Opozita kërkon seancë të jashtëzakonshme për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare
Duke pas parasysh mosfunksionimin normal të Kuvendit të Kosovës, grupi parlamentar i LDK-së, LV-së, PSD-së dhe deputetët e pavarur Mimoza Kusari-Lila dhe Ilir Deda, kanë dorëzuar të martën kërkesën me të cilën kërkojnë thirrjen e seancës së jashtëzakonshme në të cilën kërkohet të ratifikohen marrëveshjet ndërkombëtare.
“Gjithashtu duke ditur se asistencat e BE-së në procesin e integrimit evropian të Republikës së Kosovës e posaçërisht asistenca në përmbushjen e obligimeve të dala nga MSA-ja, siç janë asistencat që rrjedhin nga ratifikimi i Marrëveshjes së IPA-së që sjell 48 milionë euro për Kosovën, Programi “Evropa për qytetarët” i cili mundëson Kosovës qasje në mese 17 programe të BE-së, si dhe asistenca në platformat mbështetëse të IT dhe mbështetja në reformën e politikave për arsim dhe rini që parasheh Programi “Erasmus +”, deputetët e nënshkruar vlerësojnë se ratifikimi i tyre duhet të ndodh sa më parë. Seanca është kërkuar të mbahet me datë 20.09.2018 në orë 14.00”, është bërë me dije në një komunikatë të LDK-së.
/Epoka e re/