Opozita malazeze bllokon seancën e Kuvendit dhe miratimin e buxhetit
Opozita në Mal të Zi, e udhëhequr nga Partia Demokratike e Socialistëve (DPS), e ka bllokuar seancën e 21 janarit në Kuvend, ku në rend dite ishte diskutimi dhe miratimi i buxhetit të vitit 2025.
Pasi kryetari i Kuvendit, Andrija Mandiq, ka hapur seancën, deputetët e opozitës u ngritën nga vendet e tyre dhe dolën para tij. “Shikoni se në çfarë kushtesh punojmë, ndërkohë që duhet të diskutojmë një çështje të rëndësishme. Autoriteti i Kuvendit po vihet në pikëpyetje”, ka thënë Mandiq.
Ai ka paralajmëruar se deputetët që janë ngritur nga vendet e tyre, do të marrin masa ndëshkuese me shkrim.
Mandiq nuk ka specifikuar se kur do të vazhdojë seanca.
Opozita i ka penguar seancat parlamentare që nga 20 dhjetori, duke kërkuar që të anulohet vendimi për pensionimin e gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese, Dragana Gjuranoviq, i marrë po atë muaj. Sipas opozitës, ky vendim ka qenë i paligjshëm.
BE-ja ofron ndihmë
Bllokimi i punimeve në Kuvendin e Malit të Zi u diskutua edhe gjatë vizitës zyrtare të komisionares evropiane për Zgjerim, Marta Kos, në Mal të Zi, e cila ka ofruar ndihmën e Komisionit Evropian për normalizimin e punës së Kuvendit.
Delegacioni i BE-së ka propozuar përfshirjen e Komisionit të Venecias – një organ këshillues i Këshillit të Evropës – në zgjidhjen e krizës kushtetuese dhe parlamentare.
Edhe pse DPS-ja nuk e refuzoi publikisht këtë propozim, kryeministri malazez, Millojko Spajiq, e akuzoi atë për aktivitete antievropiane.
Deputeti i opozitës nga Social-demokratët, Nikolla Zirojeviq, ka thënë se nuk ka vend për kompromis kur shkelet Kushtetua.
“Nuk e di se si duhet ta komunikojmë, ta shkruajmë, ta vizatojmë, ta këndojmë, si me shumicën parlamentare, ashtu edhe me Delegacionin e BE-së: nuk negociojmë për respektimin e Kushtetutës së Malit të Zi në Kuvendin e Malit të Zi”, ka thënë Zirojeviq.
Kërkesat e opozitës
Përveçse anulimin e pensionimit të gjyqtares Gjuranoviq, opozita ka kërkuar edhe nënshkrimin e marrëveshjes me pushtetin për të mos e ndryshuar Kushtetutën në fushën e çështjeve të identitetit dhe as Ligjin për shtetësinë malazeze.
Ndryshime të tilla janë duke kërkuar edhe partitë e ish-Frontit Demokratik prorus, i udhëhequr nga Andrija Mandiq.
Konkretisht, ato janë duke kërkuar që serbishtja të bëhet gjuhë zyrtare, duke u barazuar kështu me gjuhën malazeze, dhe liberalizim të shtetësisë, përkatësisht t’u mundësohet edhe shtetasve të vendeve fqinje të bëhen shtetas malazezë.
Përveç opozitës, këto kërkesa i kanë kundërshtuar edhe partitë shqiptare në Qeverinë e Malit të Zi.
Spajiq ka thënë se për to do të vendoset me konsensusin e të gjitha palëve.
Opozita, në anën tjetër, ka thënë se nuk do të lejojë mbajtjen e seancës së Kuvendit deri në plotësimin e kërkesave. /REL