Opozita nuk do ta votojë buxhetin e shtetit për vitin 2025
Partitë opozitare, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja janë deklaruar se nuk do ta votojnë projektbuxhetin e Kosovës për vitin e ardhshëm që është parashikuar të jetë 3.6 miliardë euro.
Pas vendimit të sotëm të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit është vendosur që ky buxhet të hidhet në votim në seancën e 11 shtatorit.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se buxhetet e miratuara ndër vite nga qeveria aktuale “nuk kanë lënë kurrfarë gjurme, as në zhvillim, as në mirëqenie as në ekonomi”.
“Duke qenë plotësisht të bindur se Kosova mundet më mirë, ne nuk do ta votojmë këtë buxhet. Shpresën, mirëqenien dhe angazhimin për ta bërë më mirë Kosovën, do ta reflektojë në buxhetin për vitin e ardhshëm, Qeveria që do të dalë nga zgjedhjet e shkurtit, me kryeministër Bedri Hamzën”, ka shkruar Tahiri në “Facebook”.
Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka theksuar se kjo parti nuk do ta votojë buxhetin pasi sipas tij, ai ka probleme ligjore dhe kushtetuese.
Edhe shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se ky subjekt politik nuk do të votojë pro buxhetit.