Opozita kërkon zgjedhje të reja
Subjektet politike opozitare kanë filluar t’i tregojnë shenjat e para se duan që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Zyrtarët e partive opozitare e kanë kritikuar Qeverinë Haradinaj për paaftësi në punë, duke thënë se e vetmja zgjidhje në këtë moment për Kosovën është mbajtja e zgjedhjeve të reja në këtë pranverë.
Shefi i grupit parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka thënë se Qeveria Haradinaj ka thyer rekordet në degradimin e Kosovës. Sipas tij, kjo Qeveri duhet ta ratifikojë demarkacionin me Malin e Zi dhe të japë dorëheqje.
Edhe Lëvizja Vetëvendosje është treguar e gatshme për mocion mosbesimi ndaj kësaj Qeverie, nëse një gjë e tillë është e nevojshme. “Ne do të kërkojmë mocion atëherë kur të shohim se është e arsyeshme. Mendoj se në këtë drejtim nuk do të ketë ngutje. Të shohim se deri në çfarë shkalle i bënë keq vendit ky koalicion qeverisës. Nëse ne e shohim këtë natyrisht se do të veprojmë”, ka thënë për “Epokën e re” deputeti i LV-së, Ali Lajçi.
Më këmbëngulëse në këtë drejtim është treguar kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila. Ajo ka thënë për “Epokën e re” se nëse kjo Qeveri nuk e rrëzon veten dhe në mungesë të konsensusit, opozita do të organizojë mocion të mosbesimit ndaj saj.
“Alternativa do të jetë pjesë e të gjitha iniciativave të partive opozitare, të cilat për qëllim kanë rrëzimin e Qeverisë dhe krijimin e një qeverie tjetër, gjegjësisht shkuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme parlamentare. E vetmja zgjidhje është të përcaktohet afati i rrëzimit të kësaj Qeverie dhe që sa më shpejt të jetë e mundur të organizohen zgjedhjet e reja në mënyrë që vendit t’i lirohet frymëmarrja dhe secili qytetar të ketë një perspektivë më të ndritshme prej kësaj të zymtës që e ka me Qeverinë aktuale”, ka thënë Kusari-Lila.
Ndërsa deputeti i pavarur Korab Sejdiu qeverinë aktuale e ka vlerësuar skandaloze, duke thënë se pranvera duhet t’i sjellë vendit zgjedhje të reja. “Qeveria po u hedh hi syve të qytetarëve dhe nuk po merret me problemet e vendit. Do të duhej që populli të krijojë një aleancë me klasën e re politike, në mënyrë që të fillojë një pranverë kosovare dhe sa më shpejt t’ia këpusë jetën kësaj qeverie shkatërruese. Me shpresë që të dalë një klasë e re politike për t’i sjellë Kosovës ditë më të mira. Shpresoj që në pranverë të kemi zgjedhje të reja”, ka thënë Sejdiu.
Por, këto pretendime të opozitës i ka hedhur poshtë deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Muharrem Nitaj.
Ai ka deklaruar për “Epokën e re” se ajo çka po bëjnë subjektet politike opozitare ndaj Qeverisë Haradinaj është më shumë se kundërshtim politik.
“Tashti ta sulmosh Ramush Haradinajn se po e izolon vendin dhe është kundër liberalizimit të vizave, kjo është hipokrizi e madhe. Ta akuzosh Haradinajn se po e izolon vendin, pikërisht në ditën kur Kosova merr mbështetje të fuqishme nga ShBA-ja dhe presidenti Trump, edhe vlerësim për punën e institucioneve të vendit, është diçka më shumë se një kundërshtim politik. Pyetini ata çfarë kanë dashur të thonë me këto akuza dhe, për më shumë, çfarë pretendojnë me to”, ka thënë Nitaj.