Ramës nga Kuvendi
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), Monika Kryemadhi, e ka quajtur fyerje për shqiptarët deklaratën e kryeministri Edi Rama se nuk kishte pse të negociohej me Kosovën për tarifën në Rrugën e Kombit.
“Edi Rama dhe oborri i tij arrogant, të mbyllur në kullat e oligarkëve nuk e kuptojnë që sot shqiptarët janë ngritur kundër regjimit skllavërues që ai po instalon. Fjala e tij para shqiptarëve ishte jo vetëm një fyerje që u bëhet banorëve të Kukësit, por edhe një shprehje e qartë e antikombëtarizmit të tij që i trajton kosovarët si klientë të pazareve të oligarkëve të tij”, ka deklaruar Kryemadhi.
Ajo në një konferencë për medie, ka thënë se opozita distancohet nga ky vendim i kryeministrit Rama.
Madje, Kryemadhi ka bërë me dije se opozita e bashkuar do të dorëzojë në Kuvend kërkesën për përjashtimin e kryeministrit Rama nga ky institucion.
“Sot distancohemi dhe dënojmë me forcë deklaratën e tij, fjalorin e tij vulgar prej rrugaçi dhe përçmimin për shqiptarët e Kosovës, ndaj do të kërkojmë përjashtimin e kryeministrit nga Parlamenti për këto shfaqje të shëmtuara. Qëndrimi ynë do të jetë vendimmarrje në funksion të mënyrës së sjelljes së këtij kryeministri”, ka thënë Monika Kryemadhi.