Opozita maqedonase kundër ndryshimeve kushtetuese, kërkohen zgjedhje
Lideri i opozitës në Maqedoni, Hristijan Mickovski vazhdon të insistoj në qëndrimin se referendumi në këtë vend ka dështuar.
Sa i përket ndryshimeve kushtetuese, Mickovski ka thënë për mediet maqedonase, se asnjë deputet i VMRO- DPMNE-së, nuk do të votojë për kërkesën e kryeministrit Zoran Zaev dhe madje ka kërkuar që këtë të mos e bëjnë edhe deputetët e tjerë në Kuvend.
Mickovski ka thënë se VMRO-ja është e gatshme për zgjedhje të parakohshme, por vetëm nëse paraprakisht plotësohen kushtet e saj.
“Ne kërkojmë dorëheqjen e parevokueshme të prokurorit të përgjithshëm dhe zgjedhjen e një prokurori të ri me propozim të opozitës, zgjedhjen e qeverisë së re teknike me pjesëmarrjen edhe të VMRO-së në bazë të marrëveshjes së Përzhinës, ashtu siç është vendosur edhe me ligjin e miratuar në Kuvend, e cila do të ketë mandat vetëm se për organizimin e zgjedhjeve”, ka deklaruar Mickovski./rel/