Opozita nuk e ndërlidh mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë me vizat
Opozita në Kosovë e konsideron si çështje të ndarë ngritjen e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës nga procesi i liberalizimit të vizave.
Përderisa Qeveria e Kosovës e ka vënë si prioritet kryesor lobimin për futjen e Kosovës në agjendën e takimit të radhës së Këshillit të Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave që do të mbahet në fillim të dhjetorit, opozita ndërkaq po i kërkon numrat e fundit në mbështetje për rrëzimin e Qeverisë.
Dy partitë më të mëdha opozitare në Kuvendin e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë thënë se Qeveria aktuale e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, duhet të tërhiqet, pasi sipas tyre, ajo nuk e ka shumicën në Kuvend dhe nuk po arrin që t’i përmbush kërkesat e qytetarëve.
Por, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka përsëritur në disa raste këto ditë, se Kosova ndodhet para shumë proceseve më të rëndësishme sesa ai i zgjedhjeve eventuale të parakohshme. Sipas tij, çështja më me rëndësi tash për tash është që Kosova të përfshihet në agjendën e takimit të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave.
“Në këtë fazë në të cilën ndodhet Kosova, zgjedhjet nuk janë të favorshme aspak”, ka thënë Haradinaj.
Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se stabiliteti i Qeverisë dhe liberalizimi i vizave janë procese të ndara. Ai thekson se është e rëndësishme që Kosova të ketë institucione të fuqishme dhe Qeveri që përfaqëson shumicën e qytetarëve.
“Tash përfundimisht njëri partner i koalicionit me 10 deputetë ka dal komplet nga Qeveria. Pra, nuk mund të udhëhiqet Kosova nga një Qeveri që nuk e përfaqëson shumicën e qytetarëve të Kosovës. Nuk ka lidhje kjo me liberalizmi të vizave sepse vendimi i vendeve të BE-së veç e veç nuk bazohet në faktin se a ka zgjedhje në Kosovë brenda 30 dite apo tre muajve, ajo bazohet në kriteret që Kosova duhet t’i përmbush”, ka thënë Hoti.
Ditë më parë, subjekti politik Lista Serbe, e cila përfaqëson e komunitetin serb në institucionet e Kosovës, ka thënë se veprimet e saj në Kuvendin e Kosovës “do të jenë si opozitë e plotë” dhe se do ta mbështesin “çdo propozim për të rrëzuar Qeverinë”.
Lidhur me gatishmërinë e shprehur nga deputetët serb për t’i marrë besimin Qeverisë Haradinaj, deputeti Hoti nuk e ka pohuar e as mohuar ndonjë takim me Listën Serbe për të diskutuar lidhur me mocionin. Por, ai tha se vendi ka nevojë për institucione kredibile.
“Unë mendoj se është interes vital i shtetit të Kosovës, që sa më parë të ndërpritet kjo formë e qeverisjes dhe vendi të ketë një Qeveri të fuqishme, stabile, proevropiane që nuk mund të mbahet peng e as të shantazhohet nga askush”, ka thënë Hoti.
Nga ana tjetër, deputetja nga subjekti tjetër opozitar, Lëvizja Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, duke folur për “Radion Evropa e Lirë”, ka thënë se kjo lëvizje është e interesuar që ta rrëzojë Qeverinë, pasi që sipas saj, Qeveria e Haradinaj duhet të largohet për shkak të skandaleve të shumta që i ka bërë.
“Personalisht mund të them se kryeministri Haradinaj duhet të ketë interesin e vendit në vazhdimësi. Gjithë puna e tij ka treguar se ai nuk ka qenë i vëmendshme as për mirëqenien e qytetarëve, por as edhe në raport në kryerjen e obligimeve sa i takon çështjes se liberalizmit të vizave. Madje shumë nga vendimet që Qeveria i ka marrë kanë qenë krejtësisht të dyshimta dhe të dëmshme”, ka thënë Nagavci.
Ndërsa analisti politik Imer Mushkolaj, ka konsideruar se partitë politike në Kuvendin e Kosovës duhet të sillen me përgjegjësi karshi rrethanave të krijuara në vend. Ai thotë se Kosova tani ndodhet në një gjendje të ndjeshme, por sipas tij, kjo nuk nënkupton që duhet amnistuar veprimet e pamatura të një qeverie.
“Edhe partitë politike përpara se të vendosin të shkojnë apo jo në zgjedhje duhet edhe të mendojnë se çfarë mund të prodhojë rezultati eventual i zgjedhjeve. A mund të prodhojnë zgjedhjet një rezultat që mund të ndërrojë situatën aktuale, e po shihet se qëllimi i partive opozitare që të shkohet në zgjedhje në mënyrë, që siç thotë ato, të ndalojnë presidenti Thaçi të dialogojë me Serbinë, apo do të jemi në situatë ku edhe pas këtyre zgjedhjeve presidenti Thaçi do te jetë aty duke vazhduar aktivitetin në bazë të përgjegjësive kushtetuese që i takojnë”, është shprehur Mushkolaj.
Partitë opozitare në Kosovë, tash e disa muaj thonë se kanë përgatitur një mocionin mosbesimit ndaj Qeverisë. Mirëpo, deri më tani nuk kanë dëshmuar se i kanë 61 votat e nevojshme për t’i marrë besimin Qeverisë.