Opozita nuk e rrezikon koalicionin qeverisës

24 mars 2019 | 17:18

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se është e pasinqertë kërkesa e opozitës për zgjedhje të reja.

Ai ka thënë se kjo ka të bëjë më shumë me marketing politik meqenëse, sipas Krasniqit, asnjëra prej partive opozitare nuk dëshiron zgjedhje.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se opozita nuk e ka rrezikuar dhe nuk e rrezikon koalicionin qeverisës.

Madje, sipas Krasniqit, sa i përket kësaj opozite, koalicioni mund ta çojë mandatin deri në fund.

Shefi i grupit parlamentar i PDK-së, Memli Krasniqi, ka folur edhe për dialog, me ç’rast ka thënë se Kosova duhet ta luajë rolin e vet si partnere e besueshme e ShBA-së dhe BE-së në këtë proces.

Kurse sa i përket taksës, ai ka theksuar se, nëse do t’i rrezikonte raportet Kosovë – Amerikë, secili politikan do ta trajtonte seriozisht këtë çështje

“Epoka e re”: Z. Krasniqi, pas disa seancave të ndërprera, në mungesë të kuorumit, të premten Kuvendi ka arritur që ta miratojë rezolutën për ndalimin e lojërave të fatit. Do të thotë kjo se Kuvendi iu ka kthyer funksionimit?
Krasniqi: Nuk pajtohem me konstatimin që Kuvendi nuk ka qenë funksional. Një pjesë e opozitës e ka bojkotuar punën e Kuvendit por, pavarësisht prej kësaj, Kuvendi ka miratuar ligje, ka marrë vendime, ka votuar përzgjedhje konform autorizimeve që ka. Normalisht, nuk mund të them se nuk ka pasur vështirësi meqenëse, në raste të caktuara, nuk kemi arritur t’i përfundojmë seancat shkaku i mungesës së kuorumit. Por, sidoqoftë, seancën e së premtes e shoh si një hap pozitiv, veçanërisht kur kihet parasysh se ka pasur konsensus dhe pajtim të plotë në mes të të gjitha grupeve parlamentare sa i përket miratimit të rezolutës që kërkon nga qeveria fillimin e procedurave të pezullimit të aktiviteteve të lojërave të fatit në Kosovë.

“Epoka e re”: Si e komentoni funksionimin e koalicionit qeverisës dhe si PDK sa jeni të kënaqur me këtë bashkëqeverisje?
Krasniqi: Ajo që qëndron si ylli polar i këtij koalicioni është programi qeverisës. E thashë figurativisht, por e vërteta është se kontrata jonë si parti politike në emër të këtij koalicioni është vetë programi i qeverisë. Për aq kohë sa programi qeverisës zbatohet, respektohet dhe mbetet baza e funksionimit të koalicionit, nuk shoh probleme në funksionim. Në anën tjetër, është krejtësisht e kuptueshme që parti të ndryshme politike edhe brenda koalicionit për çështje të caktuara të kenë mendime të ndryshme, sepse vetë fakti se jemi parti e ndryshme e shpjegon këtë gjë. Mirëpo në qeveri jemi për ta zbatuar programin të cilin e kemi miratuar bashkë. Deri tash nuk ka shmangie nga ky proces dhe për aq kohë sa ministrat janë duke i realizuar detyrat e veta konform kësaj marrëveshje dhe kryeministri duke udhëhequr qeverinë bazuar në këtë marrëveshje, atëherë nuk shoh probleme.

“Epoka e re”: Një prej sfidave kryesore me të cilat është ballafaquar kohët e fundit koalicioni qeverisës ka qenë çështja e taksës ndaj Serbisë, përkatësisht presioni ndërkombëtar për pezullimin e saj. A keni arritur ta gjeni formulën për tejkalimin e kësaj situate?
Krasniqi: Për çështjen e tarifës doganore ndaj Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës është folur shumë. Tashmë edhe opinioni i di mirë qëndrimet e secilit lider dhe parti politike. Arsyeja e kërkesës për pezullimin 120 ditorë të taksës, e shprehur nga kryetari Veseli, është shumë e qartë: ka një arsye themelore që ndërlidhet me kërkesën e shprehur disa herë në mënyrë eksplicite nga partnerët tanë amerikanë. Kjo ka qenë baza dhe, po ashtu, fakti që Kosova tashmë është duke u parë si penguese e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Nuk mendojmë se Kosova e meriton të quhet penguese duke pasur parasysh se Serbia ka qenë ajo palë që nuk ka respektuar në masën më të madhe marrëveshjet të cilat janë arritur në Bruksel. Por, sidoqoftë, tashmë edhe në kryeqytetet e shteteve mike të Kosovës është thënë, në një formë apo tjetër, që nuk po marrim pjesë në dialog në mënyrë të qëllimshme. Unë besoj se interesi i Kosovës është të dëshmojë një partneritet me shtetet mike dhe zhbllokimi i dialogut nuk do të thotë edhe arritje e marrëveshjes.

