Opozita mirëpret vendimin e Kushtetueses për Ligjin për zyrtarët publikë

03 gusht 2023 | 16:42

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e kanë mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese e cila shpalli disa nene antikushtetuese të Ligjit për zyrtarët publikë, që është miratuar në Kuvend në fund të dhjetorit të vitit të kaluar.

Kushtetuesja të enjten ka publikuar vendimin, me të cilin ka konstatuar se disa nene të Ligjit për zyrtarët publikë janë antikushtetues. PDK-ja e LDK-ja e kishin dërguar Ligjin në Kushtetuese.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se vendimi i Kushtetueses dëshmoi se angazhimi i tyre për rendin kushtetues dhe vlerat demokratike është i domosdoshëm.

“Kjo është edhe një dëshmi se angazhimi ynë për mbrojtjen e rëndit kushtetues dhe vlerave demokratike jo vetëm se është i vlefshëm por edhe i domosdoshëm. Ky aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese, për të shtatën herë më radhë konfirmon veprimtarinë dhe aktivitetin antikushtetues të kësaj qeverie dhe paraqet në të njëjtën kohë, goditje të drejtpërdrejtë të tendencave dhe përpjekjeve të pushtetit autokratik të Albin Kurtit për të kapur dhe nënshtruar administratën shtetërore dhe të njëjtën ta kthejë në çerdhe të militantëve, familjarëve dhe partisë së tij. Kjo është fitore e radhës e demokracisë dhe ju dedikohet të gjithë qytetarëve tanë”, ka shkruar Tahiri në “Facebook”.

Ndërsa Arben Gashi, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, ka thënë se pushteti e mori edhe një “karton të kuq” nga Kushtetuesja.

“Lufta e pushtetit për pushtet pa kufi sot e mori edhe një karton të kuq nga Gjykata Kushtetuese. Sot, fitoi ligjshmëria, fitoi kushtetutshmëria. Humbi mundësia e kapjes së radhës, humbi beteja kundër zyrtarëve publikë. Humbi mendësia shkatërruese – antikushtetuese. Gjykata e rrëzoi Ligjin për zyrtarët publikë: Kolegji i gjyqtarëve të gjykatës ka vendosur njëzëri që Ligji për zyrtarët publikë nuk është në përputhshmëri me dy paragrafin 1 të nenit 3, Barazia para Ligjit, të Kushtetutës së Kosovës”, ka shkruar Gashi në “Facebook”.

Në anën tjetër, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se sikur Kosova të ishte anëtare e BE-së, qeveria Kurti do të ishte lidere evropiane, sipas tij, në shkeljet e kushtetutshmërisë, rendit dhe ligjit, si dhe të drejtave të njeriut. “Vendimi i Gjykatës Kushtetuese se Ligji për Zyrtarët Publik është antikushtetues, është një epilog logjik dhe demokratik kundër qasjes së këtij establishmenti që përmes logjikës së numrave dhe dominimit, po synon thyerjen e kurrizit të administratës publike dhe rrënimin e karrierës profesionale në shtet. Po të ishim pjesë e Këshillit të Evropës, kjo qeveri do të ishte lidere evropiane në shkeljet e kushtetutshmërisë, rendit dhe ligjit, si dhe të drejtave të njeriut”, ka thënë Tahiri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Njoftimet nga KEDS për punimet në rrjet 04.08.2023 Punime të…