Opozita në Maqedoni padit Talat Xhaferin për ligjin për gjuhët
Opozita në Maqedoni, VMRO-DPMNE-ja ka iniciuar padi penale ndaj kryetarit të të Kuvendit, Talat Xhaferi dhe drejtorit të Gazetës Zyrtare, Martin Kostovski.
Sipas opozitës, Xhaferi, Kostovski dhe nëpunësi administrativ në Kuvend, Nexhbedin Ibrahimi kanë kryer vepër penale keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Sekretari i përgjithshëm i VMRO-së, Igor Janushev, nuk ka përjashtuar mundësinë që si dëshmitarë të ftohet edhe presidenti Gjorge Ivanov, duke shtuar se ky i fundit nuk ka shkelur kompetencat e tij pasi e drejta e vetos është e garantuar me Kushtetutë.
“Xhaferi nuk ka guxuar dhe nuk ka mundur ta dërgojë ligjin për publikim. Ibrahimi si pjesë e shërbimit teknik nuk ka pasur asnjë kompetencë që të nënshkruaj. Kostovski mban përgjegjësi pasi që nuk ka guxuar të publikoj ligj i cili nuk posedon dekretin e presidentit. E drejta e vetos është e garantuar me Kushtetutë dhe këtë e dinë edhe studentët e shkencave juridike”, ka thënë Janushevi.
Opozita maqedonase ka pretenduar se me publikimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve në Gazetën Zyrtare, Maqedonia bëhet dygjuhësore.
Por Qeveria ka thënë të kundërtën. Sipas organit ekzekutiv, gjuha shqipe nuk është zyrtare dhe nuk është e barabartë më gjuhën maqedonase. Për dallim nga Qeveria, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi është i prerë se gjuha shqipe është gjuhë e dytë zyrtare.
“Po si të flasim ndryshe për gjuhën shqipe përveç që si zyrtare. Nëse shihet se do të duhet të përdoret në të gjitha organet në mënyrë paralele, atëherë vërehet se është zyrtare. Si do të mund të quhej ndryshe përveç si zyrtare?”, ka thënë Xhaferi.
Kallëzimi penal ndaj Xhaferit ka ardhur pas publikimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve në Gazetën Zyrtare pa firmën e Presidentit Ivanov, i cili edhe pas votimit të dytë në Kuvend nuk firmosi dekretin për publikimin e ligjit.