Opozita po bën zhurmë, nuk ka zgjedhje këtë vit

26 prill 2019 | 17:57

Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, njëherësh nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, ka bërë me dije se ky koalicion qeverisës mandatin e tij do ta çojë deri në fund, duke mohuar mundësinë e zgjedhjeve të reja këtë vit.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Lekaj ka thënë se nuk sheh asnjë arsye që vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme këtë verë apo vjeshtë.

“Koalicioni qeverisës ka lidhur një kontratë e cila parasheh që zgjedhjet mund të mbahen pas katër vjetëve. Tani nuk shoh asnjë arsye dhe asnjë argument që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme”, ka thënë ai.

Lekaj ka theksuar se kërkesa e opozitës për zgjedhje të reja është joserioze. Sipas tij, subjektet opozitare kritikat ndaj qeverisë i kanë të paargumentuara.

“Zgjedhjet e ardhshme do të mbahen kur të përfundojë mandati kushtetues dhe jo më herët. Opozita çdoherë tenton që të ketë zgjedhje por, siç e kam thënë më herët, mendoj se e kemi një opozitë të dobët e cila më tepër po bën zhurmë dhe nuk po i argumenton kritikat dhe kërkesat e veta”, ka deklaruar Lekaj.

Ai ka mohuar pretendimet e medieve, se kryeparlamentari Veseli dhe kryeministrit Haradinaj i kanë ftohur raportet.

Lekaj, i cili së fundi i ka pritur në konakun e tij të dy liderët e koalicionit, ka thënë se raportet e kryeparlamentarit dhe kryeministrit janë të shkëlqyeshme.

“Më besoni se nuk është vërejtur asnjë ftohje e raporteve në mes të z. Veseli dhe z. Haradinaj. Përkundrazi, ata janë miq të mirë, funksionojnë shkëlqyeshëm dhe komunikojnë shumë mirë mes vete. Nuk ka asnjë vështirësi në komunikimin e tyre”, është shprehur ai.

Nënkryetari i AAK-së ka thënë se kjo parti asnjëherë nuk do t’i provokojë zgjedhjet e reja, ani pse ato i konvenojnë.

“Asnjëherë nuk na ka shkuar ndërmend që të shkojmë në zgjedhje dhe ta prishim kontratën, ani pse AAK-ja ka një rritje 100 për qind në elektorat. Do të jemi seriozë deri në fund dhe do ta respektojmë marrëveshjen”, është shprehur ai.

“Epoka e re”: Z. Lekaj, opozita po shprehet e bindur se më së largu zgjedhjet e parakohshme do të mbahen në vjeshtë. Si i keni parë këto paralajmërime?
Lekaj: Mendoj se vetë pozicioni i opozitës i shtyn ta thonë këtë gjë. Qytetarët ua kanë dhënë besimin që ata të kritikojnë dhe ta monitorojnë sistemin, por në anën tjetër qytetarët na kanë dhënë ne mundësinë që të qeverisim vendin dhe të jemi në shërbim të qytetarëve. Zgjedhjet e ardhshme do të mbahen kur të përfundojë mandati kushtetues dhe jo më herët. Opozita çdoherë tenton që të ketë zgjedhje por, siç e kam thënë më herët, mendoj se e kemi një opozitë të dobët e cila më tepër po bën zhurmë dhe nuk po i argumenton kritikat dhe kërkesat e veta. Çdo ditë po e shoh që edhe Vetëvendosje po bën zhurmë për sektorët ku po punohet më së tepërmi dhe këtë po e bën për t’i minimizuar sukseset tona, mirëpo ne nuk do të ndalemi së punuari për të mirën e qytetarëve të vendit.

