Opozita kritikon Muratin për buxhetin: Po mbështeten komunat e LV-së
Me debate dhe kundërshtime është përcjellë diskutimi rreth Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e vitit 2024 në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere.
Kritikat janë adresuar në shumën prej 1 miliard euro për subvencione, ndërsa vetëm 200 milionë euro për investime kapitale.
Aty është thënë se 805 milionë euro do të shkojnë për paga dhe mëditje gjatë vitit 2024, ndërsa buxheti në total për vitin e ardhshëm do të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro.
Ministri i Financave, Punës dhe Trasnfereve, Hekuran Murati, ka shpjeguar në detaje sa i përket këtij buxheti.
“Ky buxhet do të shkojë në implementimin e Ligjit për pagat, prioritizimin e fushës së arsimit, sportit meqenëse jemi organizatorë për lojërat olimpike 2030. Buxheti për vitin e ardhshëm si tërësi i shpenzimeve, pra gjithsej shpenzimet buxhetore janë 3 miliardë e 314 milionë euro. Kjo pastaj financohet nga të hyrat buxhetore që janë 3 miliard e 28 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër parashihet që të jetë deficit dhe i cili financohet përmes huamarrjes së jashtme dhe të brendshme”, ka thënë Murati.
Më tutje, ai ka thënë se mbushja e këtij buxheti është bërë falë “mbylljeve të kanaleve të kontrabandës”.
“Jemi munduar të bëjmë më shumë gjatë këtyre viteve ka qenë luftimi i informalitetit dhe trajtimi i gjitha palëve në mënyrë të barabartë. Në këtë rast përveç kësaj është luftuar edhe kontrabanda dhe janë mbyllur shumë kanale të kontrabandimit që kanë qenë të hapura ndër vite, dhe tani patjetër se ato mallra vazhdojnë të furnizohen, veçse tani përmes kanaleve zyrtare dhe figurojnë edhe si import zyrtar dhe paguajnë taksat dhe tatimet për këtë import”, ka thënë Murati.
Ndërsa kryetari i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, Armend Muja, ka pyetur Muratin se sa është shtesa e buxhetit për komunat krahasuar me vitin e kaluar.
“Krahasuar me vitin e kaluar është rreth 90 milionë euro, më tepër sesa viti paraprak. Mirëpo, nëse krahasojmë si trend, kemi një kapërcim goxha të madh, sidomos dy viteve të fundit”, është përgjigjur Murati, raporton “EO”.
Kritika për ndarjet buxhetore ka adresuar deputeti i PDK-së, Ferat Shala. Sipas Shalës, qeveria ka ndarë buxhet më pak për investime kapitale, ndërsa ka shtuar atë për subvencione.
“Asnjë afat nuk e arsyeton këtë buxhet dhe këto janë disa shkarje. Në buxhet keni 24 për qind investime kapitale dhe 30 për qind subvencione. Ju personalisht e keni anashkaluar çështjen e subvencioneve. 1 miliard euro janë në dorën tuaj që të bëni çfarë të doni, ndërsa janë vetëm 200 milionë euro për investime kapitale”, ka thënë Shala.
Më tutje, Shala ka thënë se qeveria ka diskriminuar komunat e mëdha, ndërsa ka mbështetur ato që udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Investime e reja nëpër komunat. Komuna e Shtimes i ka 1.1 milion euro, ndërsa Skenderaj vetëm 15 mijë euro. Edhe Prishtina ka më pak se Shtimja projekte të reja investive”, është shprehur Shala, teksa ka adresuar kritika edhe për uljen e buxhetit për kategoritë e dala nga lufta.
Shala ka vazhduar me kritika për buxhetin, duke e quajtur mashtrues ministrin Murati. Sipas Shalës, shuma e lartë e ndarë për subvencione është për shkak se të afërsisë së mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare.
Ndërsa deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se me këtë buxhet nuk do të mund të jetësohen shumë premtime.
“Me këtë buxhet që e keni paraparë është e pamundur që të përmbushet programi qeverisës. Të çerdhet në këtë buxhet nuk mund të ndërtohen aq sa janë premtuar, për banim social, ka qenë premtim shumë i madh, sigurimet shëndetësore… A do të thotë se në vitin 2024 nuk do të nisim me sigurime shëndetësore”, ka pyetur Hoti.