Opozita mund të japë kontribut në dialog edhe pa pjesëmarrje në ekipin negociator
Politologu Ramush Tahiri ka bërë me dije se dy subjektet politike më të mëdha opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje (LV), mund ta japin kontributin e tyre në fazën finale të dialogut me Serbinë edhe duke mos qenë pjesë e ekipit negociator.
Ai ka deklaruar se ky rol i tyre nuk duhet të keqkuptohet nga opinioni.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Tahiri ka thënë se këto dy subjekte politike duhet të jenë konstruktive në këtë proces me kritikat e tyre.
“Opozita duhet ta luajë rolin opozitar dhe të jetë konstruktive në kritikat e saj në raport me këtë proces. Pra, kundërshtimi i opozitës ndaj ndonjë marrëveshje të mundshme të mos jetë vetëm kundërshtim politik, por të jetë kundërshtim i bazuar në fakte, që ajo marrëveshje të ndryshohet në pjesën që konsiderohet se nuk është e favorshme për Kosovën”, ka thënë Tahiri.
Ai ka vlerësuar se opozita nuk bën të jetë neutrale ndaj këtij procesi dhe të thotë se dialogu me Serbinë është punë vetëm e Qeverisë.
“Përgjegjësi e këtyre dy partive do të jetë edhe nëse qëndrojnë si opozitë dhe kritikojnë këtë proces. Mendoj se kontributi i opozitës do të jetë edhe më i madh duke qëndruar në rolin opozitar, sepse duke kritikuar sjell zgjidhje që janë më të mira për Kosovën në këtë proces. Në momentin që ajo e përkrah dialogun, do të thotë se dialogu vlen”, është shprehur Tahiri.
Në këtë intervistë ai ka folur edhe për ekipin negociator i cili është miratuar në Kuvend. Sipas Tahirit, ky ekip nuk mund ta kufizojë rolin prijës të presidenti Thaçi në këtë proces.
“Ky ekip i votuar në Kuvend, ani pse në opinion pati përpjekje që të shihet si mekanizëm që do ta kufizojë rolin e presidentit, nuk mund ta kundërshtojë presidentin sepse, siç po shihet edhe nga projektligji, nuk mund t’i merren kompetencat presidentit, ngaqë ato janë kompetenca kushtetuese dhe në asnjë mënyrë nuk mund të zvogëlohet roli i presidentit”, ka thënë Tahiri.
“Epoka e re”: Z. Tahiri, ndonëse nuk është arritur konsensusi i kërkuar kombëtar, Kuvendi ka arritur ta miratojë një rezolutë për dialogun me Serbinë. Si e keni parë këtë vendim të Kuvendit?
Tahiri: Kjo si nismë është e mirë dhe si gatishmëri është e pranueshme, por si rezultat ashtu-ashtu. Kjo përpjekje nuk i ka marrë dy të tretat e votave në Kuvend, por më pak se 60 vota. Ky është një konsensus i atyre që dëshirojnë të jenë pjesëmarrës, në këtë rast prej koalicionit qeverisës dhe PSD-së. Megjithatë, është bërë një rezolutë dhe tash po bëhet një ligj dhe po i jepet një dimension legal këtij procesi. Jo pse nuk e ka pasur deri më tani këtë dimension ky proces, por që ky koalicion qeverisës po dëshiron të jetë më i sigurt në këtë drejtim. Gjithashtu, Qeveria po dëshiron ta autorizojë një ekip prej disa njerëzve që synojnë ta shprehin pluralitetin e partive politike dhe pak a shumë ta shpërndajnë përgjegjësinë si dhe ta rrisin transparencën.
“Epoka e re”: Kjo nismë është arritur si rezultat i veprimit të një partie opozitare, PSD-së?
Tahiri: Partia Socialdemokrate, e cila është shkëputur nga Lëvizja Vetëvendosje, po dëshiron ta bëjë një distancim nga burimi, pra nga Vetëvendosja. Ajo po dëshiron ta gjejë një identitet të vetin ndryshe prej Lëvizjes Vetëvendosje dhe ndryshe prej partive të tjera. Tani PSD-ja ka dalë me një dokument me të cilin kërkon të krijojë një opinion, një strukturë të votuesve. Si PSD nuk ka arritur të shtrihet në të gjithë Kosovën dhe duket se në disa çaste po ka edhe ngecje karshi Vetëvendosjes, e cila po konsolidohet prej asaj thyerjes së madhe me grupin që doli prej saj. PSD-ja ka llogaritur që deri në zgjedhjet e ardhshme të forcohet, duke u faktorizuar përmes kësaj iniciative dhe që kryeministri Haradinaj e ka miratuar.
“Epoka e re”: Pse mendoni se Qeveria e pranoi këtë propozim të saj?
