“Opozita nuk është një”, Abdixhiku: Ne si LDK jemi kundër mosvotimit të marrëveshjeve ndërkombëtare

17 tetor 2023 | 22:04

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, është shprehur kundër qëndrimit të dy partive të tjera të mëdha opozitare, PDK-së dhe AAK-së, që vendosën mos t’i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare.

Abdixhiku ka thënë se nuk i pëlqen që termi “opozitë” t’i përfshijë të gjitha partitë opozitare, pasi tha se LDK ndryshon në disa pika me partitë tjera.

“Termin “opozitë” kategorikisht e kundërshtoj si terminologji politike përveç që është funksion në parlament, por si trup i përbashkët nuk është. Është diskurs shumë i natyrshëm në debatin publik në Kosovë ku opozita portretizohet si një, e nuk jemi një për besë. Këtë duhet ta kuptojnë të gjithë. Ne jemi parti të ndara, dhe në shumë hapa kemi edhe bindje krejtësisht të ndryshme”, tha ai në ATV.

“Pushtetit i konvenon ta portretizojë opozitën si një.”

Ai tha se mosvotimi i marrëveshjeve veçse i dëmton qytetarët e Kosovës, e nuk kontribuon në rrëzimin e qeverisë.

“Nuk dua të flas për partitë e tjera opozitare, as nuk dua t’i gjykoj në mënyrën se si i marrin vendimet, por dallojmë substancialisht në mënyrën e veprimit opozitar siç është edhe në parlament. LDK mban qëndrim bukur befasues mbi sjelljen e dy partive tjera opozitare për mosvotimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Është gabim dhe me pasoja të mëdha për qytetarët e vendit.”

“Në qoftë se besojmë se kjo qeveri duhet të përfundojë, unë po ju garantoj se me mosvotim të marrëveshjeve ndërkombëtare nuk do të ndërpritet mandati i qeverisë. Ne do t’i dënojmë qytetarët e Kosovës me një sjellje të tillë”, deklaroi Abdixhiku.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha ka reaguar pas deklaratës…