Opozita nuk i shkon në takim Veselit
Asnjë nga partitë opozitare nuk ka marrë pjesë në takimin e thirrur nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, për të arritur një konsensus për dialogun me shtetin serb.
Pas takimit që është mbajtur mes partive pjesë e koalicionit qeverisës, Veseli ka thënë se takimi është zhvilluar vetëm nga partnerët e koalicionit qeverisës.
“Sot ne patëm një takim që ka të bëjë me arritjen e konsensusit në procesin e ardhshëm që e pret Kosovën në procesin e dialogut. Në takimin e sotëm kanë marrë pjesë vetëm përfaqësuesit e pozitës, kanë qenë prezent vetëm partnerët e koalicionit qeverisës”, ka thënë Veseli.
“Jam shumë i sigurt se do të kemi një unitet të plotë në këtë proces”, ka deklaruar Veseli.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, kishte ftuar udhëheqësit e partive politike parlamentare në Kosovë që ta mbajnë sot takimin nga ora 10:00, me qëllim të arritjes së konsensusit kombëtar për fazën finale të dialogut Kosovë – Serbi. “Me qëllim të arritjes së konsensusit kombëtar për fazën finale të dialogut Kosovë – Serbi, në mënyrë që në këtë proces të rëndësishëm të kemi një pjesëmarrje gjithëpërfshirëse, kam kënaqësinë t’ju ftoj në një takim të përbashkët në mes të udhëheqësve të partive politike parlamentare”, thuhej në ftesën e kryetarit të Kuvendit.
/Epoka e re/