Opozita lëshon sallën e Kuvendit, shkak mungesa e Kurtit
11 qershor 2021
| 16:42
Deputetët e partive opozitare kanë lëshuar sallën e Kuvendit të Kosovës, ku është duke u debatuar për ecurinë e procesit të dialogut me Serbinë me kërkesë të kryeministrit Albin Kurti.
Edhe pse ky debat është duke u mbajtur me kërkesë të Kurtit, ai nuk është duke marrë pjesë në këtë seancë dhe kjo ka bërë që deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së ta lëshojnë sallën e Kuvendit.
Para se ta lëshojnë sallën, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka kërkuar shtyrjen e kësaj seance për shkak të mungesës së Kurtit. Një gjë të tillë e ka kërkuar edhe shefi i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi.
Një kërkesë e tillë nuk është përkrahur nga mazhoranca, dhe kështu opozita ka dalë nga salla në Kuvend.