Opozita prezanton programin e Qeverisë tranzitore (Video)
Opozita nuk ka rënë dakord me mazhorancën për krijimin e Qeverisë tranzitore, por kjo nuk e ka ndalur të prezantojë atë 10 detyrat, që ajo duhet të kryejë për një proces të lirë dhe demokratik zgjedhor.
“10 detyrat kryesore, zbatimi i të cilave nuk kërkon asnjë ndryshim ligjor, kërkon vetëm vullnet politik”, ka thënë kryetari i PD-së, Lulzim Basha.
Ndërsa, Oerd Bylykbashi ka renditur detyrat e Qeverisë tranzitore, e cila ndryshon nga ajo teknike e dy viteve më parë.
“Goditje me tolerancë zero e strukturave politike e kriminale, të përfshira në shitblerjen e votës. Ndalimi i presionit qeveritar mbi drejtësinë. Monitorim i rreptë dhe goditje me tolerancë zero ndaj presionit mbi administratën publike. Ndalim i prokurimeve, tenderave dhe abuzimeve të tjera me burimet shtetërore. Kontroll dhe marrje masash për emërimet dhe shkarkimet e paligjshme në Administratën Publike. Pajisja e shtetasve me letërnjoftime. Regjistrim i adresave të të gjithë shtetasve. Hetim dhe ndëshkim i votimit fiktiv të emigrantëve. Shkëputje e lidhjes së policisë me krimin. Raport me transparencë i veprimtarisë ligjzbatuese dhe qasje e besueshme e opozitës”, ka thënë Bylykbashi.
Por, cili do të jetë profili dhe përbërja e Qeverisë tranzitore? Këtë përgjigje e ka dhënë Basha
“Nuk do të jetë një koalicion i madh midis opozitës, koalicionit opozitar dhe Partisë Socialiste. Do të jetë një qeveri provizore, tranzitore me personalitete jashtë konfliktit të interesit”, ka thënë Basha.