“Epoka e re”: Zgjedhjet e parakohshme për në vjeshtë nuk i kanë përjashtuar edhe disa zëra brenda koalicionit qeverisës?
Lekaj: Çfarëdo zëra që janë ata, mendoj se janë zëra demokratikë. Koalicioni qeverisës ka lidhur një kontratë që parasheh se zgjedhjet mund të mbahen pas katër vjetëve. Tani nuk shoh asnjë arsye dhe asnjë argument që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

“Epoka e re”: Çfarë ju shtyn të besoni se ky koalicion mund ta çojë deri në fund mandatin?
Lekaj: Besoj në punën e ndershme të qeverisë dhe angazhimin e saj të madh në të gjitha segmentet e jetës. Besoj në vendimet e mëdha që po i merr kjo qeveri, të cilat janë në favor të qytetarëve. Me bindje ju them se deri më tani nuk ka pasur Kosova qeveri më efektive për marrje të vendimeve të guximshme, të cilat kanë pasur për qëllim ta forcojnë shtetin e Kosovës. Ju e dini se për cilat vendime po flas, duke filluar prej atij për formimin e ushtrisë, vendimin për taksën ndaj mallrave serbe, Ligjin për Trepçën, marrëveshjen me “Contour Global” që na bënë të jemi liderë për energji elektrike. Pastaj vendimet për reforma në administratën shtetërore, Ligji për pagat dhe shumë segmente të tjera që na bëjnë të jemi mirë para qytetarëve. Mos të flasim për infrastrukturë, sepse mund të them se jemi liderë në rajon.

“Epoka e re”: Gjasat për zgjedhje janë shtuar pas ftohjes së raporteve mes kryeparlamentarit Veseli dhe kryeministrit Haradinaj për çështjen e taksës. A janë përmirësuar raportet mes tyre?
Lekaj: Mund të them se asnjë ftohje të raporteve mes këtyre dy liderëve nuk ka. Kjo po dëshmohet çdo ditë. Komunikimi mes tyre është shumë korrekt. Kjo është parë edhe në praktikë, ku në qeveri çdo vendim merret në mënyrë unanime. Nuk e di se si kjo mund të quhet ftohje të raporteve mes dy liderëve.

 “Epoka e re”: Por, Veseli e Haradinaj së bashku në publik kohët e fundit janë parë shumë rrallë. Madje, pas një kohe, bashkë janë parë në konakun tuaj me rastin e festës së Pashkëve. Si ka qenë komunikimi i tyre në këtë drekë?
Lekaj: Më besoni se nuk është vërejtur asnjë ftohje e raporteve në mes të z. Veseli dhe z. Haradinaj. Përkundrazi ata janë miq të mirë, funksionojnë shkëlqyeshëm dhe komunikojnë shumë mirë mes vete. Nuk ka asnjë vështirësi në komunikimin e tyre.

“Epoka e re”: A do të thotë kjo se mospajtimet për taksën ndaj mallrave serbe janë tejkaluar tashmë nga partnerët e koalicionit?
Lekaj: Mendoj se është një pozicion i PDK-së dhe kryeparlamentarit Veseli për pezullim të takës mirëpo, siç e keni parë, kjo çështje më nuk është aktuale. Ne po vazhdojmë agjendën tonë të përditshme. Mendoj se është shembull i demokracisë që të ketë mendime të ndryshme brenda koalicioni qeverisës.

“Epoka e re”: Shumë zyrtarë të AAK-së kanë thënë se tani për tani më së shumti zgjedhjet i konvenojnë këtij subjekti politik. A mund të presim që pikërisht AAK-ja ta provokojë mbajtjen e zgjedhjeve të reja?
Lekaj: Është fakt që AAK-ja ka një rritje enorme të fuqisë elektorale. Në bazë të hulumtimeve të opinionit për çdo muaj trendi i shigjetës është pozitiv, pra në ngritje. Mendoj se asnjëherë në historinë e saj AAK-ja nuk ka qenë më mirë, mirëpo ne do ta respektojmë marrëveshjen e koalicionit dhe do ta zbatojmë kontratën që kemi me partnerët tanë. Asnjëherë nuk na ka shkuar ndërmend që të shkojmë në zgjedhje dhe ta prishim atë kontratë, ani pse AAK-ja ka një rritje 100 për qind në elektorat. Do të jemi seriozë deri në fund dhe do ta respektojmë marrëveshjen.

“Epoka e re”: Çfarë mendoni se ka ndikuar më së shumti që të rritet besimi i qytetarëve ndaj AAK-së?
Lekaj: Ajo që ka ndikuar më se tepërmi besoj se është qëndrueshmëria dhe këmbëngulja e kryeministrit Haradinaj për vendimet që shkojnë në forcim të shtetit, siç ka qenë ushtria, taksa ndaj mallrave serbe dhe vendimet e tjera që i përmenda më herët.

Muhamet KOCI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri në detyrë i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj, ka…