“Epoka e re”: Taksa nuk e rrezikon vazhdimin e koalicionit?
Krasniqi: Nuk mund t’ju jap një përgjigje më të re prej asaj që është deklaruar deri më tash prej PDK-së dhe prej z. Veseli si lider i koalicionit qeverisës. Qëndrimi i tij tashmë dihet. Problemin nuk e kemi aspak me taksën ndaj Serbisë sepse, në fund të fundit, pa PDK-në ajo taksë nuk ishte vendosur. Çështja ka të bëjë vetëm me raportin e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet mike të Bashkimit Evropian. Nëse në një moment do të rrezikohet seriozisht ky raport siç është thënë në raste të caktuara, atëherë besoj se secili politikan në Kosovë do ta trajtojë seriozisht një çështje të tillë. Por, për diçka të tillë nuk mund të paragjykojmë, prandaj taksa është vetëm një çështje e cila e ndërlidh koalicionin tonë dhe nuk është çështja kryesore dhe e vetme. Kemi edhe një serë çështjesh për të cilat kemi pajtim dhe funksionim normal.

“Epoka e re”: A është e gatshme PDK-ja ta braktisë qeverinë nëse rrezikohen raportet Kosovë – Amerikë?
Krasniqi: PDK-ja vendimet e veta i merr në mënyrë të pavarur dhe jo duke u bazuar në kërkesat e kujtdo qoftë. Normalisht se i marrim parasysh zhvillimet të cilat mund të jenë në favor të Kosovës ose jo. Sido që të jetë, nuk dua të besoj që ka lider ose parti politike në Kosovë që në mënyrë të vetëdijshme e rrezikon raportin e Kosovës me Amerikën. Kjo është e patolerueshme, prandaj nuk besoj se do të mund të vijë deri aty situata.

“Epoka e re”: Ju jeni optimist se taksa do të pezullohet para se të rrezikohen këto raporte?
Krasniqi: Taksa nuk është tema kryesore që i shqetëson qytetarët e Kosovës dhe taksa nuk është as tema kryesore që duhet t’i shqetësojë mediet e Kosovës, sepse rreziku i fokusimit kaq të madh te çështja e taksës e ka hequr fokusin prej qindra problemeve me të cilat ballafaqohen qytetarët e Kosovës çdo ditë.

“Epoka e re”: Pavarësisht prej këtyre çështjeve, si e shihni vazhdimin e procesit të dialogut në rast se nuk do të pezullohet taksa?
Krasniqi: Kosova duhet ta luajë rolin e vet si partnere e besueshme e ShBA-së dhe BE-së edhe në kuptimin e rolit të saj në dialogun për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ajo që nuk do të duhej të ndodhte e që ndonjëherë është duke ndodhur është portretizimi i Kosovës si pengues i dialogut me Serbinë. Nuk besoj se kjo e dëshmon konstruktivitetin e vërtetë të Kosovës deri tash. Mendoj se kemi bërë hapat e duhur me miratimin e Ligjit për dialog, me miratimin e Platformës për dialog si dhe me formimin e ekipit negociues në mënyrë që ta shprehim vullnetin tonë për ta vazhduar këtë proces të dialogut dhe për t’i dhënë mundësi arritjes së një marrëveshje të pranueshme për vendin tonë. Se a do të ndodhë kjo dhe kur mund të ndodhë, nuk është një çështje që mund ta përcaktojmë sot. Është e rëndësishme që të kuptohet vullneti i shprehur nga institucionet kryesore të Kosovës për ta luajtur rolin tonë në këtë proces.

“Epoka e re”: Megjithatë, dy partitë opozitare, LDK-ja dhe Vetëvendosja, e kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për dialog. Si e shihni këtë veprim dhe a prisni që Kushtetuesja ta kthejë mbrapsht ligjin?
Krasniqi: Nuk jam ekspert kushtetues dhe nuk mund ta mohoj të drejtën e deputetëve që ta referojnë cilindo ligj për mendim në Gjykatën Kushtetuese. Sidoqoftë, partitë opozitare do t’i bënin shumë më shumë nder vendit sikur të ishin pjesë e procesit të dialogut edhe në ekipin negociues, edhe në komisionin mbikëqyrës që do të formohet në Kuvendin e Kosovës.

“Epoka e re”: A ndihet komod koalicioni qeverisës karshi kësaj opozite e cila ka paralajmëruar rrëzimin e qeverisë sapo të sigurohen votat?
Krasniqi: Kjo nuk është aspak shqetësuese sepse nuk është kërkesë e sinqertë. Asnjëra prej partive opozitare nuk dëshiron zgjedhje dhe arsyet janë të ndryshme dhe kanë të bëjnë me kontekstet e tyre të brendshme. Por, përtej marketingut politik nuk besoj se ka asgjë të vërtetë. Përndryshe, Lista Serbe tashmë ua ka ofruar votat dhe bashkë me Listën Serbe, LDK-ja, Vetëvendosja, por edhe PSD-ja, do t’i kenë numrat e mjaftueshëm për mocion të mosbesimit ndaj qeverisë. Por, vetë fakti se një gjë e tillë nuk po ndodhë, tregon se ata nuk janë të sinqertë në kërkesën e tyre. Opozita nuk e ka rrezikuar dhe nuk e rrezikon këtë koalicion në asnjë mënyrë. Sa i përket kësaj opozite, besoj se koalicioni mund ta çojë mandatin deri në fund.

Shqipe HETEMI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shpresa Olimpike 2018, xhudisti Shpat Zekaj (-100 kg) fitoi medaljen…