Opozita, kritika për mungesë dhe çmime të larta të barnave ‘deri në 400 për qind’
Partitë opozitare kanë pasur kritika në adresë të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia. Sipas tyre, përkundër rritjes së buxhetit për barna esenciale, ato mungojnë në spitale dhe blihen deri në 400 për qind më shumë.
Krahas çmimit të barnave, kritikat e opozitës ishin edhe për mungesën e investimeve kapitale dhe ikja e profesionistëve shëndetësorë.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka kritikuar qeverinë Kurti dhe ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, duke thënë se është rritur buxheti për barna, por ato mungojnë në spitale. Sipas tij, barnat janë duke u blerë më shtrenjtë deri në 400 për qind.
“Ligji për çmimet e barnave ka ndikim nga mafia farmaceutike. E kemi përkrahur anulimin e listës. Por sot akoma ligji nuk është në fuqi. Është rritur buxheti për barna, por pse ka mungesë më të madhe të barnave sepse blerja e tyre është 400 për qind më e shtrenjtë? Këto janë evidente”, ka deklaruar Zemaj.
Ai ka thënë se nuk mund të flitet për reforma sepse nuk ka reformë në legjislacionin e shëndetësisë. “Ju mund të thoni që ka ligj për shëndetësi, por nuk ka ligj të ri për shëndetësi. Nuk e kemi në Kuvend. Nuk ka as ligje tjera, as ai për sigurime shëndetësore”, ka deklaruar Zemaj.
Ndërsa ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë me dije se janë shumë afër zbatimit të Ligjit për çmimet e barnave. “Është rrugës për të nisur zbatimin Ligji për çmimet e barnave. Ka pasur sfida, por edhe vëmendjen tonë në çdo hap. Në legjislacion dhe infrastrukturë, furnizim me barna dhe resurse njerëzore, janë disa masa që janë ndërmarrë këtë mandat. Gjithashtu janë proceduar katër ligje dhe 20 akte-nënligjore. Ligji për produktet medicionale, Ligji për fertilizim, Ligji për detyrime shëndetësore dhe Ligji për shëndetësi. Janë gjithashtu edhe 20 akte-nënligjore që janë shumë të rëndësishme në pjesën e reformave”, ka thënë Vitia.
Kurse për ikjen e profesionistëve shëndetësorë, ministri Vitia, ka thënë se ata janë duke u kthyer në Kosovës. “Janë kthyer në Kosovë, janë kthyer për të kontribuar. Ata që kanë ikur më herët po vazhdojnë të kthehen. Keni dy raste në Pejë ku janë kthyer dy mjekë”, ka thënë Vitia.
Përplasje ndërmjet Vitisë dhe Zemajt ishte edhe përcaktimi i çmimit tavan. Sipas Zemajt, ish-këshilltarë të ministrit Vitia aktualisht punojnë në kompanitë farmaceutike, derisa ka thënë se sa ishin në ministri lobonin për favor të kompanive farmaceutike.