Opozita në Serbi kërkon anulimin e zgjedhjeve në Beograd
Koalicioni opozitar pro-evropian “Serbia kundër dhunës” pretendoi se Partia Progresive e Serbisë (SNS) fitoi vetëm rreth 21 mijë vota më shumë në zgjedhjet lokale në Beograd, derisa ka denoncuar votuesit ilegalë të ardhur nga pjesë të ndryshme të vendit për të votuar në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, lokale e krahinore të Serbisë të mbajtura të dielën.
“Duke pasur parasysh se më shumë se 40 mijë persona pa vendbanim të ligjshëm u sollën në Beograd në mënyrë të organizuar për të mbështetur listën e SNS-së e cila ndryshoi në mënyrë drastike vullnetin elektoral të qytetarëve të Beogradit, ne kërkojmë anulimin e zgjedhjeve në Beogradi dhe përsëritje të votimit”, ka thënë Mirosllav Aleksiç, njëri nga liderët opozitarë.
Opozita, pas përfundimit të ditës së zgjedhjeve, lëshoi një thirrje në drejtim të qytetarëve të Beogradit që të protestojnë kundër, siç pretenduan ata, “vjedhjes së vullnetit elektoral”, ndërsa po ashtu kërkuan “pastrimin e listës zgjedhore”. Qytetarët pritet të mblidhen të hënën në orën 18:00 pasdite para ndërtesës së Komunës së Beogradit, njoftoi koalicioni opozitar.
Edhe vëzhguesit nga Qendra e Pavarur për Kërkime, Transparencë dhe Përgjegjësi (CRTA) shprehën “shqetësimin e thellë ” për rastet e transferimit të organizuar të votuesve të paligjshëm të dielën nga vendet e tjera në qendrat e votimit në kryeqytetin serb. CRTA raportoi gjithashtu raste kur votuesve u jepeshin para për të votuar për partinë në pushtet.
Serbia përfundoi edhe një cikël zgjedhor të dielën, por rezultatet preliminare të zgjedhjeve sugjerojnë se presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, do të vazhdojë dominimin mbi skenën politike serbe dhe do të forcojë kontrollin në Serbi – rezultatet preliminare sugjerojnë fitore bindëse për SNS-në, megjithëse janë raportuar një numër i parregullësive gjatë procesit zgjedhor.
Lista e partisë në pushtet “Aleksandër Vuçiç – Serbia nuk guxon të ndalet”, fitoi 47 për qind të votave apo 129 mandate në Parlamentin e Serbisë, sipas sondazheve të organizatës joqeveritare Qendra për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci (CeSID), kurse koalicioni opozitar liberal “Serbia kundër dhunës”, fitoi 23 për qind të votave apo 63 ulëse në legjislativin e ri të Serbisë.
Fitorja e rehatshme e SNS-së vjen në dritën e premtimeve për avancimin e Serbisë drejt Bashkimit Evropian (BE), ndërsa kultivon lidhje të forta me Rusinë dhe Kinën. Gjithashtu, fitorja e partisë së Vuçiçit erdhi në një kohë kur janë intensifikuar përpjekjet e bashkësisë së organizuar ndërkombëtare për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Një aspekt shumë pozitiv i zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, lokale dhe krahinore të Serbisë, padyshim se është marrja e një mandati nga kryetari i Partisë për Veprim Demokratik (PVD) dhe udhëheqësi i koalicionit “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon”, Shaip Kamberi, i cili pritet të jetë sërish zëri i shqiptarëve të Luginës së Preshevës në Parlamentin e Serbisë.
Kamberi, përkundër frikës se përçarja e përfaqësuesve politikë të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, do t’i linte shqiptarët pa përfaqësim në parlamentin serb, fitoi shumicën e nevojshme të votave. Lista “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon” fitoi 11 mijë e 500 vota, ndërsa “Alternativa Demokratike Shqiptare – Lugina e Bashkuar” fitoi 1 mijë e 250 vota.
E në vendin e tretë qëndron Partia Socialiste e Serbisë (SPS) e ish-ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, i cili fitoi 6.9 për qind të votave apo 19 ulëse. E djathta nacionaliste serbe fitoi 4.8 për qind. Një total prej 18 partive dhe koalicioneve kanë garuar për të fituar mbështetjen e 6.5 milionë qytetarëve për përfaqësimin në 250 ulëset e legjislativit serb.
Në zgjedhjet e Serbisë votuan edhe qytetarët serbë të Kosovës. Ata janë nisur qysh mëngjesin e së dielës për në Serbi. Për pasojë, në pikëkalimet kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë – Merdarë, Jarinjë dhe Bërnjak – u krijuan kolona të gjata. Serbia kërkoi që serbët të ushtronin të drejtën e votës në territorin e Kosovës, por këtë kërkesë e refuzuan autoritetet kosovare.
Në përgjithësi, besimi i qytetarëve serbë ndaj SNS-së vetëm e konfirmon se perspektiva e demokracisë në Serbi është ende e pasigurt. Gjithashtu, mbetet e paqartë nëse Serbia nën regjimin e Vuçiçit do të ndjekë politika të favorshme ndaj stabilitetit rajonal. Serbia, gjatë gjithë historisë, marshoi sipas një daulleje krejt të ndryshme nga pjesa tjetër e botës perëndimore.