Opozita maqedonase synon kthimin e emrit “Maqedoni”
Fitorja e opozitës maqedonase në zgjedhjet lokale dhe kërkesa e saj për zgjedhje të parakohshme parlamentare, ka nxitur debate lidhur me të ardhmen e Marrëveshjes së Prespës, pasi drejtuesit e disa asambleve të reja komunale, kanë kthyer në përdorim emrin e vjetër të shtetit, Republika e Maqedonisë.
Marrëveshja e Prespës për ndryshimin e emrit “Maqedoni” në “Maqedoni të Veriut”, ishte arritur më 17 qershor të vitit 2018, me çka dy shtetet zgjidhën kontestin gati 30-vjeçar, që çoi në zhbllokimin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO dhe institucionet tjera ndërkombëtare.
Si këmbim, Shkupi pranoi se maqedonasit e tanishëm nuk kanë asnjë lidhshmëri me maqedonasit antik, e as pretendime territoriale ndaj Greqisë së Veriut, që mban gjithashtu emrin Maqedoni.
Kjo marrëveshje, asnjëherë nuk është pranuar nga opozita maqedonase që udhëhiqet nga VMRO DPMNE-ja, duke paralajmëruar se në rast se vjen në pushtet do të angazhohet për shfuqizimin e saj.
Por, duke e komentuar veprimin e disa asambleve të reja lokale, që kthyen në përdorim emrin e vjetër të shtetit, kreu i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, tha se emri i ri është realitet, të cilin, sipas tij, e imponoi kryeministri Zoran Zaev.
Ai theksoi se mosrespektimi i këtij emri mund të sjellë pasoja, por sërish premtoi se do të punojë për të përmirësuar, siç tha, “marrëveshjen nënçmuese”.
“Marrëveshja e Prespës është realitet. A na pëlqen neve ky realitet? Sigurisht se nuk na pëlqen. Këtë realitet na e solli Zoran Zaev, por nëse nuk respektohet ky realitet në kuadër të funksionimit administrativ të këtyre institucioneve, atëherë do të kemi probleme me instanca tjera, siç janë gjykata, prokuroria, e kështu me radhë. Se a do të punojmë për të ndryshuar këtë realitet, kur një ditë të kemi mundësi që të këta bëjmë, unë them se po, por për momentin ne të gjithë po veprojmë në bazë të këtij realiteti, që është i dhimbshëm, nënçmues për të gjithë ne që Maqedoninë e vlerësojmë si atdheun tonë”, deklaroi Mickovski.
Veprimi i asambleve të reja komunale ka shkaktuar reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme.
“Ministria e Punëve të Jashtme bën thirrje që të zbatohen dispozitat kushtetuese në përputhje me Marrëveshjen e Prespës, duke pasur parasysh se mosrespektimi i Kushtetutës dhe ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, seriozisht prish imazhin ndërkombëtar të shtetit dhe cenon rendin juridik të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme.
Zhvillimet në Maqedoninë e Veriut janë komentuar edhe nga Athina zyrtare.
“Kthimi i retorikës nacionaliste te fqinjët tanë mund të çojë në një ridefinim të pozicionit tonë kombëtar në mbështetje të procesit të zgjerimit të BE-së”, citojnë mediat një deklaratë të zëvendësministrit të Jashtëm grek, Miltiadis Varvitsiotis.
Ai shprehu shqetësimin për zhvillimet në vend dhe theksoi se zbatimi i duhur i Marrëveshjes së Prespës është një nga parakushtet për kornizën negociuese të Shkupit me BE-në.
Partitë në pushtet thonë se nuk do të lejojnë që opozita të rrezikojë Marrëveshjen e Prespës dhe raportet me Greqinë që mund të çojnë në bllokime të reja.
“LSDM-ja dhe koalicioni nuk do të lejojnë që VMRO-DPMNE dhe Mickoski të rrezikojnë Marrëveshjen e Prespës, të na fusin në grindje të reja me Greqinë dhe fqinjët e tjerë, të na sjellin në konflikt dhe urrejtje të brendshme dhe kështu ta kthejnë vendin në të kaluarën e errët të regjimit”, thuhet në komunikatën e LSDM-së të publikuar të enjten.
Ristevski: Betimi bazuar në emrin e vjetër, i pavlefshëm
Temelko Ristevski, njohës i çështjeve kushtetuese, thotë për “Radion Evropa e Lirë”, se çdo veprim i kujtdo qoftë që bie ndesh me Kushtetutën, është i dënueshëm, përfshirë edhe veprimet e komunave të caktuara.
“Subjekti juridik, Republika e Maqedonisë, me amendamentet kushtetuese që janë miratuar para dy viteve më nuk ekziston. Tani kemi subjekt të ri juridik, Republika e Maqedonisë së Veriut. Të gjithë këshilltarët që kanë bërë betimin bazuar në emrin e vjetër të shtetit, janë të pavlefshme dhe duhet të anulohen”, thotë profesori Temelko Ristevski.
Sipas tij, çdo vendim që mund të miratojnë komunat me emrin e vjetër të shtetit, do të jetë i pavlefshëm dhe mund të ngrihen procedura para organeve gjyqësore për shkelje të Kushtetutës.
Lidhur me zhvillimet në Maqedoninë e Veriut, ka reaguar edhe Brukseli duke bërë thirrje për zbatimin e reformave që kanë të bëjnë me Bashkimin Evropian, por edhe me respektimin e të gjitha marrëveshjeve ndërkombëtare.