Opozita kryeson ndaj qeverisë

21 janar 2025 | 16:42

Shkruan: Astrit Gashi

Fushata elektorale për zgjedhjet në Kosovë ka hyrë në javën e dytë pa ndonjë zhvillim të rëndësishëm. Opozita po paraqitet më e qetë dhe e moderuar, ndërsa qeveria duket se po vepron në panik. Tubimet politike kanë mbetur të përqendruara në bazat tradicionale, duke dëshmuar se qytetarët janë të zhgënjyer dhe kanë humbur besimin në partitë, programet dhe kandidatët.
Fushata është dominuar nga fjalimet e liderëve të partive politike në stilin copy-paste, ndërsa kandidatët për deputetë janë lënë plotësisht në hije. Ky centralizim i fushatës, ku liderët flasin për të gjithë, ka zbehur interesin publik për procesin zgjedhor. Kjo metodë krijon përshtypjen e një “komunizmi modern”, ku zëri i një individi dominon mbi të gjithë ekipin, duke privuar qytetarët nga mundësia për të njohur më mirë kandidatët që kërkojnë votën e tyre.
Pjesëmarrja më 9 shkurt pritet të jetë më e ulëta historikisht, me më pak se 750 mijë votues, një tregues i qartë i apatisë dhe zhgënjimit të qytetarëve ndaj politikës, si dhe migrimit masiv që ndodhi gjatë dekadës së fundit.
Bazuar në këtë dhe në analizën e fushatës në këtë fazë, pritet që Lëvizja Vetëvendosje të humbasë shumicën, me një rezultat të parashikuar prej 270-300 mijë votash maksimale. Pavarësisht mbështetjes dhe performancës më të mirë nga rinia në qytetet kryesore, ky rezultat nuk mjafton për të formuar qeveri pa koalicione. Ky fakt po e shqetëson Albin Kurtin, i cili në paraqitjet e tij po zhgënjen elektoratin.
Partia Demokratike e Kosovës, e fokusuar kryesisht në bastionet e saj tradicionale, përballet me dobësi organizative në qytetet e mëdha, si Mitrovica, e cila pritet të jetë përcaktuese. Rezultati i saj parashikohet mes 170-200 mijë votash, gati njëlloj si Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila duket se po rikuperohet nga humbjet e mëparshme dhe do të arrijë 170- 190 mijë vota. Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate mund të shënojnë një befasi, me një rezultat të pritshëm afër 100 mijë votave.
Rreth 50 mijë votues të pavendosur dhe partitë e minoriteteve do të luajnë një rol vendimtar. Megjithatë, Lista për Familjen dhe parti të tjera më të vogla nuk pritet të kalojnë pragun e madh zgjedhor prej 5%.
Pa një vizion të qartë dhe udhëheqës që prioritizojnë interesin publik, këto zgjedhje rrezikojnë të mbeten thjesht një formalitet i kotë. Opozita po ndëshkohet sepse propaganduesit më të mëdhenj të saj janë ish-gazetarët dhe mediat që ata i dërguan në opozitë dhe sollën fitoren e madhe të VV-së si një votë ndëshkuese, e jo për shkak të një programi qeverisës, që u dëshmua për katër vite stagnim total në të gjitha sferat! Po ashtu, nepotizmi i tepruar në lista ka ndikuar negativisht. Mungesa e ekspertëve në fusha të ndryshme shihet si një përgatitje jo e mirë për fushatën zgjedhore. Elektorati po ju tregon se duhet të kthehen në ADN-në e saj, që është UÇK-ja, emrin e së cilës po brohorasin në secilën sallë.
Ndërkohë, sulmet e kryeministrit ndaj opozitës nuk po gjejnë përgjigje të ashpër. Madje, fjalori i tij i pakuptueshëm në shumë raste po krijon më shumë konfuzion. Megjithatë, opozita, duke ruajtur qetësinë, po i përcjell mesazhin e qartë qeverisë: “Ne kemi puls.” Por a është kjo pergjegje e mirë në gjuhen e mjeksisë e kuptojmë të gjithë. Sigurishtë që jo!
Pozita dhe opozita duhet që në këto 20 ditë të veprojnë më ndryshe që të fitojnë besimin e atyre që nuk janë përcaktuar ende. Fokusimi duhet të jetë në qytetet e mëdha, aty ku ndodhet shumica e votave, si dhe në organizimin e transportit në viset rurale, ku një numër i madh i popullsisë është shpërngulur në qytete dhe nuk do të mund të votojë.
Nëse mbi 750 mijë votues marrin pjesë, rezultati do të ndahet proporcionalisht për partitë pa ndryshuar rezultatin final!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pavarësisht prej thashethemeve për një largim të mundshëm nga stoli…