Opozita kundërshton Florim Isufin për kryesues të komisionit për regjistrim të popullsisë

12 tetor 2022 | 11:51

Pas kritikave të opozitës, Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka shtyrë për një mbledhje tjetër votimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës për propozimin e anëtarëve të Komisionit Qendror të regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave.

Komisioni nuk ka arritur i të mërkurën të procedojë në Kuvend 16 kandidatë për anëtarë të Komisionit Qendror të regjistrimit të popullsisë.

Për kryesues të këtij komisioni është propozuar profesor Florim Isufi, ish-anëtar i Komisionit Shtetëror për Shënjimin e Kufirit.

Megjithatë, opozita ka kundërshtuar kandidatin Isufi për kryesues.

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se kryesuesi i propozuar, në këtë rast, Florim Isufi është person jo i duhur, i cili sipas tij ka ndjekur një kauzë politike në procesin e demarkacionit me Malin e Zi, dhe siç ka deklaruar ai ka dëmtuar vendin në procesin e liberalizimit të vizave.

“Unë kam rezervat e mija për kryesuesin e Komisionit. Është një person politik dhe në të kaluarën ka ndjekur agjendat politike, lidhur me demarkacionin me Malin e Zi. Nuk besoj që është person i duhur”,  ka thënë Hoti.

Të njëjtat kritika dhe vërejtje sikur Hoti ka pasur edhe nënkryetari i komisionit nga PDK-ja, Mërgim Lushtaku.

Madje, Lushtaku ka thënë se Isufi aktualisht është këshilltar i kryeministrit.

Ndërsa deputeti nga Vetëvendosje Eman Rrahmani, ka thënë se lakimi i emrit të profesorit Florim Isufi nga deputetët e opozitës është i pa drejtë.

“Të thuhet i pa integritet njeriu që ka mbrojtur territorin e vendit, nuk është e drejt”, ka thënë Rrahmani.

Komisioni ka vendosur që të premten të mbahet edhe një mbledhje për të arsyetuar zyra e kryeministrit këtë vendim me emrat e kandidatëve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj,…