Opozita në Shqipëri në protestë, kërkohet dorëheqja e Ramës
Nën sloganin “Shqipërisë i dalim zot”, opozita shqiptare mbajti protestën e katërt të thirrur nga Partia Demokratike (PD), që kur drejtimin e këtij subjekti e mori Sali Berisha.
Protesta vjen pas rastit “McGonigal”, ish-zyrtari i lartë i Byrosë Federale amerikane të Hetimit (FBI), i cili u arrestua edhe për lidhjet e dyshimta biznesi me politikanë nga Shqipëria.
Para qindra qytetarëve të mbledhur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përballë Kryeministrisë së Shqipërisë, përfaqësuesit e opozitës kërkuan largimin e kryeministrit, Edi Rama.
Kryetari i PD-së, Sali Berisha, tha se protesta e 11 shkurtit është dita e “siparit te revolucionit demokratik”.
“Rama jep dorëheqjen, pas aktit te pabesë ndaj aleates sonë më të madhe, SHBA-së. Duke korruptuar një zyrtar të FBI-së, ke kryer një akt të pashembullt, kjo është tradhtia më e ulët. Për shkakun e tij, Shqipëria shihet si një vend ku mafia pastron paratë e krimit, ai e ka kthyer vendin në Kolumbinë e Evropës. Revolucioni ynë nuk ndalet deri në largimin e Ramës”, tha Berisha.
Kur mbaroi fjalimin Berisha, protestuesit hodhën disa tymues drejt ndërtesës së Zyrës së Ramës, që u pasua me ndërhyrje të menjëhershme të Policisë.