Opozita në Shqipëri ‘djeg’ mandatet
Dy partitë opozitare në Shqipëri, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë “djegur” mandatet në Parlamentin e Shqipërisë.
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka thënë se partia e tij me votë unanime ka miratuar djegien e mandateve të deputetëve të saj brenda Kuvendit të Shqipërisë.
“‘Djegia’ e mandateve nuk është qëllim në vetvete. Djegia e mandateve është rekursi i fundit që i është lënë opozitës për të arritur një qëllim madhor që të shembim një qeveri të krimit – për krimin dhe nga krimi, dhe t’i japim shqiptarëve një qeveri të njerëzve, nga njerëzit dhe për njerëzit”, ka thënë Basha.
Ndërsa, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka bërë thirrje që të gjitha palët të reflektojnë dhe se veprime të tilla nuk i shërbejnë demokracisë të Shqipërisë.
“Vlerësoj se çdo veprim ekstrem nuk i shërben demokracisë, nuk i shërben forcimit të institucioneve dhe nuk i shërben njëkohësisht edhe integrimit evropian të vendit – që është dëshirë e çdo qytetari shqiptar”, ka thënë Meta.
Presidenti Meta ka thënë se ky veprim e kthen mbrapa edhe opozitën edhe Qeverinë, por ka shtuar se mazhoranca duhet të kuptojë se përgjegjësitë kryesore janë të tyre.
“Kemi një hap mbrapa nga opozita por kemi edhe dy hapa pas nga mazhoranca dhe qeveria dhe kryeministri të cilët duhet të kuptojnë që në fund fare përgjegjësitë kryesore janë të tyre për qeverisjen e vendit. Është detyrë e tyre të japin shembullin në respektimin e Kushtetutës”, ka thënë Meta.
Përderisa përflitej “djegia” e mandateve, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri një ditë më parë ka reaguar ndaj këtij vendimi të opozitës, duke thënë se “një demokraci e shëndetshme kërkon një opozitë që funksionon në mënyrë konstruktive brenda institucioneve kushtetuese”.