Tahiri: Arsyeja pse kryeministri Haradinaj e ka miratuar këtë është se tash me 12 deputetët e PSD-së forcohet, duke e siguruar shumicën e nevojshme për ta vazhduar qeverisjen. E pamë se ata e votuan buxhetin dhe gjithashtu kryeministri nuk ia ka nevojën Listës Serbe dhe AKR-së, e cila me dy deputetë i ka marrë një hise të madhe Qeverisë. Pra, ky rol i PSD-së, përmes të cilit po synohet forcimi i kësaj partie dhe krijimi i një imazh të mirë, njëkohësit po i sjell të mira edhe koalicionit qeverisës. Në këtë mënyrë po i forcohet pozita e kryeministrit, Ramush Haradinajt, ngaqë po sigurohet se nuk mund të rrëzohet me anë të mocionit të mosbesimit deri në përfundim të mandatit të vet. Rezoluta për dialogun që ka kaluar në Kuvend, e cila parasheh hartimin e platformës dhe ligjin për negociata, është përpjekje për konsensus për dy të tretat e votave. Marrëveshje e cila mund të arrihet në këtë proces duhet të miratohet në Kuvend me dy të tretat e votave.
“Epoka e re”: Ekipi negociator për bisedime me Serbinë është kritikuar nga opozita për moslegjitimitet të plotë?
Tahiri: Ky ekip i votuar në Kuvend, ani pse në opinion pati përpjekje që të shihet si mekanizëm që do ta kufizojë rolin e presidentit, nuk mund ta kundërshtojë presidentin sepse, siç po shihet edhe nga projektligji, nuk mund t’i merren kompetencat presidentit, ngaqë ato janë kompetenca kushtetuese dhe në asnjë mënyrë nuk mund të zvogëlohet roli i presidentit. Nënshkrues i marrëveshjes do të jetë presidenti, ndërsa ekipi negociues do ta ndihmojë presidentin në këtë proces. Nuk është ajo çfarë ka thënë në konferencën për media Shpend Ahmeti, se këta do të kërkojnë raport nga presidenti. Këta do të bashkëbisedojnë me presidentin dhe ai do të kërkojë prej tyre raport. Presidenti është i veshur me pushtet nga Kushtetuta dhe ligji që t’i udhëheqë bisedimet dhe që ta përfaqësojë Kosovën brenda dhe jashtë vendit. Në një farë forme ky ekip do ta zëvendësojë atë ekipin që e ka udhëhequr Avni Arifi deri më tani. Pra, do të jetë ekip teknik që do t’i udhëheqë bisedimet teknike dhe do të marrë pjesë në bisedimet politike kur të shkojë Hashim Thaçi në Bruksel. Simpatike është ideja që udhëheqës i këtij ekipi të jetë një përfaqësues i pozitës dhe një i opozitës, si dhe brenda këtij ekipi të jetë një përfaqësues nga shoqëria civile.
“Epoka e re”: Cili është qëndrimi juaj ndaj pozicionit të dy partive më të mëdha opozitare karshi këtij procesi?
Tahiri: Në këto procese, në aspektin ligjor, LDK-ja si parti me përvojë mendoj se ka të drejtë. Ajo po thotë lërmëni të rrijë në opozitë sepse kur isha në pozitë nuk ju kam pëlqyer. Është fakt që LDK-ja po dëshiron të qëndrojë në opozitë duke refuzuar të jetë pjesë e këtij ekipi negociator. LDK-ja mendon se duke qenë në opozitë mund të ketë vlerësim më kritik ndaj bisedimeve dhe mund ta kushtëzojë votën e saj për ose kundër, varësisht prej rezultateve të këtyre bisedimeve. Kurse Vetëvendosja parimisht e ka kundërshtimin por, për mendimin tim, nuk e ka një vizion të qartë se çka duhet të bëjë me bisedimet. Këto bisedime kanë ecur më shumë. Lëvizja Vetëvendosje ka të drejtë kur thotë se Kosova dhe Serbia duhet të bisedojnë si dy shtete të pavarura, mirëpo gjendja nuk është kështu.
“Epoka e re”: Letra e presidentit amerikan drejtuar presidentit Thaçi dhe deklarimet e zyrtarëve më të lartë të BE-së flasin për një përgjegjësi edhe të opozitës në këtë proces, meqenëse po bëhet fjalë për një marrëveshje historike me Serbinë. Si duhet të veprojnë këto dy subjekte politike në raport me këtë proces?
Tahiri: Përgjegjësia e opozitës ndaj këtij procesi nuk bën për t’u kuptuar në opinion keq, vetëm si pjesëmarrje në proces të dialogut apo duke qenë anëtare të ekipit negociator. Përgjegjësia e këtyre dy partive do të jetë në nivel edhe nëse qëndrojnë si opozitë dhe kritikojnë këtë proces. Mendoj se kontributi i opozitës do të jetë edhe më i madh duke qëndruar në rolin opozitar, sepse duke kritikuar sjell zgjidhje që janë më të mira për Kosovën në këtë proces. Në momentin që ajo e përkrah dialogun do të thotë se dialogu vlen dhe nuk e bën këtë vetëm për shkak të servilizmit apo qëndrimeve të ndërkombëtarëve. Opozita nuk duhet të rrijë neutrale dhe të thotë se dialogu është punë e Qeverisë. Opozita duhet ta luajë rolin opozitar dhe të jetë konstruktive në kritikat e saj në raport me këtë proces. Pra, kundërshtimi i opozitës ndaj ndonjë marrëveshje të mundshme të mos jetë vetëm kundërshtim politik, por të jetë kundërshtim i bazuar në fakte, që ajo marrëveshje të ndryshohet në pjesën që konsiderohet se nuk është e favorshme për Kosovën. Pra, opozita duhet ta luajë rolin konstruktiv opozitar dhe të japë kontribut me propozime konkrete për bisedimet.
Muhamet KOCI